Sot seanca e fundit e Kuvendit, mungon opozita

266

Ditën e sotme zhvillohet seanca e fundit plenare për Legjislaturën e VIII-të, që shënon dhe shpërndarjen e parlamentit aktual për t’i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, nga ku do dalin 140 deputetët e rinj. Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon mes të tjerash miratimin e projektvendimit për “Për mbylljen e Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit”, ndërsa në rend dite janë për diskutim dhe disa projekt-ligje, si ai “Për peshkimin”, “Për zonat e mbrojtura”, ratifikimi i dy marrëveshjeve me palën gjermane për projekte në infrastrukturë, etj.

Seanca e fundit e këtij parlamenti do të mbyllet pa praninë opozitës. Maxhoranca dhe opozita nuk e kanë gjetur gjuhën e kompromisit pavarësisht negociatave prej ditës mes palëve. Prej më shumë se 70 ditësh, opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike si dhe garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe takimi i djeshëm, në Presidencë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha nuk prodhoi një marrëveshje për futjen e opozitës ne zgjedhje.