Protesta e 7 Majit, Forcat e Antiterrorit dhe FNSH zbarkojnë në Kavajë

448

Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshem në Kavajë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për monitorimin e tyre.

Komisariati vendor Kavajë në bazë të detyrave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor në udhëzimin Nr.7, ka planifikuar punonjësit e policisë që do të shpërndahen në qendrat e votimit për të ruajtur materialet zgjedhore gjatë të shtunës në mbrëmje

Përveç masave normale që policia merr në raste zgjedhjesh, duke qenë se në 7 maj pritet të mbahet dhe një proteste e opozitës në Kavajë, policia po përpunon të dhënat për të shtuar masat e sigurisë në këto zgjedhje.

Për shkak se nuk ka një informacion të qartë në lidhje me situatën, “BalkanWeb” raporton se specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë prej dy ditësh ndodhen në Kavajë.

Burime pranë uniformave blu pohojnë se në terren kanë zbarkuar efektivë të Antiterrorit ata të Rendit por edhe Operacionalet të cilët do të monitorojnë situatën për të parashikuar nëse do të shënohet ndonjë incident i mundshëm.

Për të gjithë planin operacional pritet të angazhohen dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërkohë që e gjithë procedura do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor. Efektivët do të jenë të organizuar në grupe nga dy deri në katër policë. Ndërkohë që nuk do të lejohet grumbullimi i simpatizantëve të çdo krahu politik pranë qendrave të votimit.