Projektpropozimi i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, ka nxitur reagime nga qytetarët dhe opozita. Megjithatë, në kampin socialist në Qarkun Dibër, deklaratat publike kanë qenë të pakta, ndërsa disa prej figurave kryesore politike dhe institucionale nuk kanë mbajtur ende një qëndrim publik.
Në qendër të vëmendjes është kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e zgjedhur në zgjedhjet vendore të vitit 2023 nën siglën e Partisë Socialiste. Si drejtuesja e institucionit që preket drejtpërdrejt nga reforma, deri më tani ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me projektpropozimin, nuk ka shprehur mbështetje apo kundërshtim dhe nuk ka informuar qytetarët për qëndrimin e saj institucional.
Heshtja e kryetares ka marrë vëmendje edhe për faktin se Bashkia Klos është institucioni që, nëse drafti miratohet, do të pushojë së ekzistuari si njësi e vetëqeverisjes vendore. Deri në këtë fazë nuk është bërë publik as ndonjë reagim në faqet zyrtare të bashkisë, as ndonjë komunikim me qytetarët apo me këshillin bashkiak lidhur me ndikimin që reforma pritet të ketë mbi administratën vendore dhe shërbimet publike.
Sipas të dhënave zyrtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nga INSTAT, Bashkia Klos numëron gjithsej 12,172 banorë të resident. Kjo me një ulje nga Censusi i vitit 2011 ku numëronte 16,618 banorë. Sa i përket organizimit aktual administrativ, Bashkia Klos përbëhet nga 4 Njësi Administrative: Klos (qendra e bashkisë), Gurrë, Suç dhe Xibër.
Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Klosit kundër projektit të ri të reformës administrativo-territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Banorët deklaruan se kundërshtimi nuk është politik, por lidhet me ruajtjen e identitetit dhe funksionimit të bashkisë së tyre. Ata ngritën shqetësimin se largimi i qendrës së vendimmarrjes nga Klosi do të vështirësojë marrjen e shërbimeve për qytetarët.
Po ashtu, as deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, Agron Malaj, nuk ka mbajtur një qëndrim publik për projektin. Malaj, i cili deri në vitin 2025 drejtoi Bashkinë Mat dhe më pas dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet, është një nga figurat politike që preket drejtpërdrejt nga ndryshimi i hartës administrative në zonën e Matit dhe Klosit. Në zgjedhjet parlamentare ai rezultoi kandidati më i votuar në listën e hapur të Partisë Socialiste në Qarkun Dibër, duke siguruar mbështetje të konsiderueshme pikërisht në Mat dhe Klos. Megjithatë, deri tani ai nuk ka bërë asnjë deklaratë publike mbi bashkimin e dy bashkive.
Ndërkohë, Malaj u përmend edhe gjatë protestës në Klos. Një prej qytetarëve iu drejtua publikisht deputetit, duke i kujtuar mbështetjen elektorale që ka marrë në Klos dhe duke i kërkuar të mbajë një qëndrim në mbrojtje të bashkisë. “A kupton Agron Malaj se është mbështetur nga ne, por të na mbështesë edhe ai. Të mbështesim Klosin sepse është e ardhmja e fëmijëve tanë”, u shpreh protestuesi, i cili paralajmëroi se shkrirja e bashkisë do të ndikojë negativisht në shërbimet, ekonominë lokale dhe do të nxisë largimin e mëtejshëm të banorëve.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe deputetja socialiste e Qarkut Dibër, Alma Selami, e cila gjithashtu nuk ka shprehur publikisht një qëndrim lidhur me projektin e reformës dhe ndryshimet që prekin Qarkun Dibër.
Ndryshe nga drejtuesit dhe përfaqësuesit socialistë të zgjedhur në qark, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, Ulsi Manja, ka mbrojtur publikisht projektpropozimin.
Në një postim në rrjetet sociale, Manja argumenton se organizimi i ri administrativo-territorial është ndërtuar mbi “parimin e afërsisë me qytetarin, përfaqësimit më të mirë vendor dhe rritjes së kapaciteteve të qeverisjes lokale”.
Sipas tij, modeli i ri parashikon organizimin e Qarkut Dibër me tre bashki – Dibër, Bulqizë dhe Mat – shtatë qytete dhe 35 njësi administrative, me synimin për të forcuar përfaqësimin vendor, për të fuqizuar rolin e qyteteve dhe njësive administrative, për të rritur kapacitetet financiare dhe njerëzore të bashkive, si edhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Manja është shprehur se organizimi i ri territorial do t’i afrojë institucionet me qytetarin dhe se qytetet që do të krijohen në kuadër të reformës do të shërbejnë si pole të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social, kulturor dhe turistik në Qarkun Dibër.










