Plas te Burreli, kritika dhe gjoba ekipit pas humbjes

359

Humbja e së shtunës ndaj Kastriotit në “Liri Ballabani” nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Burrelit që dje kanë bërë një mbledhje me skuadrën. Fillimisht ishte trajneri Eduard Tanushi që kritikoi ashpër lojën e bërë nga ekipi i tij.

“Unë nuk jam nga ata që të gjykoj një humbje normale në futboll, pasi prandaj futbolli ka tre rezultate. Por humbja juaj në atë mënyrë është me të vërtetë e pafalshme. Ju ishit të gjithë të barabartë dhe po të kisha mundësi, do i ndërroja të 11 futbollistët që ishin në fushën e lojës. Kjo ka ardhur si rezultat i vetëkënaqësisë suaj dhe neglizhencës në stërvitje. Ja pra, këto sollën edhe atë humbje, e cila ishte vërtet turpëruese. Pasi i njëjti ekip ishte që i bëri ballë Kastriotit në fushën e tij, ndërsa këtu pësojmë tre gola”, mësohet të ketë thënë Tanushi në fjalën e tij.

Gjobat

Ndërsa administratori Kastriot Rama theksoi se loja e dobët nuk do të kalojë pa masa. “Është e papranueshme ajo që ndodhi në këtë ndeshje. Nuk mundet kurrsesi që grupi juaj të jetë në të njëjtin nivel njëkohësisht në të njëjtin takim. Mund të jenë 2 apo 3 elementë të dobët në një ndeshje, por jo i gjithë ekipi. Nuk mundet që ky rezultat të justifikohet me vonesën e pagës, pasi ju jeni dëshmitarë që edhe vitin e kaluar pagat i morët të gjithë.

Të hënën është miratuar buxheti i Bashkisë për vitin 2017, e rrjedhimisht edhe i klubit, pra pagat tashmë janë çështje ditësh. Kështu që kemi vendosur që të gjithë lojtarët pa asnjë dallim, që janë aktivizuar në ndeshjen e së shtunës, të gjobiten me nga 10 mijë lekë të rinj”, tha Rama.

/panoramasport/