Rreziku nga mbetjet spitalore, në Bulqizë perzihen me plehrat

409

Administrimi i mbetjeve spitalore është një ndër çështjet e shumta që bashkon fuqishëm shqetësimin për shëndetin e popullatës dhe rëndësinë për të mbrojtur mjedisin.

Ndonëse jemi mësuar të shohim kudo në ambjente të hapura mbeturina të përdorimit të përditshëm, në hyrje të qytetit të Bulqizës është pamje krejt tjetër. Nga një ndalesë rastësore në afërsi të qytetit vumë re mbetje spitalore, transmeton Bulqiza Televizion.

Shishe plastike të mbushura me mbeturina të ndryshme të përdorimit në spitale, i gjen lehtë në këtë zonë. Përmbatja e tyre është vërtetë e frikshme, duke qenëse ato janë edhe të hapura.

Ende nuk dihet se nga kush janë hedhur këto mbetje spitalore, por drejtues të spitalit të Bulqizës, mohojnë të jenë të tyret. Drejtori i këtij spitali fajëson ambulancat dhe qendrat shëndetësore të shpërndara në njësitë e Bulqizës, ku sipas tij, më pas i hedhin në këto ambjente të hapura. Ndërkaq, mbetjet spitalore të Bulqizës, sipas drejtuesve të spitalit transportohen në Lezhë ku dhe asgjësohen.

Prezenca e këtyre mbetjeve në ambjent të hapur, është një rrezik i madh qoftë për fëmijët që lozin apo kërkojnë krom aty pranë, qoftë edhe për bagëtinë që kullotin në atë zonë.