Një garë vaksinimi midis kombeve mund të mos ketë fitues

Aleanca COVAX është një bashkëpunim global për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave kundër COVID-19 në të gjitha vendet, përfshirë vendet më të varfra. Megjithatë, "nacionalizmi i vaksinave" kërcënon të dëmtojë shpërndarjen e drejtë. UNICEF u bën thirrje vendeve më të pasura t’ia dhurojnë furnizimet e tepërta të vaksinave COVAX-it dhe prodhuesve të vaksinave të prodhojnë doza vaksinash që mund të vihen në dispozicion shpejt, në mënyrë të drejtë dhe të përballueshme.

406
Një punonjëse e sistemit shëndetësor në Shqipëri, tregon një flakon me vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga Pfizer & BioNTech. Foto: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në vitin 2020, një nga sfidat më të ngutshme në botë ishte zhvillimi i një vaksine kundër COVID-19. Nuk ka dyshim se zgjuarsia mahnitëse njerëzore e cila çoi në zhvillimin e suksesshëm të vaksinave efikase dhe të sigurta në një kohë rekord siguron një dritë në fund të tunelit.

Por ajo dritë duhet të shkëlqejë për të gjithë. Këtë vit, ne përballemi me një problem edhe më kompleks: sigurimi i këtyre vaksinave për të gjithë njerëzit në çdo skaj të botës, qofshin ata të pasur apo të varfër.

Shpërndarja e vaksinave kundër COVID-19 është e një niveli global të paparë në histori, duke mbuluar vende në të gjitha nivelet e të ardhurave në të gjithë botën.

Zhvilluesit e vaksinave po vlerësojnë se ata mund të prodhojnë doza të mjaftueshme për më shumë se një të tretën e popullsisë së botës deri në fund të vitit 2021. Kështu, sfida më e madhe logjistike që bota ka parë ndonjëherë – ajo e transportimit, magazinimit, ngrirjes, komunikimit dhe vaksinimit – është vetëm në fillim.

Për ta arritur këtë, na duhet përfshirja e të gjithëve, si dhe veprime të guximshme dhe inovative nga organizata shumëkombëshe, qeveri dhe industri. Ne gjithashtu duhet të përqendrohemi te ndërtimi i besimit në institucione, në shërbimet shëndetësore dhe te vetë vaksinat.

UNICEF e kupton këtë, sepse ne tashmë jemi blerësi më i madh i vaksinave në botë. Çdo vit, ne prokurojmë më shumë se 2 miliardë doza vaksinash në emër të rreth 100 vendeve. Këto janë vaksina për fëmijë për fruthin, poliomielitin dhe shumë sëmundje të tjera.

Tani na është kërkuar të përdorim këtë ekspertizë të gjatë për të udhëhequr prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 përmes Aleancës COVAX. Ky është një mekanizëm bashkëpunimi global për bashkimin e rrezikut dhe fuqisë blerëse, për të siguruar një shpërndarje të drejtë të vaksinave në të gjitha vendet, pavarësisht se sa e pasur ose e varfër mund të jetë popullsia e tyre.

COVAX dhe Kombet e Bashkuara janë të angazhuara të sigurohen që vaksinat të trajtohen si të mira publike globale dhe për të bërë të disponueshme dozat e vaksinave për të paktën 20% të popullsisë së vendeve. Qëllimi është të sigurohet një portofol i larmishëm dhe i menaxhueshëm vaksinash që mund të dorëzohen që në momentin që ato janë në disponueshme, për të shpejtuar përfundimin e fazës akute të pandemisë.

Kohët e fundit kemi nënshkruar një statut së bashku me Forumin Ekonomik Botëror dhe 18 kompani transporti, linjash ajrore dhe logjistike për të mbështetur shpërndarjen gjithëpërfshirëse dhe të sigurt të vaksinave kundër COVID-19. I jemi mirënjohës industrisë që na ka ndihmuar. Kemi nevojë për mbështetjen e tyre jo vetëm tani, por edhe për pandemitë e ardhshme dhe emergjencat e tjera humanitare. Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit publik-privat në veprim.

Falë një mbështetjeje si kjo, COVAX ka bërë një fillim të mirë. Tani, 186 vende janë pjesë e tij, duke përfshirë kombet më të pasura, të cilët janë treguar mjaft të matur për të pranuar se në kontekstin e një pandemie globale, gjëja më e zgjuar është të tregohesh i drejtë. Ata e kuptojnë se vetëm përmes shpërndarjes së drejtë të vaksinave bota mund të ngadalësojë pandeminë dhe të lejojë rihapjen dhe rindërtimin e sigurt të shoqërive dhe ekonomive të tyre.

Sigurimi i një qasje të drejtë për vaksina të përballueshme për çdo vend nuk është thjesht ajo që duhet të aspektin moral, por është gjithashtu në interesin e çdo personi të gjallë sot.

Duke qenë se numri i vaksinave të disponueshme ka të ngjarë të jetë i kufizuar në fillim, ato duhet të përdorën duke i dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë të vijës së parë dhe popullsive më të rrezikuara për të siguruar parandalimin e vdekjeve dhe që punonjësit shëndetësorë që punojnë në vijën e frontit të vazhdojnë punën e tyre duke ndihmuar fëmijët dhe komunitetet të rikthehen në normalitet. Sapo të mbulohen këto grupe, atëherë përdorimi i vaksinës duhet të vihet në dispozicion për punonjës të tjerë të sektorëve thelbësorë dhe në fund për grupet e tjera.

Kjo pandemi nuk do të mposhtet kurrë vetëm. Ajo do të marrë fund vetëm kur të ketë marrë fund për të gjithë ne.

Megjithatë, ndërsa shkruaj, rreziku i “nacionalizmit të vaksinave” mbetet vërtet real.

Ndërsa qeveritë kanë një nevojë dhe dëshirë të kuptueshme për të mbrojtur popullatat e tyre të prekshme dhe sistemet e kujdesit shëndetësor, nëse e bëjnë këtë duke ndjekur “marrëveshje anësore” bilaterale me prodhuesit e vaksinave, ato rrezikojnë të minojnë COVAX-in. Kemi parë disa vende më të pasura të blejnë shumë më shumë doza sesa do t’u duhen për popullsinë e tyre dhe kjo ndikon te çmimi, krijon kaos në treg dhe dëmton qasjen e koordinuar për të cilën ata janë zotuar.

Fillimisht, “mbi-kontraktimi” ishte i justifikuar sepse vendet po investonin kapitalin aq shumë të nevojshëm për kërkime dhe zhvillime premtuese. Në të njëjtën kohë, vendet që kishin mundësi ta bënin këtë po mbronin shanset e tyre ndërsa zhvilluesit e shumtë të vaksinave kryenin teste klinike.

Por tani ndërsa disa vaksina janë pranë aprovimit të rregullatorit, këto kombe të pasura ka të ngjarë të kenë një tepricë furnizimi. Ne u bëjmë thirrje kombeve më të pasura që sasi të mëdha vaksinash të marrin në konsideratë që t’i dhurojnë ato përmes COVAX. UNICEF është i gatshëm të kanalizojë dhurimin e këtyre vaksinave në vendet pjesëmarrëse të COVAX. Kjo është mënyra më e drejtë për të alokuar doza.

Ndërkohë, prodhuesit e vaksinave gjithashtu duhet të luajnë rolin e tyre. Ne po mbështetemi tek ata për t’i dhënë përparësi COVAX duke vënë në dispozicion shpejt të dhëna dhe doza vaksinash, në mënyrë të drejtë dhe të përballueshme. Ne mund të kemi sukses vetëm duke punuar krahë për krahë me njëri-tjetrin. Një dështim i njerëzimit global, i bashkëpunimit midis kombeve dhe midis sektorit publik dhe atij privat mund të bëjë që ky mekanizëm jetësor të dështojë. Thjesht nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo do të vononte fundin e kësaj pandemie vdekjeprurëse, e cila do të merrte miliona jetë të tjera. Situata është kaq e thjeshtë dhe kaq e zymtë.

Ndërsa COVAX është një përparësi, vetëm vaksinat nuk do t’i japin fund pandemisë. Ne kemi nevojë për qasje të drejtë dhe të lehtë në kitet e testimit dhe trajtimet.  Kemi nevojë për komunikime dhe investime të vazhdueshme që mbështesin masa të tjera praktike parandaluese, të tilla si distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe larja e duarve.

Për më tepër, nuk mund të ketë asnjë ekuilibër efikas midis vaksinimit rutinë, shërbimeve thelbësore shëndetësore dhe vaksinimit kundër COVID-19; të gjitha janë thelbësore për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Trajtimi i një krize globale shëndetësore nuk mund të vijë në kurriz të krijimit të një krize tjetër shëndetësore.

Neve na duhet një angazhim vërtet i koordinuar dhe kolektiv për t’i dhënë fund pandemisë. Duhet të sigurojmë burimet e nevojshme për të përmbushur qëllimet tona kolektive.

Momenti i duhur është tani. Le të bashkohemi të gjithë dhe të sigurohemi që drita në fund të tunelit të shkëlqejë për çdo vend, çdo komunitet, çdo familje, pa marrë parasysh kush janë ata apo në cilën pjesë të botës jetojnë.

Përktheu: BIRN Albania