Organizatat ndërkombëtare reagojnë për djegien e makinës së gazetarit Sami Curri: Thirrje për hetim të plotë dhe mbështetje

153
Foto e automjetit pas ngjarjes.

European Centre for Press and Media Freedom dhe rrjeti rajonal SafeJournalists Network kanë reaguar për djegien e automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, duke e dënuar incidentin dhe duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), një organizatë jofitimprurëse me seli në Leipzig të Gjermanisë, shprehu solidaritet të plotë me gazetarin Curri. Në reagimin e saj publik, ECPMF thekson se qëndron në mbështetje të tij, automjeti i të cilit u dogj në një ngjarje të dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme.

Organizata u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë rastin dhe të sjellin autorët përpara drejtësisë, ndërsa theksoi se është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje të nevojshme për gazetarin.

Ndërkohë, rrjeti SafeJournalists dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një zhvillim shqetësues për sigurinë e gazetarëve dhe klimën e lirisë së medias në vend. Sipas të dhënave paraprake, automjeti i Currit u përfshi nga flakët gjatë natës së 26 prillit 2026, ndërsa ishte i parkuar pranë banesës së tij në Bulqizë, dhe rasti po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme nën drejtimin e prokurorisë.

Vetë gazetari ka deklaruar për rrjetin se dyshon se sulmi lidhet me raportimet e tij të fundit dhe ato në vijim mbi abuzime të dyshuara në shkallë të gjerë me fondet publike, duke shtuar se ngjarja ka pasur ndikim serioz edhe te familja e tij.

SafeJournalists u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të zhvillojnë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur, që të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Sipas tyre, një reagim i qartë institucional është thelbësor për të parandaluar pandëshkueshmërinë dhe për të mbrojtur lirinë e medias.

Rrjeti gjithashtu u bëri thirrje zyrtarëve publikë, aktorëve të medias dhe palëve të tjera që të dënojnë pa ekuivok këtë akt dhe të shprehin solidaritet me gazetarin e shënjestruar.

Në reagime të tjera, organizata ndërkombëtare European Federation of Journalists dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë theksuan se çdo vonesë apo neglizhencë në trajtimin e rastit do të rriste pasigurinë dhe do të dërgonte sinjale negative për lirinë e medias në Shqipëri.

Sulmi ndaj gazetarit është raportuar gjithashtu në platformën e Council of Europe Platform for the Protection of Journalism dhe është dokumentuar nga mekanizmi i reagimit të shpejtë për lirinë e medias, Media Freedom Rapid Response.

Ngjarja e ndodhur në Bulqizë, e konsideruar gjerësisht si një akt intimidimi ndaj gazetarisë investigative, ka nxitur reagime të forta nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, duke e kthyer rastin në një provë të rëndësishme për institucionet shqiptare në garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.