Një vit pas zbulimit që bëri jehonë botërore, varri monumental në Bulqizë pret rikthimin e arkeologëve

268
Varri monumental i ndërtuar gjatë periudhes romake, Bulqizë, zbuluar në shtator 2025

Kur u zbulua në shtator të vitit 2025, varri monumental i periudhës romake në fshatin Strikçan të Bulqizës u cilësua si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit në Shqipëri. Monumenti, me përmasa rreth 9 me 6 metra, përmbante një dhomë funerare ku u gjet skeleti i një personi të identifikuar nga mbishkrimi si Gelliano, një mbishkrim dygjuhësh ku përmendet edhe perëndia Jupiter, si dhe fragmente tekstilesh të thurura me fije ari, elemente që sipas arkeologëve dëshmonin statusin e lartë të personit të varrosur dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të monumentit.

Zbulimi nuk mori vëmendje vetëm në Shqipëri. Ai u pasqyrua edhe nga media ndërkombëtare dhe portale të specializuara të arkeologjisë e trashëgimisë kulturore, duke e vendosur për herë të parë Bulqizën në qendër të diskutimeve shkencore. Për disa javë, qyteti u përmend jo për minierat e kromit, por për një monument që premtonte të hapte një kapitull të ri në studimin e historisë së Dibrës dhe të Shqipërisë.

Në atë kohë u fol për një projekt pesëvjeçar kërkimor, për potencialin e jashtëzakonshëm arkeologjik të Luginës së Bulqizës dhe për mundësinë që kjo zonë të fitonte një identitet të ri kulturor e turistik. Vetë drejtuesit e projektit deklaruan se zbulimi ishte vetëm fillimi dhe se kërkimet do të shtriheshin në një sipërfaqe shumë më të gjerë.

Sot, gati një vit më vonë, panorama në terren është krejt tjetër. Monumenti është mbuluar sërish me dhe dhe nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se nën tokë ndodhet një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit. Për këdo që kalon pranë vendit ku u kryen gërmimet, është e pamundur të kuptojë rëndësinë e asaj që fshihet nën sipërfaqe.

Pas një kërkese për informacion drejtuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucioni konfirmon për Bulqizaime.al se projekti nuk është ndërprerë dhe se ekspedita arkeologjike do të vijojë edhe gjatë vitit 2026. Megjithatë, përgjigjja zyrtare nxjerr në pah edhe një fakt tjetër: një vit pas zbulimit, monumenti ende nuk është shpallur “Monument Kulture”.

“Deri në këtë moment nuk është shpallur monument kulture. Instituti i Arkeologjisë asiston me përgatitjen e dosjes, ndërsa institucioni përgjegjës për shpalljen e statusit është Ministria përgjegjëse e kulturës.”

Akademia sqaron se, edhe pa këtë status, monumenti konsiderohet pasuri kulturore dhe pronë e shtetit shqiptar sipas legjislacionit në fuqi.

Siti arkeologjik i zbuluar në afërsi të fshatit Strikçan në Bulqizë. Foto: Sami Curri.

Pse u mbulua monumenti?

Një nga pyetjet që ka shoqëruar zbulimin gjatë muajve të fundit lidhet me faktin se monumenti u mbulua menjëherë pas përfundimit të fazës së parë të kërkimeve.

Akademia e Shkencave shpjegon se kjo nuk përbën një tërheqje nga projekti, por është një procedurë standarde konservimi që zbatohet gjerësisht në arkeologji.

“Procesi i rimbulimit kryhet për arsye konservimi paraprak në mënyrë që të mos depërtojë lagështia apo të dëmtohet fizikisht monumenti nga aktiviteti njerëzor apo kushtet klimatike.”

Sipas institucionit, mbi strukturën është vendosur fillimisht një shtresë gjeotekstili dhe më pas është hedhur dheu i nxjerrë gjatë gërmimeve. Është rivendosur gjithashtu edhe një element arkitektonik që ishte zhvendosur nga gërmimet ilegale. Restaurimi dhe hapja e sitit për vizitorët, sipas Akademisë, kërkojnë studime dhe projekte të posaçme që nuk mund të realizohen menjëherë.

Premtimi për rikthim dhe studimet shkencore

Në përgjigjen zyrtare, Akademia konfirmon se projekti shumëvjeçar nuk është pezulluar.

“Po, projekti është aktiv dhe do të realizohet një ekspeditë arkeologjike në terren edhe në vitin 2026. Do të realizohen vëzhgime arkeologjike, sondazhe dhe gërmime.”

Megjithatë, institucioni nuk jep një datë konkrete për rikthimin në terren. Në përgjigje thuhet se, aktualisht po përgatitet dokumentacioni për marrjen e lejes nga ministria përgjegjëse, ndërsa datat e sakta të ekspeditës nuk bëhen publike për të shmangur ndërhyrjet e paligjshme në sit.

Një tjetër pritshmëri lidhet me rezultatet e analizave mbi mbishkrimin ku përmendet Gelliano dhe perëndia Jupiter, tekstilet me fije ari dhe objektet e tjera të zbuluara brenda monumentit.

Por edhe këtu përgjigjja është se procesi kërkon ende kohë.

“Procesi i dokumentimit shkencor… është aktualisht në fazën e studimit të thelluar që përfshin analiza arkeometrike, antropologjike, restaurime etj.”

Sipas Akademisë, rezultatet paraprake janë prezantuar në konferencën ndërkombëtare “Viti Arkeologjik 2025”, ndërsa publikimet e plota do të bëhen vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha analizat shkencore.

Në përgjigjen e saj, Akademia pranon se kërcënimi kryesor për sitin nuk lidhet me mungesën e fondeve apo me ecurinë e projektit, por me ndërhyrjet e paligjshme.

“Problemi kryesor ka të bëjë me ndërhyrjet ilegale të gërmuesve klandestinë… dhe rreziku për dëmtimin e mëtejshëm vazhdon të jetë ekzistent në mungesë të një rrethimi dhe mbrojtjeje të zonës.”

Varri monumental i ndërtuar gjatë periudhes romake, Bulqizë

Një potencial ende i pashfrytëzuar

Varri monumental nuk është e vetmja dëshmi e rëndësishme historike në këtë trevë. Që në vitet ’70, mësuesi i popullit Selim Alliu kishte identifikuar në zonë fragmente mozaikësh dhe një çekan eneolitik, ndërsa studiuesit e konsiderojnë Luginën e Bulqizës një nyje të rëndësishme komunikimi të lashtësisë, e banuar nga periudha prehistorike deri në kohët moderne.

Bulqiza ruan gjithashtu kala mesjetare si ato të Krajkës, Valikardhës dhe Kojavecit, kisha të hershme, ura historike dhe gjurmë të rrugëve antike. Pikërisht për këtë arsye, zbulimi i Strikçanit u konsiderua jo si një rast i izoluar, por si fillimi i një projekti që mund të ndryshojë njohuritë mbi historinë e gjithë kësaj lugine.

Megjithatë, për ta kthyer këtë potencial në një aset kulturor dhe turistik do të duhet ende kohë. Akademia pranon se nuk ka një plan të miratuar për menaxhimin e sitit, ndërsa ideja për krijimin e një muzeu apo qendre në Bulqizë mbështetet vetëm në parim dhe mbetet në dorën e institucioneve përgjegjëse, konkretisht bashkisë dhe ministrisë.

REKLAMË