Shorti i E.League, spikat Anderleht-Junajtid dhe Ajaks-Shalke

228

Mançester Junajtid është skuadra pretendente për të triumfuar në Europa League, ndërsa “Djajtë e Kuq” janë ndihmuar edhe nga shorti në Nion, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste të turneut.

Skuadra e Jose Mourinhos do të ketë në rrugën e saj Anderlehtin, në një duel ku niset si superfavorite, falë yjeve si Zlatan Ibrahimoviç e Paul Pogba, por ku duhet patur kujdes pasi belgët kanë eliminuar në rrugën e tyre Apoelin dhe Zenitin.

Pas eliminimit në turet e kaluara të skuadrave si Roma, Vilarreal, Shakhtar Donetsk dhe Atletic Bilbao ekipi për t’u mposhtur mbetet Mançester Junajtid, që në letër ka një skuadër shumë më cilësore se rivalet e tjera.

Përveç gjigandëve anglez, një tjetër aspirante për trofeun e Europa League është Lion. Shorti i vendosi francezët përballë turqve të Beshiktash, në një duel që do të jetë spektakolar për futbollin që praktikojnë dy skuadrat.

Përballje ndërmjet dy emrave të mëdhenj edhe ai ndërmjet Ajaks dhe Shalke. Një tjetër duel tejet interesant ai i shkollës holandeze përballë “bluve mbretërorë”, që janë jashtë çdo objektivi në Bundesligën gjermane dhe kërkojnë të shpëtojnë sezonin.

Spanjollët e Selta Vigo do të sfidojnë një tjetër skuadër belge, Genkun, që triumfoi në derbin përballë Gent.

Ndeshjet çerekfinale të Europa League do të luhen në datat 13 dhe 20 Prill, me emocionet e rrugës drejt finales së 24 majit në Stokholm që si zakonisht do të vijnë live dhe ekskluzivisht në Supersport.

Europa League/ Çerekfinalet

Anderlecht – Manchester United

Celta Vigo – Genk

Ajax – Schalke

Lyon – Besiktas