Nis fshirja e borxheve. Tatimet falin 105 mijë gjoba për biznesin

322

Tatimet kanë nisur fshirjen e borxheve të biznesit në zbatimit të ligjit që miratoi Parlamenti dy muaj më parë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se vetëm gjatë të martës kanë përfituar nga fshirja automatike, rreth 105,047 tatimpagues si në status aktiv edhe në atë pasiv, të cilët kanë patur në ngarkim gjoba për deklarim të vonuar të deklaratave tatimore.

Fshirja e borxheve është automatike përmes serverit elektronik të Tatimeve. Por administrata tatimore i sugjeron biznesit që të jetë i vëmendshëm për të përfituar nga ligji i faljes së borxheve.

“Nëse tatimpaguesit vlerësojnë se përfitojnë nga kjo falje dhe nuk konstatojnë fshirjen e gjobave në llogarinë e tyre, të kontaktojnë pranë zyrave të shërbimit të tatimpaguesve,” thuhet në një njoftim zyrtar të Tatimeve.

Megjithatë për një kategori biznesesh, ata të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratat tatimore, fshirja e borxheve bëhet vetëm pasi t’i kenë dorëzuar ato.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën edhe njëherë thirrje të gjithë tatimpaguesve të dorëzojnë deri më 30 Qershor çdo deklaratë të padorëzuar më parë, në mënyrë që të përfitojnë nga fshirja automatike e penaliteteve për to,” thuhet në njoftim.