Rruga Tiranë-Elbasan, qeveria gjen edhe 35 mln $ për të mbyllur projektin

308

Qeveria ka dërguar në Parlament marrëveshjen e kredisë që përmbyll plotësisht financimin e rrugës Tiranë-Elbasan duke i dhënë fund sagës disavjeçare të kësaj vepre.

Marrëveshja parashikon marrjen e një kredie tjetër prej 35 milionë e 174 mijë dollarë amerikanë nga Banka Islamike e Zhvillimit, e cila do të përdoret për të financuar koston shtesë të dalë mbi projektin fillestar.

Sipas relacionit shoqërues të marrëveshjes, bashkë me kredinë e re kostoja totale e rrugës me gjatësi 27 kilometra shkon 335.2 milionë dollarë amerikane, ose 35.1 milionë dollarë më shumë nga sa ishte parashikuar në projektin fillestar.

Punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan nisën në vitin 2011. Fillimisht ishte parashikuar që autostrada të përfundonte brenda vitin 2014. Por gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme për shkak të rrëshqitjes së dheut në një zonë me gjatësi 4 kilometër rreth Ibës dhe Mulletit.

Kapërcimi i kostos mbi vlerën fillestare të tenderuar dhe problemet financiare të kompanisë ndërtuese e zvarritën ndërtimin e rrugës për më shumë se 3 vjet.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar me kredinë e re, financimi i rrugës përmbyllet plotësisht dhe pritet që brenda qershorit të inaugurohet njëri prej segmenteve, ndërkohë që në tërësi, rruga pritet të përfundojë brenda muajit shtator të këtij viti.

/ Top Channel