Tiranë, protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës

317
Protesta në Tiranë, kundër planeve të qeverisë shqiptarë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Foto: Rruga e Arbërit

Dhjetëra qytetarë u mblodhën të shtunën (16.04.2022) në qendër të Tiranës dhe marshuan në drejtim të kryeministrisë për të shprehur revoltën e tyre kundër planeve të qeverisë shqiptarë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Protestës së thirrur nga një përfaqësi e dibranëve me banim në SHBA iu bashkuan ambientalistë, qytetarë të Tiranës dhe banorë të Dibrës, pronat dhe shtëpitë e të cilëve mbyten nga ujëmbledhësi.

Protestuesit marshuan në drejtim të kryeministrisë, duke mbajtur parulla në duar, me anë të të cilave kundërshtojnë ndërtimit të hidrocentralit. Shumica prej tyre janë në gjuhën angleze, duke kërkuar kështu edhe një mbështetje ndërkombëtare, por edhe duke iu drejtuar drejtpërdrejtë kompanisë Bechtel. “Bechtel – Go home”, ishtë një nga pankartat e protestuesve, duke i kërkuar kompanisë amerikanë të ndalojë zhvillimin e këtij projekti, të konsideruar si të dëmshëm për rajonin e Dibrës.

Disa parulla të tjera të protestës e krahasonin ndërtim e Skavicës si një genocid. “Skavica = Genocid”, “Save Drin River – Save Dibra”, “Jo Skavica, Po Dibra”, “Për Dibrën, o Sot o Kurrë!” ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit.

Protestuesit para Kryeministrisë. Foto: Gazeta “Rruga e Arbërit”

Ata bënë një ndalesë para zyrave të kryeministrisë dhe protestuesit që morën fjalën evidentuan arsyet se pse ky projekt duhet të ndalohet. Sipas tyre, jo vetëm që prish ekosistemin dhe mbyt luginën e Drinit, zhvendos banorët, zhduk historinë e rajonit, ndan Dibrën në dysh, por edhe mënyra e dyshimtë e dhënies së ndërtimit të këtij hidrocentrali një kompania amerikane, ngjall dyshime për korrupsion dhe abuzim. Ata evidentuan se kostot e ndërtimit do të jenë shumë më të larta nga se është deklaruar, duke rënduar kështu buxhetin e shtetit dhe mbi qytetarët shqiptarë.

Qeveria shqiptare ka kontaktuar kompaninë Bechtel – e njohur më parë në vendin tonë për ndërtimin e Rrugës së Kombit, e cila ka marrë pa tender projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Kompania aktualisht është duke zhvilluar studimin gjeologjik të terrenit dhe, gjithashtu, ka kontaktuar kompani të tjera që po merrem me studimet mjedisore dhe sociale.

Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë konsultim publik me banorët që do të shpërngulen dhe efektet negative që ky hidrocentral do të shkaktojë në zonën e Dibrës.

Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, parashikohet një ndërtim i Hidrocentralit në lartësinë 443 metra mbi nivelin e detit. Ky hidrocentral parashikohet të mbytë mbi 33 fshatra gjatë luginës së Dibrës dhe të shpërngulë mbi 10 mijë banorë, ndërsa 40 mijë të tjerave u mbyten tokat bujqësore.

Kjo ishte e para protestë e zhvilluar në Tiranë kundër Skavicës dhe pritet që në ditët në vijim protesta të tjera ta shoqërojnë në Tiranë dhe Dibër.