Nishani: Policia e Shtetit është politizuar. Trafiku i drogës, shqetësues

204

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ngriti shqetësimin e trafikut të madh të drogës dhe politizimit të Policisë së Shtetit. Kështu deklaroi kreu i shtetit gjatë një konference për shtyp, ku ndër të tjera deklaroi se dekretoi Fatmri Xhafajn për ministër të Brendshëm, pavarësisht se është kundër.

“Kjo situatë e tensionuar pa dyshim nuk e ndihmon procesin e fushatës dhe zgjedhjeve politike, ndërkohë që opozita e vendit ka artikuluar kërkesën për të garantuar zgjedhje të lira. Në këtë kontekst edhe këto vendimmarrje të Këshillit të Ministrave kanë specifikë të veçantë dhe më e veçanta tek Ministria e Brendshme. Së pari, gjatë viteve të fundit është konstatuar një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit.

Tashmë është adresuar shqetësimi i madh i partnerëve ndërkombëtarë në përmasa shumë shqetësuese që ka marrë trafiku i kanabisit. Konstatimi i lidhjeve të krimit të organizuar me politikë. Gjithë kjo situatë kërkon vëmendje të madhe tek Ministria e Brendshme, sepse ajo ka një rol parësor në menaxhimin e procesit zgjedhor”, u shpreh Bujar Nishani

Në kontekstin e afrimit të datës së zgjedhjeve, Presidenti renditi një sërë arsyesh përse Ministria e Brendshme ka përgjegjësi të madhe për garantimin e votës së lirë.

“Ministria e Brendshëm ka përgjegjësitë për garantimin e infrastrukturës për pushtetin lokal. Prefektët janë nën varësinë e ministrit të Brendshëm. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për listat e votuese”, deklaroi kreu i shtetit.