
OSCE përmes Zyrës së Përfaqësuesit për Lirinë e Medias ka reaguar lidhur me djegien e automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, duke e cilësuar ngjarjen si shqetësuese dhe të lidhur me punën e tij investigative.
Në një deklaratë publike, institucioni ndërkombëtar thekson se sulmi i fundit me zjarr ndaj makinës së gazetarit të medias lokale “Bulqizaime.al”, i raportuar si i lidhur me aktivitetin e tij profesional, ngre shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve dhe klimën e lirisë së medias në Shqipëri.
OSBE mirëpriti reagimin e shpejtë të autoriteteve shqiptare për nisjen e një hetimi të menjëhershëm, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të ngjarjes. “Presim identifikimin në kohë dhe ndjekjen e duhur penale të atyre që mbajnë përgjegjësi,” thuhet në reagim.
Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, e drejtuar nga Jan Braathu, ka një mandat të posaçëm për monitorimin e zhvillimeve që lidhen me median në vendet anëtare dhe për mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet dhe presionet.
Reagimi i OSBE-së vjen në një kohë kur organizata të shumta vendase dhe ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, duke e konsideruar rastin e Currit si një sinjal të fortë për nevojën e reagimit institucional dhe garantimin e lirisë së shprehjes.
Djegia e automjetit të gazetarit në Bulqizë, e dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme, është parë gjerësisht si një akt intimidimi ndaj gazetarisë investigative dhe një provë për institucionet në mbrojtje të fjalës së lirë dhe shtetit të së drejtës.








