Ndryshimi i orës, ç’duhet të bëni që të mos ju prishet regjimi?

349

Nesër ndryshon ora. Dita zgjatet me një orë duke i zhvendosur akrepat e orës 60 minuta përpara. Kjo do te thote se ne do te fleme nje ore me pak.

Këto ndryshime reflektohen edhe në mirëqenien tonë duke na sjellë nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim, efektet e të cilave i ndiejmë gjatë ditëve në vazhdim derisa ora jonë biologjike të sinkronizohet me orën verore. Ndaj, mos u habisni nëse për të paktën një javë nga dita e ndryshimit të orës, humori juaj nuk do të jetë më ai i pari.

Më poshtë ju paraqesim disa këshilla të specialistëve, se si të përballoni më lehtë këtë ndryshim dhe të përshtateni me orën e re:

1.Mësohuni gradualisht me ndryshimin e orës
Shkoni në shtrat 15 minuta më herët, duke filluar disa ditë para se
ora të ndryshojë. Gjithashtu, përpiquni të jeni sa më të çlodhur një javë përpara ndryshimit të orës, në mënyrë që trupi juaj ta përballojë më lehtë ndryshimin.
2.Bëni një pushim të shkurtër
Nëse pas ndryshimit të ores do të ndiheni të përgjumur, bëni një pushim të shkurtër pasdite, por jo shumë pranë orës kur flini në mbrëmje. Në këtë mënyrë, shmangni një orë gjumë në mëngjes dhe vështirësitë për t’u zgjuar.
3.Flini rregullisht
Shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë. Kjo ndihmon trupin tuaj të rregullojë modelin e tij të gjumit dhe të marrë maksimumin nga orët që keni fjetur. Nëse është e mundur, zgjohuni në të njëjtën kohë edhe në fundjavë, për ta përballuar sa më lehtë ditën e hënë.
Për disa nga ne, një dremitje e vogël mund ta bëjë shumë të vështirë gjumin e natës, por për disa të tjerë 20 minuta dremitje mund të jenë një rigjallërim i vërtetë pa ndikuar në gjumin e natës.

4.Sa orë gjumë na nevojiten?

Jo të gjithë kanë nevojë për të njëjtat orë gjumi dhe kërkesat për të mund të ndryshojnë me kalimin e moshës. Për të gjetur numrin tuaj ideal të orëve të gjumit, në fundjavë mos e vendosni alarmin e orës kur të flini dhe shihni se kur do t’ju dalë gjumi vetë.

5.Qetësohuni përpara se të flini

Kur jeni të stresuar, është e pamundur të flini. Përpiquni të shmangni programet e ndryshme televizive apo filmat, para se të bini në shtrat. Qetësohuni me një çaj kamomil, një banjë të ngrohtë me aromë livande ose lexoni një libër. Shqetësimi rrit prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili ju bën më vigjilent.

6.Bëni ushtrime gjatë ditës

Edhe ushtrimet më të moderuara, si ecja, ju ndihmojnë të flini më mirë, ndaj përpiquni të ecni për rreth 30 minuta, tre herë ose më shumë gjatë javës. Nëse ju ndodh të mos flini rehat, mundohuni të mos kryeni aktivitet fizik shumë afër kohës së gjumit.

7.Ushqehuni sa më lehtë në darkë

Mostretja e ushqimeve pikante, të yndyrshme ose sasia e tepërt e ushqimit në stomak, shkakton pagjumësi. Për një gjumë të mirë dhe të qetë, konsumoni ushqime të thjeshta dhe sa më
të lehta disa orë përpara gjumit. Gjithashtu, eliminoni edhe lëngjet e tepërta. Kështu, nuk do të detyroheni të ngriheni gjatë natës.

8.Krijoni një ambient të përshtatshëm për gjumë

Temperatura optimale e dhomës së gjumit është 15-20o C. Trupi gjithashtu ka nevojë për një dyshek e jastëk të rehatshëm; dhoma duhet të jetë e izoluar nga zhurmat dhe drita, si dhe të ketë nivelin e përshtatshëm të lagështisë, që është 50%.

9.Shmangni konsumin e disa përbërësve si alkooli, kafeina dhe duhani.

10.Nëse nuk arrini të flini, ngrihuni
Nëse keni qëndruar zgjuar në shtrat për më tepër se 20 minuta, është mirë të çoheni, të ndërroni ambient e të merreni me diçka që ju qetëson. Mbani ndriçim të ulët, pini një gotë qumësht të ngrohtë me pak mjaltë, lexoni një libër ose shkruani çfarë t’ju vijë në mendje derisa t’ju rëndohen qepallat.

Marrë nga Living