Protestë në Klos kundër reformës territoriale: “Mos na hiqni bashkinë”

473
Banorët e Klosit në protestë për të kundërshtuar projektin e ri të reformës administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Foto: Sami Curri

Qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të Klosit për të kundërshtuar projektin e ri të reformës administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Protesta u zhvillua me pjesëmarrjen e banorëve, administratës së bashkisë Klos dhe ish-drejtuesve vendorë, të cilët kërkuan ruajtjen e statusit të bashkisë më vete.

Protestat nisën që në orët e paradites, kur edhe administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimit të propozuar.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit deklaruan se kundërshtimi nuk lidhet me përkatësi politike, por me ruajtjen e identitetit dhe funksionimit të njësisë vendore. Ata argumentuan se Klosi ka potencial ekonomik dhe burime të mjaftueshme për të vijuar si bashki më vete, duke përmendur ndikimin e Rrugës së Arbrit, zhvillimin e turizmit, burimet natyrore dhe aktivitetet ekonomike në zonë.

“Jemi mbledhur sot jo për të kërkuar lëmoshë, por për të kërkuar drejtësi. Kjo është fillimi. Ne nuk duhet të ndalemi në kërkim të të drejtave tona historike”, tha një prej pjesëmarrësve, duke theksuar se Klosi ka nisur të zhvillohet pas përfundimit të Rrugës së Arbrit.

Sipas tij, zona ka burime të rëndësishme ekonomike, duke përmendur hidrocentralet, minierat, bizneset dhe zhvillimin e turizmit rural. “Këtu nuk bëhet lufta politike e majtë apo e djathtë. Këtu bëhet për jetëgjatësinë e njësisë organizative të Bashkisë sonë”, u shpreh ai.

Sipas të dhënave zyrtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nga INSTAT, Bashkia Klos numëron gjithsej 12,172 banorë të resident. Kjo me një ulje nga Censusi i vitit 2011 ku numëronte 16,618 banorë. Sa i përket organizimit aktual administrativ, Bashkia Klos përbëhet nga 4 Njësi Administrative: Klos (qendra e bashkisë), Gurrë, Suç dhe Xibër.

Një tjetër qytetar ngriti shqetësimin për largësinë që do të krijojë bashkimi me Matin, duke argumentuar se marrja e shërbimeve në Burrel do të rrisë kostot për banorët. “Për të marrë shërbimet tona si fermer, për të shkuar në Burrel, sa më kushton? Pesëfish më kushton. Unë jo shërbimet, por të drejtat e mia për t’i kërkuar atje, nuk shkoj dot”, tha ai.

Propozimi i PS për njësitë vendore në qarkun Dibër

Në protestë morën pjesë edhe ish-kryetarë të Bashkisë Klos. Ish-kryetari dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Hoxha, u bëri thirrje banorëve që të bashkohen përtej bindjeve politike kundër shkrirjes së bashkisë.

“Unë i bëj thirrje socialistëve, demokratëve, legalistëve, pa dallim ngjyrash politike. Po u hoq Bashkia e Klosit, ne nuk do të ekzistojmë më në hartë”, deklaroi Hoxha. Sipas tij, reforma e propozuar nuk është një reformë reale, por një bashkim mekanik i bashkive.

Ai kritikoi edhe reformën territoriale të vitit 2014, duke thënë se premtimet për më shumë shërbime nuk u realizuan. “Rezultati tregoi që jo vetëm Klosi, jo vetëm Mati, por reforma qe e dështuar. U larguan shërbimet ndaj qytetarëve, u larguan njerëzit dhe sot rinia ka ikur”, tha Hoxha.

Ish-kryebashkiaku kërkoi që kundërshtimi të kalojë edhe në rrugë ligjore. Duke iu referuar nenit 108 të Kushtetutës, ai kërkoi mbledhjen e firmave të banorëve për t’iu drejtuar institucioneve dhe, nëse do të jetë e nevojshme, Gjykatës Kushtetuese.

“Protestat mbeten në kuadrin e reklamës dhe mediatizimit të çështjes, por duhet të gjejmë zgjidhje. Duhet të mbledhim firmat e çdo kryefamiljari dhe t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim që mund të merret”, u shpreh Hoxha.

Edhe ish-kryetari i Bashkisë Klos për periudhën 2015-2019, Basir Çupa, kundërshtoi projektin, duke argumentuar se territori i Klosit është kompakt dhe se bashkimi me një bashki më të madhe do të sjellë rritje të burokracisë.

“Me shkrirjen e bashkisë, unë mendoj se ky është një projekt i gabuar. Përqendrimi i shërbimeve në një bashki të madhe nuk sjell atë që kërkojnë qytetarët, një shërbim më të shpejtë dhe më efikas, por rrit burokracinë”, tha Çupa.

Ndërkohë, qytetarë të tjerë kërkuan mbështetjen e komunitetit dhe bizneseve lokale për të kundërshtuar ndryshimin. Ata paralajmëruan se largimi i institucioneve vendore mund të ndikojë në ekonominë lokale dhe në largimin e mëtejshëm të banorëve.

Protesta në Klos vjen pas depozitimit në Kuvend të projektligjit për reformën e re administrativo-territoriale nga Partia Socialiste. Sipas draftit, Qarku Dibër do të kalojë nga katër bashki aktuale në tre njësi vendore: Dibër, Bulqizë dhe Mat, ndërsa Klosi do të ruajë statusin e qytetit, por jo atë të bashkisë më vete.

Projektligji pritet të diskutohet në vijim në Kuvend, ndërsa kundërshtimi në Klos pritet të vijojë me forma të tjera organizimi nga komuniteti dhe përfaqësuesit vendorë.

REKLAMË