Sulmi me vezë ndaj Ramës, tetë studentët dënohen me dy muaj burg

232

Gjykata Penale e Tiranës shpalli sot fajtorë tetë studentët që goditën me vezë Kryeministrin Rama.

Tetë studentët akuzoheshin për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Ata  janë dënuar me dy muaj burg, masë që do të konvertohet në 60 orë punë në shërbim të komunitetit. Studentët do të paguajnë dhe shpenzimet e gjykimit.

Studentët e “Lëvizjes për Universitetin”, në shenjë proteste për ligjin e arsimit të lartë, qëlluan me vezë makinën e Kryeministrit Rama në nëntor të vitit 2015.

Gjatë seancave gjyqësore, drejtuar nga gjykatësi Arben Micko, Kryeministri Rama nuk ka dëshmuar asnjëherë.

Vendimi i gjykatës u mbështet mbi këto përfundime të hetimeve:

  • Punonjësit e policisë, të cilët ishin në vendngjarje, nuk arritën të identifikojnë, të paktën një student, si autor të pretenduar se ka goditur me vezë.
  • Si provë materiale u sekuestruan mbetjet e një kokërr veze, ndërkohë që nën akuzën e goditjes u përfshinë tre studentë.
  • Katër prej dëshmitarëve të akuzës, pjesë e efektivëve të policisë së rendit, nënshkruan dëshmi të njëjta.
  • Forcat e policisë ushtruan kontroll të paautorizuar në banesat e studentëve dhe, sipas një akt-ekspertize, mbi disa prej tyre u ushtrua dhunë.