Policia kërkon spiunë për kanabisin: Na tregoni kush kultivon drogë dhe do t’ju shpërblejmë

518

Policia e Shtetit ka nxjerrë në shërbim të publikut një numër telefoni dhe u kërkon që të denoncojnë rastet e kultivimit të kanabisit nëse kanë dijeni, kundrejt shpërblimit monetar.

“Në këtë kuadër, Shërbimi ka vënë në dispozion të publikut linjën e gjelbër 0800.90.90 për çdo informacion mbi rastet e implikimit apo favorizimit të kësaj veprimtarie të kundraligjshme, nga punonjës Policie dhe jo vetëm, transmeton syri.net .

Çdo e dhënë apo informacion do të vlerësohet nga SHÇBA, duke ruajtur e garantuar anonimatin dhe për çdo shtetas që do të ofrojë informacion të vlefshëm, është vënë në dispozion një fond shpërblimi, i cili për nga rëndësia dhe vërtetësia e informacionit do të shkojë deri në 300 mijë lekë”, tha nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Altin Qato.

Policia ka bërë edhe bilancin e aksioneve të saj për rastet e kapjes së zbulimit të drogës.

Sipas Qatos, në periudhën Janar-Prill 2017 janë sekuestruar gjithsej 28 ton kanabis, 1 kg kokainë dhe 12 kg heroinë. Gjithashtu janë arrestuar 379 persona dhe janë referuar materialet në prokurori për 243 persona të tjerë.