Kushdo që ka shëtitur nëpër zonat e larta malore, veçanërisht në brezin e kullotave alpine, ka parë gjurmë mjetesh ngado. Disa nga ato që ishin gjurmë gomash para 10-15 vitesh, tashmë janë kthyer në përrenj të frikshëm erozioni.
Lëvizja e pakontrolluar e mjeteve (makina 4×4 dhe motorë me dy e katër rrota) ka bërë që bjeshkët tona të ‘zhgarraviten’ prej gjurmëve të këtyre mjeteve. Veçanërisht në zonat me pjerrësi, mjafton kalimi 1-2 herë i një mjeti për të nisur një rrëké fillimisht, që më vonë kthehet në përrua.
Ky është një problem shumë i madh në të gjitha bjeshkët dhe kullotat tona. Shumica e rasteve ndodhin në zonat e mbrojtura (parqe kombëtare, parqe natyrore, etj.).
Përse ndodh kjo?
Heqja e shtresës së barit nga fërkimi me gomat e mjeteve zbulon dhe ekspozon tokën ndaj reshjeve. Energjia kinetike e pikave të shiut dhe rrjedha e ujit i shkëput grimcat e tokës dhe i zhvendos poshtë. Të papenguara nga fijet e barit që mungojnë, zonat ku janë shkelur nga mjetet fillojnë të erodohen.
Duke pasur gjithnjë e më pak reshje bore dhe shumë më shumë reshje shiu, erozioni merr përmasa të frikshme në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Kjo ndodh sepse sasia e reshjeve të shiut po bëhet gjithnjë e më intensive dhe më e madhe.
Tokat e kullotave alpine janë toka të lehta dhe shumë të shkrifëta. Mungesa e argjilës në këto toka bën që lidhja mes grimcave të tokës të jetë minimale. Për pasojë, këto grimca shkëputen lehtë nga energjia kinetike e ujit. Sapo reshjet e para bien në kontakt me sipërfaqet e zhveshura nga mjetet, erozioni fillon punën e tij.
Në zona të tilla malore, ku kombinimi i faktorëve të ndryshëm për formimin e tokës nuk është shumë i zhvilluar, duhen së paku 400-500 vjet për të krijuar një shtresë prej vetëm 1 cm trashësi toke. Dhe kjo shtresë toke aktualisht humbet për një sezon të vetëm reshjesh, nëse i hiqet shtresa e barit, në mos më shpejt.
Erozioni i tokës është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet planeti aktualisht, por Shqipëria, për shkak të terrenit shumë malor, e ka këtë problem më të madh se pjesa më e madhe e botës. Menaxhimi i erozionit është po ashtu shumë i vështirë, pasi kushton më shumë se çdo gjë tjetër në rehabilitimin e natyrës.
Pashë një video që publikoi kryeministri, ku shfaqeshin makina nëpër bjeshkët e Kukësit dhe Dibrës. Ndoshta ai nuk e di vetë, por në këtë mënyrë duket sikur u thotë njerëzve të marrin makinën dhe të shkojnë të bëjnë si në video.
Edhe Meta, me një motor 4×4, ngjitej nëpër livadhe ku asnjë mjet tjetër nuk kishte kaluar më parë. “Bravo gjigand,” – shumica e komenteve, sikur po u shtonte tokat dhe pasurinë shqiptarëve, jo që po jepte shembullin më të keq të mundshëm për këtë problematikë.
Tashmë ne kemi mjete gjithnjë e më të mira e më të fuqishme, që do të thotë se jeta e bjeshkëve tona do të shkurtohet me shpejtësi të madhe.
Kësisoj, në vend që të pengojmë lëvizjen e mjeteve nëpër bjeshkë, në mënyrë që t’i mbrojmë ato, promovojmë makina dhe madje edhe gara makinash në zonat tona të mbrojtura. Nuk besoj se është thjesht padije. Ndonjëherë të krijohet përshtypja sikur shkatërrimi i vlerave tona natyrore është bërë detyrë e administratës, dhe jo mbrojtja e këtyre vlerave.
Nuk është e vështirë për t’u menaxhuar si problem. Deri më sot nuk ka asnjë person të penalizuar për këtë gjë, pavarësisht se makinat 4×4 dhe motorët kanë pushtuar bjeshkët dhe majat e maleve tona.
Përveçse ta ngre si shqetësim (është herezi e madhe tashmë të thuash të vërtetën), nuk kam çfarë të bëj tjetër. Veçse kur të kujtohemi çfarë i kemi bërë vendit me vetëdije të plotë, do të jetë shumë vonë.
Mark Twain thotë: “Blini tokë, askush nuk e prodhon dot atë…”
Ne, dhe këtë pak tokë që kemi, po e shkatërrojmë me budallallëkun tonë.









