Rreth 500 mijë euro të paguara për gjyqe të humbura, Bashkia Bulqizë rrezikon edhe 1.4 milionë euro të tjera

465
Foto ilustrim e godinës së Bashkisë Bulqizë

Rreth 47 milionë lekë (afro gjysmë milioni euro) ka shpenzuar Bashkia Bulqizë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2016–mars 2026, ndërsa në total janë regjistruar rreth 85 çështje gjyqësore, pa përfshirë ato me natyrë sociale. Të dhënat bëhen publike në një përgjigje zyrtare, në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit”.

Sipas dokumentit, numri më i lartë i çështjeve është regjistruar në vitin 2016 me 31 procese gjyqësore, i ndjekur nga viti 2017 me 12 çështje. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me dëmshpërblime page, shfuqizim aktesh administrative dhe çështje pronësie, duke reflektuar problematika të vazhdueshme në administrimin e burimeve njerëzore dhe vendimmarrjen institucionale.

Në total, për periudhën 2016–2026, Bashkia ka likuiduar 47,111,265 lekë për vendime të formës së prerë, ku përfshihen detyrime kryesore, kamatëvonesa dhe shpenzime të tjera gjyqësore. Vitet me kostot më të larta rezultojnë 2019 dhe 2023, me mbi 10 milionë lekë secili, ndërsa shpenzime të konsiderueshme paraqiten edhe në vitet 2020 dhe 2021. Në të kundërt, vitet 2022 dhe 2026 kanë pasur kosto minimale.

Aktualisht, vetëm një çështje ndodhet në proces ekzekutimi nga përmbarimi.

Një pjesë e madhe e këtyre kostove lidhet me konfliktet e punësimit. Vetëm nga largimet nga puna dhe çështjet përkatëse, Bashkia ka paguar mbi 29 milionë lekë ose afro 300 mijë euro gjatë kësaj periudhe. Analiza e shifrave tregon një përputhje të dukshme me ciklet zgjedhore: vitet pas zgjedhjeve vendore dhe parlamentare – si 2016, 2017, 2019, 2021 dhe 2023 – shoqërohen me rritje të ndjeshme të detyrimeve financiare nga gjyqet, duke treguar se ndryshimet në administratë kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta në buxhet.

Infografikë e gjeneruar me ChatGPT, të dhënat: Bashkia Bulqizë

Nga shqyrtimi i disa vendimeve gjyqësore të analizuara nga Bulqizaime.al mbi çështjet e largimeve nga puna, rezulton se gjykatat kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur shkelje të procedurave administrative nga ana e institucionit. Në një sërë rastesh, vendimet për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës janë cilësuar të pabazuara në ligj, të marra në kundërshtim me procedurat përkatëse ose pa respektuar të drejtën e punonjësve për një proces të rregullt administrativ. Si pasojë, gjykatat kanë vendosur rikthimin në detyrë të punonjësve të larguar dhe dëmshpërblime financiare.

Ndërkohë, kostoja më e lartë e vetme e paguar nga bashkia rezulton të jetë 6.25 milionë lekë për një projekt rikonstruksioni të kanalit vaditës në fshatrat Gjuras dhe Kovashicë, e ekzekutuar në vitin 2023.

Paralelisht, institucioni përballet edhe me një çështje me risk të lartë financiar, e cila vijon të shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Apelit. Procesi lidhet me një aksident fatal të ndodhur në nëntor 2016 dhe përfshin kërkesa për dëmshpërblim në një vlerë totale prej 132,963,682 lekësh, ose rreth 1.4 milionë euro. Çështja është regjistruar që në vitin 2018 dhe ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Aksidenti që përbën bazën e një padie me vlerë rreth 1.4 milionë euro ndodhi mbrëmjen e 17 nëntorit 2016 në Bulqizë, ku një automjet tip kamionçinë doli nga rruga dhe ra nga ura në lumin e Bulqizës, në segmentin që lidh “Tre Çezmat” me fshatin Sopot. Në mjet udhëtonin tre persona; njëri prej tyre arriti të shpëtojë dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa dy të tjerët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra. Sipas të dhënave të kohës, drejtuesi i mjetit ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa një tjetër pasagjer, i transportuar me urgjencë drejt spitalit, nuk arriti të mbijetojë.

Pavarësisht kostove të konsiderueshme, në dokument theksohet se nuk janë identifikuar përgjegjësi administrative për humbjet në gjyq, ndërsa mungon edhe një analizë e mirëfilltë e riskut ligjor nga ana e institucionit.

Fondet e planifikuara ndër vite për përballimin e detyrimeve gjyqësore kanë qenë më të larta se sa shumat e paguara realisht. Në total, janë parashikuar mbi 73 milionë lekë në buxhet, ndërsa rreth 47 milionë lekë janë likuiduar, duke reflektuar një barrë të vazhdueshme financiare për Bashkinë Bulqizë nga proceset gjyqësore ndër vite.