Trafik droge Shqipëri – Greqi, arrestohen organizatorët e bandës që shtrihej dhe në Greqi e Maqedoni

423

Një hetim i Prokurorisë për Krime të Rënda zbuloi dhe goditi një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.  Në bazë të hetimit disa-mujor, të nisur dhe të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, u arrit të provohej përgjegjësia dhe të arrestohen organizatorët e këtij aktiviteti, i cili dyshohet se ka trafikuar në kohë dhe sasi të ndryshme kanabis sattiva nga Jugu dhe Juglindja e Shqipërisë, për në territorin e Greqisë.

Në kuadër të këtij hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjatë muajve të kaluar, disa anëtarë të këtij grupi janë arrestuar në Pogradec, Fier, Maqedoni e Greqi.

Ndërkohë, në vijim, Prokuroria për Krime të Rënda identifikoi plotësisht personat që konsiderohen përgjegjës për organizimin e trafikut.  Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për disa persona.

Masat u zbatuan nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Më konkretisht, në kuadër të këtij hetimi, u arrestuan, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, shtetasit:

1. Gazmend Lleshanaku, organizator

2. Jorgo Dulla, organizator

3. Isak Alla, bashkëpunëtor

4. Aurel Toska, bashkëpunëtor

Gjithashtu, u arrestuan për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, shtetasit,

5. Gëzim Balla

6. Jani Meçja

Në kuadër të këtij hetimi, disa kohë më parë janë arrestuar në episode të ndryshme edhe shtetas të tjerë shqiptarë, grekë dhe maqedonas, të cilët, nën drejtimin e organizatorëve Lleshanaku dhe Dulla kishin krijuar një rrjet të gjerë sigurimi, transportimi dhe trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Ky trafik realizohej nëpërmjet kufirit Shqipëri-Greqi ose Maqedoni Greqi.