Nikolla i përgjigjet Kryemadhit: Mos i trazo nxënësit për vota

392

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka reaguar në lidhje me deklaratën e bërë nga deputetja e LSI, Monika Kryemadhi mbi reformën në arsimin e lartë dhe praktikën e ndjekur vitin e shkuar për Maturën Shtetërore.

Nikolla i ka kujtuar Kryemadhit se Praktika e re e Maturës Shtetërore ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku është dëgjuar edhe LSI ndërsa i ka bërë thirrje që të mos i trazojë nxënësit që tashmë janë në prag të maturës shtetërore për ca vota më shumë.

Reagimi i plotë i ministres Nikolla

“Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të Maturës Shtetërore!

E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq,  po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve  të partive të koalicionit.

Asgjë nuk është perfekte dhe gjithshka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cënojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë  rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive”.