Tabaku dënon djegien e makinës së gazetarit Sami Curri: Sulm ndaj lirisë së medias

59
Foto ilustrim

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal që cenon drejtpërdrejt lirinë e medias dhe sigurinë e fjalës së lirë në Shqipëri.

Në një deklaratë publike, Tabaku thekson se ngjarja nuk duhet parë si një incident i izoluar, por si pjesë e një klime presioni dhe frikësimi ndaj gazetarëve që raportojnë për interesin publik. “Djegia e makinës së gazetarit Sami Curri është një akt kriminal që prek drejtpërdrejt lirinë e medias dhe sigurinë e fjalës së lirë në Shqipëri. Ky nuk është thjesht një incident. Është një klimë presioni dhe frikësimi ndaj gazetarëve,” u shpreh ajo.

Deputetja shtoi se sulmet ndaj gazetarëve përkthehen në dobësim të demokracisë. “Kur gazetarët sulmohen, demokracia dobësohet,” theksoi Tabaku, duke shprehur solidaritet të plotë me Currin dhe me çdo gazetar që përballet me kërcënime për shkak të detyrës.

Ajo i bëri thirrje institucioneve që të reagojnë menjëherë për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë, duke paralajmëruar se çdo vonesë do të jepte një mesazh të gabuar. “Liria e medias nuk negociohet. Jeta dhe pasuria e qytetarëve është e çmuar,” përfundoi ajo.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në “Lagjen e Re” në Bulqizë, ku automjeti i gazetarit Sami Curri u përfshi nga flakët rreth orës 02:45. Sipas të dhënave, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa Policia e Dibrës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Vetë gazetari Curri ka deklaruar se ngjarja lidhet drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar, për shkak të raportimeve mbi çështje të ndjeshme lokale.

Djegia e automjetit është dënuar gjerësisht nga organizatat e medias në Shqipëri dhe rajon, të cilat e kanë cilësuar si një sinjal alarmi për sigurinë e gazetarëve dhe një përpjekje për të intimiduar gazetarinë investigative në terren.