UK Dibër përgënjeshtron videon me gjarprin në Zërqan: “Depozita është jashtë përdorimit prej vitesh”

468
Screenshot nga reagimi zyrtar i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër Sh.a., e cila e cilëson videon e publikuar për Zërqanin si të pavërtetë dhe pretendon se depozita e shfaqur është jashtë funksionit prej disa vitesh.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër Sh.a. ka reaguar pas publikimit nga Bulqizaime.al të pamjeve ku shfaqej një gjarpër brenda një depozite uji në Zërqan, duke mohuar që objekti i filmuar të jetë pjesë e sistemit aktual të furnizimit me ujë të pijshëm.

Në një reagim zyrtar të publikuar në rrjetet sociale, UKD Dibër deklaron se pretendimi se depozita furnizon me ujë banorët e Njësisë Administrative Zërqan është “tërësisht i pavërtetë”. Sipas kompanisë, depozita e shfaqur në video është jashtë funksionit dhe përdorimit prej disa vitesh.

UKD sqaron se objekti ndodhet brenda perimetrit të zonës së ujësjellësit të fshatit, pasi pozicionohet në vijë të drejtë me rrjetin dhe shpërndarësin aktual të ujit. Për këtë arsye, sipas saj, prania e depozitës në atë zonë nuk do të thotë se ajo është pjesë e sistemit funksional.

“Kjo depozitë nuk është pjesë e sistemit funksional të furnizimit me ujë të pijshëm dhe nuk furnizon me ujë asnjë banor të zonës”, thuhet në reagimin e UKD Dibër.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime u bën thirrje banorëve të mos shqetësohen nga informacionet që i konsideron të pasakta dhe njofton se po ndërmerr hapa ligjorë dhe administrativë ndaj portaleve, mediave apo subjekteve që kanë publikuar dhe shpërndarë materialin.

Nga ana tjetër, Bulqizaime.al e publikoi videon pas një denoncimi të ardhur nga banorët e Zërqanit, të cilët pretenduan se objekti i filmuar lidhej me furnizimin me ujë të zonës. Pamjet tregojnë një gjarpër brenda një strukture betoni të mbushur me ujë.

Megjithatë, reagimi i UKD-së lë pa përgjigje disa prej pyetjeve kryesore që lidhen me sigurinë dhe kontrollin e sistemit të furnizimit me ujë në Zërqan. Nëse depozita e filmuar është jashtë funksionit prej vitesh, cili është sistemi aktual që furnizon banorët dhe në çfarë kushtesh sanitare funksionon ai.

Bulqizaime.al mëso nga burime zyrtare se ky ujësjellës rezulton të jetë jo i çertifikuar nga organet e shëndetësisë për tu përdorur për konsum. Për më tepër, për punimet apo ndërhyrjet që po kryhen në këtë zonë, nuk ka asnjë njoftim apo praktikë pranë strukturave përkatëse shëndetësore, duke lënë mënjanë kryerjen e analizave të detyrueshme apo procedurat e tjera standarde të sigurisë dhe shëndetit publik.

Videoja dhe fotot e publikuara nga Bulqizaime.al janë sjellë në redaksi nga disa banorë të zonës, të cilët kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës së ujësjellësit në Zërqan. Të kontaktuar nga redaksia, ata kanë deklaruar se gjendja e objektit është totalisht jashtë standardeve, duke iu referuar jo vetëm pranisë së gjarprit në depozitë, por edhe mënyrës së rrethimit, mbrojtjes së burimit dhe punimeve të tjera që, sipas tyre, po kryhen në kushte të papërshtatshme dhe “…sa për të larë gojën”.

REKLAMË