Shtyrjet mbajnë sërish peng gjyqet për Dosjen 184

421
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Pas zhvillimit të disa seancave normale në dy proceset për “Dosjen 184” dhe leximit të pretencës në njërin prej tyre, gjyqet u janë rikthyer shtyrjeve. Në dy seanca radhazi që ishin planifikuar të martën, gjykimi u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës Gentjan Rumano dhe ndërrimit të avokatit në njërin prej proceseve.

Në procesin me të pandehur Drini Gjecin, ish-drejtor i zyrës së arsimit dhe Nuri Medën, ish-administrator i njësie lokale gjatë seancës u mësua se të pandehurit kishin ndërruar avokat. Avokati i ri Gentjan Sadiku kërkoi kohë nga gjykata që të njihej me aktet dhe me kërkesën e Prokurorisë- kërkesë e cila u pranua. 

Tre seanca më parë prokurori i Dibrës, Urim Buci ka kërkuar dënimin me nga 3 vite burg për të dy të pandehurit, ndërsa tha se në zbatim të gjykimit të shkurtuar për të dy të akuzuarit ky dënim ulej në 2 vjet. Prokurori kishte kërkuar pezullim e dënimit, meqenëse të pandehurit nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore – të vendoseshin në provë për një periudhë kohe prej tre vitesh dhe ndalimi për të kryer detyra dhe marrë funskione publike, po për dy vjet. Seanca e radhës edhe për këtë çështje është vendosur për në datën 1 qershor 2022.

Në seancën paralele mungonte i pandehuri Robert Aga, ish drejtues i komisariatit të Policisë së Dibrës, gjithashtu edhe avokati mbrojtës, Gentjan Rumano. Avokati nuk kishte paraqitur para gjykatës arsyet e mungesës. I pranishëm ishte i pandehuri tjetër, Hasan Hotit ish-administrator i Lurës. 

Në këtë proces të dytë ka përfundur dëgjimi i dëshmitarëve thirrur nga të pandehurit. Gjyqtarja Nertila Kape vendosi që në mungesë të Agës dhe avokatit mbrojtës, të përsëritet edhe një herë njoftimi, duke vendosur shtyrjen e seancës për në datën 1 qershor. 

E çuar për gjykim në dhjetor të vitit 2020, për këtë çështje janë zhvilluar afro 40 seanca gjyqësore. Në gjysmën e seancave shkak për shtyrjen e seancave është bërë mungesa e avokatëve.

Procesi i filluar pas përgjimeve të vitit 2016 në të cilën të pandehurit angazhohen të ndihmojnë kandidatin e Partisë Socialiste duke përdorur postin që mbanin. Pas zvarritjes për vite me rradhë të hetimit, për mbi një vit çështja zvarritet në gjykatë.