Rama nuk është “Qytetar nderi” në Dibër

982

Në media qarkulloi lajmi se Kryeministri Edi Rama, kishte refuzuar titullin “Qytetar nderi” të dhënë nga Këshilli Bashkiak Dibër. Në një reagim të shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e Kryeministrit deklaroi se Rama e ka refuzuar titullin, me motivin:

“Kryeministri Rama ka qenë, mbetet dhe do të jetë gjithmonë kundër titujve honorifike për politikanët në detyrë. Duke falënderuar të gjithë ata që mund të jenë nisur për mirë, Kryeministri Rama e refuzon titullin e qytetarit të nderit, dhënë sot nga Bashkia Dibër”, deklaron Kryeministria.

Pyetur nga bulqizaime.al, anëtarët e Këshillit Bashkiak Dibër, deklarojnë se nuk është miratuar shpallja e Kryeministrit Rama si “Qytetar nderi” në Dibër. Këshilltari i pavarur, Astrit Ademi ka propozuar emrin e Kryeministrit Rama, me motivacionin për dhënie kontributi në ndërtimin e Rrugës së Arbërit; kjo krahas edhe propozimeve të tjera për titullin “Qytetar nderi”, të figurave të shquara dibrane që janë bërë nga këshilltarët e tjerë.

Të gjitha propozimet janë miratuar që të jenë në rendin e ditës, por jo që të miratohet vendimi për dhënien e titullit. Lajmi që ka qarkulluar në media që Kryeministri Rama është shpallur “Qytetar nderi” në Dibër është i pa vërtetë, pasi këtë duhet ta vendos Këshilli Bashkiak Dibër.

Neni 16 dhe 17 të ligjit nr. 112/2013 për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë, përcakton edhe procedurat e dhënies së titullit “Qytetar nderi”.

Titulli “Qytetar nderi” i jepet nga këshilli bashkiak çdo personaliteti shqiptar ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të bashkisë përkatëse ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të saj.

Çdo autoritet përgjegjës për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve ose titujve vendorë të nderit krijon pranë tij një komision këshillimor, të përbërë prej 5 anëtarësh, ku 3 anëtarë duhet të jenë punonjës nën varësinë e tij dhe 2 anëtarët e tjerë personalitete të jashtme.