Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë vënë në funksion sistemin elektronik të monitorimit të trafikut rrugor të quajtur “Qyteti i sigurt”, i cili regjistron automatikisht shkeljet e rregullave të qarkullimit përmes kamerave inteligjente dhe pajisjeve teknike.
Në fazën e parë, sistemi po zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si edhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Përmes këtij sistemi do të evidentohen shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.

Sistemi përfshin edhe automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Shqipëria. Në rast shkeljeje, drejtuesit e mjeteve njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga Maqedonia e Veriut. Qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje 50% të gjobës nëse pagesa kryhet brenda afatit prej tetë ditësh, ndërsa në rast mospagese ose kundërshtimi të shkeljes, ndiqet procedurë ligjore sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.
Ky sistem synon rritjen e kontrollit të trafikut dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në territorin e Maqedonisë së Veriut.









