Mbledhja e planifikuar e Këshillit Bashkiak Bulqizë për ditën e enjte (30.04.2026) nuk u zhvillua, ndërsa situata u shoqërua me prani të shtuar të forcave të Policisë së Shtetit dhe protestës së banorëve të Njësisë Administrative Gjoricë.
Që në orët para nisjes së mbledhjes, e parashikuar për në orën 13:30, ambientet e bashkisë u rrethuan nga forca të shumta policore, duke krijuar një situatë të pazakontë për një aktivitet rutinë institucional. Paralelisht, dhjetëra banorë të Gjoricës u mblodhën përpara godinës, në vijim të kundërshtimit të tyre ndaj dhënies me qira të tokave të përbashkëta për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Ndryshe nga praktikat e mëparshme, dera e sallës së këshillit këtë herë qëndroi e mbyllur. Rreth 30 minuta para orarit zyrtar, këshilltarët e opozitës deklaruan se kishin marrë një njoftim përmes aplikacionit “WhatsApp” nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, ku bëhej me dije shtyrja e mbledhjes për një datë tjetër, me arsyetimin e mungesës së konfirmimeve për pjesëmarrje.
Këshilltarët opozitarë e cilësuan këtë vendimmarrje si të paprecedentë dhe jashtë praktikave institucionale, duke theksuar se verifikimi i kuorumit bëhet në sallën e mbledhjes dhe jo përmes komunikimeve paraprake. Ata ngritën gjithashtu shqetësim për praninë e Policisë së Shtetit, duke e konsideruar të pajustifikuar në këtë rast, pasi garantimi i rendit në institucionet vendore është kompetencë e Policisë Bashkiake, përveç rasteve kur kërkohet ndërhyrje specifike.
Banorët e Gjoricës dhe përfaqësues të opozitës qëndruan për rreth 40 minuta jashtë sallës së mbledhjes, përpara se të largoheshin.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja e datës 30 prill 2026 parashikonte shqyrtimin e disa projekt-vendimeve, kryesisht të lidhura me ndihmën ekonomike dhe mbështetje financiare për qytetarë në nevojë. Megjithatë, një ndër çështjet që pritej të ngjallte debat ishte kërkesa e një grupi këshilltarësh për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi, i akuzuar për shkelje të rënda të detyrës dhe tejkalim kompetencash, veçanërisht në procedurat e dëgjesave publike për dhënien e fondeve pyjore dhe kullosore për projekte fotovoltaike.
Ndërkohë, kundërshtimi i banorëve të Gjoricës ndaj projektit vijon prej muajsh. Ata pretendojnë se procesi i ndjekur për dhënien me qira të kullotave është shoqëruar me shkelje dhe mungesë transparence. Sipas një banori, gjithçka lidhet me një vendim të datës 17 janar 2024, përmes të cilit është miratuar dhënia me qira e një sipërfaqeje kullosore. Ai thekson se fillimisht banorëve u është komunikuar një sipërfaqe prej vetëm 1 hektari, ndërsa dokumentacioni zyrtar tregon për 42.5 hektarë, duke përfshirë pjesën më të madhe të kullotës së zonës.
Banorët e konsiderojnë këtë një mashtrim dhe theksojnë se kullota është burim jetese për familjet që merren me blegtori. “Çdo familje ka bagëti dhe kjo kullotë është jetike. Nëse merret, është njësoj si t’u marrësh jetën”, shprehen ata, duke paralajmëruar se do të kundërshtojnë çdo tentativë për nisjen e punimeve.
Dyshime janë ngritur edhe mbi vlefshmërinë e firmave në dokumentacion, ku sipas banorëve, disa prej emrave nuk i përkasin zonës, ndërsa të tjerë pretendohet se janë mashtruar mbi përmasat reale të sipërfaqes.
Banorët deklarojnë se do të vijojnë rezistencën, duke e cilësuar çështjen si jetike për mbijetesën e komunitetit dhe duke kundërshtuar çdo përpjekje për privatizimin e një pasurie që, sipas tyre, u përket të gjithëve.









