Komisioneri gjobit me 50 mijë lekë administratorin e UKD-së, Erger Kosiqi për mungesën e Programit të Transparencës

474
Në të majtë: logoja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Në të djathtë: ish-ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndaj së cilës SPAK ka ngritur akuza për disa vepra penale, dhe administratori i UKD-së, Erger Kosiqi - kjo gjatë një takimi në Maqellarë.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur me 50 mijë lekë administratorin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër Sh.a., Erger Kosiqi, për moszbatimin e detyrimeve ligjore lidhur me Programin Institucional të Transparencës.

Vendimi nr. 49, datë 26 dhjetor 2025, është marrë pas një procesi monitorimi dhe hetimi administrativ ndaj Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër. Komisioneri ka konstatuar se shoqëria nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor për të vënë në dispozicion dhe përditësuar të gjitha kategoritë e informacionit që duhet të publikohen pa kërkesë në Programin e Transparencës.

Çështja kishte nisur pas Rekomandimit nr. 15, datë 29 tetor 2024, përmes të cilit Zyra e Komisionerit i kishte kërkuar UKD-së të vinte në zbatim, publikonte, pasqyronte, përditësonte dhe ndërlidhte në Programin e Transparencës të gjitha kategoritë e informacionit të detyrueshëm për publikim. Për këtë ishte lënë një afat prej 90 ditësh.

Pas përfundimit të afatit, monitorimi i Komisionerit konstatoi se Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër nuk kishte faqe zyrtare në internet dhe nuk kishte publikuar Programin Institucional të Transparencës sipas kërkesave ligjore.

Për shkak të këtyre konstatimeve, më 24 tetor 2025 Komisioneri urdhëroi zhvillimin e një hetimi administrativ për të verifikuar nëse shoqëria kishte përmbushur detyrimet e përcaktuara në rekomandimin e vitit 2024. Më 4 nëntor 2025, grupi i punës i Zyrës së Komisionerit u paraqit pranë UKD-së dhe zhvilloi verifikimet përkatëse.

Nga hetimi rezultoi se, edhe pas ndërhyrjeve të bëra nga shoqëria, nuk ishte përmbushur detyrimi për publikimin dhe përditësimin e të gjitha kategorive të informacionit në Programin Institucional të Transparencës. UKD kishte njoftuar se ishte lidhur kontrata për funksionalizimin e faqes zyrtare dhe më pas ishte hapur faqja shuk.al/diber, por Komisioneri konstatoi se edhe në këtë faqe nuk ishte zbatuar Programi i Transparencës.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 24 dhjetor 2025, administratori Erger Kosiqi, në cilësinë e personit përgjegjës, u paraqit pranë Zyrës së Komisionerit. Sipas vendimit, ai argumentoi se rekomandimi nuk ishte zbatuar për shkak të vendimmarrjes që i takonte Këshillit Mbikëqyrës dhe mungesës së fondeve të mjaftueshme për hapjen e një faqeje të dedikuar. Megjithatë, gjatë seancës u verifikua se faqja zyrtare tashmë ishte hapur, por Programi i Transparencës nuk ishte vënë në zbatim.

Komisioneri ka vlerësuar se përgjegjësia për vënien në zbatim dhe përditësimin e Programit Institucional të Transparencës i takon titullarit të autoritetit publik. Në vendim theksohet se e drejta për informim është e garantuar nga neni 23 i Kushtetutës dhe se Programi i Transparencës është një nga instrumentet kryesore për garantimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike.

Sipas ligjit për të drejtën e informimit, mosvënia në zbatim e Programit Institucional të Transparencës përbën shkelje administrative dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Në rastin e UKD-së, Komisioneri vendosi masën minimale prej 50 mijë lekësh, duke marrë parasysh edhe faktin se personi përgjegjës nuk ishte përsëritës në këtë shkelje dhe duke zbatuar parimin e proporcionalitetit.

Përveç gjobës ndaj administratorit, vendimi i Komisionerit e detyron Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër të vërë në zbatim, publikojë, pasqyrojë, përditësojë dhe ndërlidhë Programin e Transparencës në përputhje me ligjin.

Pavarësisht vendimit të Komisionerit, UKD vijon edhe sot të ketë mangësi në transparencë. Në faqen zyrtare të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër nuk rezulton i përditësuar Programi i Transparencës në përputhje me kërkesat dhe udhëzimet e Komisionerit. Dokumenti i publikuar përcakton vetë detyrimin e shoqërisë për ta rishikuar dhe përditësuar programin sa herë që ndryshojnë struktura organizative, kuadri ligjor apo fushat e aktivitetit, si dhe për të garantuar që informacioni të jetë i plotë, i saktë dhe i përditësuar. Megjithatë, në faqen e SHUK Dibër nuk gjenden përditësime që të pasqyrojnë këto kërkesa dhe kategoritë e informacionit që duhet të publikohen pa kërkesë, përfshirë të dhënat mbi buxhetin, prokurimet, shërbimet, regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve dhe mekanizmat e kontrollit.

15 ankesa për refuzim informacioni

Vendimi për transparencën vjen në një kohë kur UKD është përballur edhe me një numër ankesash pranë Zyrës së Komisionerit për të drejtën e informimit.

Në një përgjigje të dërguar së fundmi Bulqizaime.al, Zyra e Komisionerit informon se nga shtatori 2022 deri në vitin 2026 ka administruar 15 ankesa ndaj Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër me objekt refuzimin e dhënies së informacionit dhe kopjeve të dokumenteve zyrtare.

Nga 12 ankesat e administruara gjatë vitit 2023, pesë rezultuan të paplota, në një rast ankuesi u tërhoq pasi informacioni iu vu në dispozicion, ndërsa për gjashtë ankesat e tjera Komisioneri mori vendime urdhërimi për vënien në dispozicion të informacionit të kërkuar.

Gjatë vitit 2024 është marrë gjithashtu një vendim për vendosjen e një sanksioni administrativ ndaj administratorit të UKD-së për moszbatimin e një vendimi të Komisionerit. Ndërkohë, në vitin 2026 janë administruar edhe tre ankesa të tjera, një prej të cilave është mbyllur pasi informacioni iu vu në dispozicion ankuesit, ndërsa dy vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.

REKLAMË