Tryeza që i jep fund krizës! Rama e Basha “hidh e prit” nëpër ekrane!

532

Vijon të mbesë në kuadrin e replikave në distancë qoftë në Facebook e qoftë në ekranet televizive. Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitë Lulzim Basha ende nuk janë ulur në një tryezë dialogu për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, dhe për të bërë që e djathta e bashkuar t’i japë fund protestës e të futet në zgjedhje.

Ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njëherës aleati kryesor në qeverinë Rama, që kërkoi dialogun si emergjent për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria kur na ndan fare pak kohë nga zgjedhjet parlamentare të 18 qeshorit. Edhe këtë të pemte, kreu i qeverisë përmes Facebookut i kujtoi kreut demokrat Basha se prej ditësh i ka bërë ftesë për dialog, dhe se gjithçka ja ka lënë atij në dorë për të caktuar vendin dhe kohën, transmeton Express.

“Lulëzim sot 3 ditë që pres vendin/orën për të nisur dialogun pa kushte! Gjejmë zgjidhje votojmë Vetingun shkojmë në zgjedhje. Mos ki frikë!,” shkruante Rama.

Por Basha duket se mungesën e tryezës së dialogut ja faturon Ramës. Në një prononcim për mediat, Basha la të kuptohet se e ka mirëpritur ftesën, por se nuk po sheh lëvizjet nga PS-ja për ta përgatitur takimin.

Një takim serioz që t’i japë zgjidhje krizës politike nuk ka nevojë për vendin dhe orën e takimit.Nëse vërtet është serioz për një takim të tillë, ka të deleguarin e opozitës që të ulet me të deleguarin e maxhorancës, por nëse do takim për foto, shfaqje, në këtë moment të rëndë të vendit e të bëjë monologje si me Reformën në Drejtësi, unë nuk kam ndërmend t’ia bëj këtë shqiptarëve, do ia kursej këtë shqiptarëve.I deleguari i opozitës ka 36 orë që pret që të diskutojë për formatin.Nëse do monolog, le ta bëjë nga zyra e Facebook se opozita nuk bëhej pjesë e kësaj”, tha Basha.

Megjithatë, ka edhe një pikë ku të dyja palët janë kokëforta.

Rama ka këmbëngulur më herët se zgjedhjet do të bëhen edhe pa opozitën pasi nuk pranon qeveri teknike, ndërsa Basha i qëndron kushtit të ngritur që në nisje të protestës së opozitës, që sot shënon 46 ditë: Qeverisë teknike!..që deri më tani është edhe pika më e fortë që i ndan dy palët.

“Vetëm qeveri teknike! Nuk mund të dorëzohet kauza e zgjedhjeve të lira e të ndershme në duart e atyre që shkaktuan drogën dhe sollnë krimin në pushtet. Zgjidhja, largimi një orë e më parë e Ramës nga karrigia e kryeministrit, tha Basha, i cili edhe gjatë ditës së sotme mbajti një fjalim në çadrën e protestës ngritur në mes të kryeministrisë dhe kuvendit të Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për këtë arsye, ishin gazetarët të cilët e vunë në dijeni liderin demokrat për ftesën e fundit që Rama bëri nga rrjeti social Facebook.

/Gazeta Express/