Mjeku ynë i veçantë

1448

Kushtesë, mjekut të shquar, Prof. Dr. Ahmet Kamberit, i cili u nda nga jeta në tetor 2023.

Sapo kalon Urën e Qytetit, në udhëtimin nga Bulqiza për në Peshkopi, rruga lakon nëpër prehrin e malit të Temlës. Poshtë, aty ku Temla freskon “këmbët” kalon lumi i Bulqizës, i cili është “zot” i gjithë produkteve natyrore që merren nga territori i quajtur “Fangu i Peladhisë”, e shtyhet deri tutje për tokat nën ujë të Godvisë e Krajkës. Sipër rrugës, diku rrëzë malit, ndodhet Peladhia e vjetër. Pikërisht në këtë fshat lindi Ahmet Kamberi, bir i një familje të nderuar të fshatit. Familja e kambereve u shtua në pak vite dhe vetë “barku” i Sulës numëronte shtatë fëmijë, 2 vëllezër: Samiun e Ahmetin dhe 5 motra. Si një familje e madhe dhe, për të përmirësuar kushtet e jetesës, vëllezërit Kamberi (Sula e Meta) ndërtuan shtëpitë poshtë në Fang, afër lumit. Fakti që toka prodhuese ishte larg shtëpisë së vjetër, i detyroi edhe mjaft familje të tjera që të bënin të njëjtën gjë. Dhe, me kalimin e viteve, Fangu u bë një lagje e madhe e fshatit me shumë fise si ramet, gjurët, hysët, pashet etj. Fëminija e Ahmet Kamberit nisi atje në lagjen e vjetër dhe vazhdoi në lagjen e re.

Në kujtimet e tij, gjatë një interviste dhënë për TVSH, Ahmeti thotë se si fëmijë ai kulloste shqerrat. Shkollën fillore e bëri në fshatin Godvi, pasi Peladhia atëmot nuk kishte shkollë. Djaloshi, që në kohën e lirë kulloste shqerrat dhe e treste vështrimin përpjetë Temlës, tashmë si nxënës e ngulte vështrimin mbi librat dhe e vendoste dorën mbi letrën e bardhë të fletoreve, për t’i mbushur ato me përgjigjet e tij të sakta në zhvillimin e detyrave e zgjidhjen e ushtrimeve. Tashmë, krahas botës së “Temlës e Fangut” në përfytyrimin e nxënësit Ahmet Kamberi hyri dhe bota që krijohej, rritej e pasurohej nga leximi. Duke “jetuar” në këto dy botë, ai ndjente që i dashuronte fort të dyja. Dhe ndërsa bota e “Temlës dhe e Fangut” kishte kufij natyrorë, të cilat Ahmeti i njihte mjaft mirë, bota e leximit zgjerohej e zgjerohej… Po ku ishin kufijtë e saj? Për të marrë një përgjigje për këtë pyetje, Ahmeti nisi rrugëtimin e tij nëpër klasa e auditore, nëpër librari e biblioteka, gjithkund në shoqërinë e librit, gjithkund me të korra të bollshme për ushqimin e gjithkohshëm të mendjes.

Ahmet Kamberi nuk ka lënë shënime apo kujtime të cilësuara për vitet e shkollës 7-vjeçare, të cilat asokohe i kreu në Shkodër tek shkolla “Ndoc Mazi”, i akomoduar në konviktin “Tom Kola”. As për vitet që kaloi në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Por, me rezultatet e arritura në mësime dhe me përgatitjen që demonstroi në Fakultetin e Mjekësisë kuptohet qartë që ai ka qenë një pasionant i veçantë për librin, një lexues i vëmendshëm i teksteve shkollore, një vullnetdukshëm dhe një rregulltar gjurmëlënës në kryerjen e detyrave dhe ushtrimeve, si dhe një praktikant i paepur dhe kreativ i dijeve që fitoi gjatë gjithë kohës deri në përfundimin e studimeve.

Vetëm 2 muaj punoi si ndihmësmjek dhe pastaj u nominua që të fillonte studimet në Universitetin Zemellëeiss në Budapest. Shkakun e ndërprerjes së studimeve në këtë universitet, vetë dr. Ahmeti e shpjegon edhe në librin e tij me tregime “Shif e shkruaj”, botuar fill pas vdekjes. Në tregimin me titull “Ditët e vështira të Tetor-Nëntorit 1956 në Budapest” studenti Ahmet Kamberi përshkruan me detaje gjithë çfarë i panë sytë dhe gjithë çfarë i mbeti në mendje nga ajo periudhë e vështirë për popullin hungarez, në një lagje që ndodhej afër konviktit ku ishte akomoduar bashkë me studentë të tjerë, po ashtu edhe shokët e tij shqiptarë.

Siç del nga ky tregim por edhe nga sjellja e tij pas kthimit në atdhe, Ahmet Kamberi nuk e përjetoi ngjarjen si një shans i humbur për të shijuar jetën jashtë vendit apo si një rast i humbur për studimet e tij. Me gjithë rekomandimin për të pritur një shans të dytë për të vazhduar studimet jashtë, Ahmet Kamberi u regjistrua po atë vit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Periudha e studimeve 1956-1961 i dha mundësinë doktorit të ardhshëm të lexonte, mësonte e praktikonte njohuritë profesionale për t’u bërë mjek. Në atë periudhë emërimet në profesion bëheshin jo duke vlerësuar rezultatet në mësime apo merita të tjera të veçanta (mbase do përjashtuar miku), por sipas parimit “atje ku ka nevojë atdheu” duke konsideruar natyrisht më së pari, nevojat e vendlindjes. Në zbatim të këtij parimi Ahmet Kamberi, pas përfundimi të studimeve, u emërua në spitalin e Peshkopisë.

Në kujtimet e tij ai shkruan:” Menjëherë pas diplomimit si mjek i përgjithshëm u emërova në spitalin e Peshkopisë, në pavionin e sëmundjeve të brendshme”. Vini re, ai shkruan “pas diplomimit” dhe jo “pas përfundimit të studimeve”! Pse? Sepse Ahmet Kamberi ka vendosur t’i vazhdojë studimet. Në kujtimet e tij ai shkruan: “ Për shkak të punës shumë intensive dhe me larmi të gjerë rastesh (në spitalin e Peshkopisë, shënimi im) u poqa shpejt si mjek. Pata mundësinë që të siguroja librat më të mirë amerikanë të kohës për mjekësinë klinike dhe kardiologjinë”. Në këto pak rreshta shquhen dy cilësi të doktor Ahmetit: Pasioni për të lexuar e mësuar, me përditësim njohurish, që lidhej me profesionin e tij dhe njohja e gjuhës angleze që ia mundësonte realizimin e këtij pasioni. Ai shkruan: “qysh në vitin 1962 (një vit pas emërimit, shënimi im) isha abonuar në Revistën mjekësore Britanike “British Medical Journal”. Dhe ku? Në një qytet periferik si Peshkopia, ku tundimi për të frekuentuar kafenetë “me kafe e fërnet” ishte vështirë i përballueshëm.

Por Ahmet Kamberi frekuentonte librarinë e qytetit ku porosiste “jo kafe e fërnet” por literaturë mjekësore. Për doktorin e ri, njëra anë ishte përditësimi i dijeve nëpërmjet leximit sistematik, ana tjetër ishte vënia në shërbim të pacientëve e këtyre dijeve. Për punën në spitalin e Peshkopisë ai shkruan:” Pata gjithashtu mundësi të vë në zbatim metoda të reja mjekimi, të cilat nuk përdoreshin tjetërkund atëherë në Shqipëri”. Dhe erdhi dita që i gjithë ky aktivitet studimor e aplikues ta çonte natyrshëm mjekun e ri tek specializimi pranë Spitalit Klinik Nr. 1, Tiranë. Në periudhën 2-vjeçare 1967-1969 Ahmet Kamberi u specializua për sëmundjet e brendshme (patologjinë). Pas specializimit ai rikthehet në Spitalin e Peshkopisë, tashmë i certifikuar si specialist. Por mendja e doktor Ahmetit “kulloste” edhe në parcela të tjera ku ai mendonte se ishte i dobishëm për pacientët e tij. Dhe “parcela” që atij i ofronte “oreks” të mirë, ishte ajo e kardiologjisë.

Pa e shmangur detyrimin si patolog, ndihmuar për këtë edhe nga një koleg i tij, Ahmet Kamberi, i hyri punës për të vënë në shërbim të pacientëve me sëmundje të zemrës një elektrokardiograf, tip i vjetër. Natyrisht ky angazhim ia shtonte “telashet” si mjek por ua pakësonte “telashet” pacientëve, të cilët tek përkushtimi, dijet dhe vullneti i doktorit shihnin dorën e “zotit”, që përditë e më shumë ua lehtësonte dhimbjet, duke i përcjellë të shëndoshë tek dera e spitalit, për të vazhduar më tej jetën normale. Pas ata linin falënderimin e përzemërt, ndërsa me vete merrnin një mirënjohje të përjetshme të cilën, si një mesazh shërimi, e përcillnin në zonat e tyre. Kështu edhe pa i shkelur fizikisht ato zona, doktor Ahmetit i rezervohej vendi i nderit, që ishte emri i mirë i tij.
Pikërisht ky emër i mirë bëri që në vitin 1971, “vendi ku kishte nevojë atdheu”, të ishte Klinika Speciale në Tiranë.

Punën në këtë klinikë e fillon si kardiolog. Në vështrimin nga jashtë, ky vend pune atëkohë vlerësohej si i privilegjuar. Mjek i Klikës Speciale? Sa fat paska pasur! Patjetër ka dorë miku se kush të afron atje?! Me siguri kështu është pëshpëritur edhe për dr. Ahmetin, edhe pse i mbarë opinioni ishte i “populluar” nga vlerësime sipërore për punën e tij. Sidoqoftë vetë doktori këtë vend pune e shihte edhe si një përgjegjësi të madhe.

Një mjek, tej vështirësive të punës, vlerësohet me rezultatet në shërimin e pacientëve. Dhe nëse mjeku nuk arrinte të shëronte një pacient të rëndësishëm, siç ishin ahere pacientët e Klinikës Speciale, atë e priste në rastin më të mirë largimi nga detyra me emërim diku larg në syrgjyn dhe, në rastin më të zakonshëm, shpallja armik, sabotator apo agjent, për çfarë dënimi ishte burg dhe internim e, në rastin më të keq, dënimi i përjetshëm apo ai me vdekje.

I vetëdijshëm për këto rreziqe, por edhe i bindur që mënyra më e mirë për t’i shmangur ato ishte rritja e vazhdueshme profesionale, komunikimi korrekt dhe vetëdisiplinimi në aktivitet, Ahmet Kamberi hodhi baza për të qenë jo vetëm i besueshëm, por edhe i kërkuar nga pacientët e tij.

Ai vazhdoi me përgatitjen e tij teorike duke u ngjitur në nivelin bashkëkohor të dijeve.

Si rezultat i arritjeve në këtë drejtim, në periudhën tetor 1974 deri në mars 1975, i akordohet një specializim për kujdesin koronar intensiv në spitalin Sant Goeran në Stokholm. Ja si e kujton ai këtë specializim: “Që në javën e dytë që shkova atje, falë përgatitjes që kisha bërë, u përfshiva në ekipin e mjekëve të Njësisë së Kujdesit Koronar (NKK). Fakti që u përshtata shumë shpejt me stilin e tyre të punës dhe me pajisjet moderne që ata kishin në dispozicion, i bëri kolegët suedezë dhe shefin e klinikës të mos më zinin besë…”. Për çfarë? Ahmet Kamberi sqaron se ai u kishte thënë kolegëve suedezë që asnjë nga pajisjet që përdoreshin në këtë spital nuk ndodheshin në Shqipëri. Po si ishte e mundur atëherë që mjeku shqiptar arriti t’i përdorte ato pa asnjë vështirësi?! Përgjigja ishte befasuese: “…mendoj që për të përparuar dhe për të shfrytëzuar edhe më mirë mjetet që ke në dispozicion duhet të dish më shumë se sa të mundësojnë ato mjete që ke në praktikën klinike”.

Me këto parime profesionale, mjeku shqiptar arrin të vlerësohet nga shefi i NKK në spitalin Sant Goeran si “një klinicist me një zotërim shumë të mirë të problemeve që ndeshen në kardiologjinë klinike…të aftë për organizimin dhe drejtimin e NKK-së, nëse e sjell rasti”. Po çfarë i solli rasti? Pas kthimit në Tiranë, ai shkruan se informoi për gjithë çfarë kishte përfituar nga ky specializim, me synimin që t’i krijoheshin mundësitë për të realizuar të singjashmen në Shqipëri. Dhe reagimi? “Nuk prisja ndonjë përfillje të parashtresave të mia, – shkruan me pezm ai, – por mendoja se ishte detyra ime t’i shtroja këto probleme duke dhënë njëkohësisht ndihmën time”. Sidoqoftë ai përpiloi protokollin e mjekimeve të infarktit akut të miokardit, i cili, edhe pse iu miratua nga grupi i kardiologëve të klinikës speciale, arriti të zbatohej vetëm në këtë klinikë.

Dhe vjen 6 marsi i vitit 1976, kur Ahmet Kamberi bëhet pjesë e grupit të mjekëve që do kujdeseshin për shëndetin e “Pacientit të veçantë”. Këtë radhë pra, u vlersua që aty “kishte nevojë Atdheu”. Në vazhdën e këtij angazhimi, deri në 11 prillin e vitit 1985, Ahmet Kamberi edhe si kardiolog, edhe si diabetolog, edhe si patolog, natyrisht duke plotësuar të gjitha kërkesat për një shërbim të tillë, ishte pjesë e ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, krahas emrave shumë të shquar të mjekësisë shqiptare si Llambi Ziçishti, Petrit Gaçe, Nikolla Shurbani, Fejzi Hoxha, Hajro Shyti, Isuf Kalo, Ylli Popa, Ali Ajlushani, Sabit Broka dhe Arben Fino.

Në librin me kujtime “Pacienti ynë i veçantë”, autori i jep me hollësi natyrën e këtij shërbimi, përgjegjësinë në kryerjen e tij, formën e angazhimeve, rreziqet për të rënë viktimë e intrigave dhe dashakeqësive por, edhe përpjekjet që bëheshin për një formim profesional solid e bashkëkohor për të përdorur në trajtimin e shëndetit të “pacientit të veçantë”, arritjet më të mira të mjekësisë për kohën.

Në përfundim të këtij angazhimi, mjeku Ahmet Kamberi, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’u rritur profesionalisht, ka fituar tashmë aftësi të tilla, që e lartësojnë atë jo vetëm në nivelin e një mjeku nga më të mirët në vend por edhe të një mjeku me reputacion ndërkombëtar.

Kontributi tij në krijimin e “Kabinetit të Provës Ushtrimore” në shërbimin e kardiologjisë pranë Spitalit Klinik Nr.1 në Tiranë, i cili funksionoi mbi bazën e protokollit dhe metodikës së tij, i përket vitit 1981 dhe është e mbetet një arritje kulmore e shërbimit kardiologjik shqiptar. Po ashtu një arritje kulmore, është zbatimi i provës ushtrimore edhe te të sëmurët me infarkt akut miokardi të pandërlikuar në javën e tretë të sëmundjes, e realizuar në vitin 1983. Puna që çoi tek këto arritje, nga njëra anë flet për lidhjet që mbante doktor Ahmeti me klinikën dhe me të sëmurët dhe, nga ana tjetër, për dobinë e dijeve të tij, fituar edhe nga specializmet jashtë vendit (Suedi, Francë e Kinë) në shërbim të vendit.

Janë me mjaft interes vlerësimet që i janë bërë doktor Ahmet Kamberit, nga mjekë të shquar suedezë e francezë gjatë specializimeve të tij afatshkurtra në shërbimet mjekësore të këtyre vendeve, si mjeku me “njohuri bazë shumë të mira në fiziologjinë e qarkullimit të gjakut dhe në kardiologjinë klinike” i cili, “brenda një kohe shumë të shkurtër hyri si një anëtar i grupit të mjekëve që trajtonin pacientët kardiakë në këtë spital” (Citim i certifikatës së lëshuar nga Spitali “Sent Goeran”, nënshkruar nga Shefi i Departamentit të Mjekësisë) apo, si mjeku që “është çmuar shumë nga gjithsecili (është fjala për personelin mjekësor të shërbimit të diabetologjisë në Spitalin e famshëm Hotel-Dieu të Parisit, shënimi im) për kompetencën e tij, mirësjelljen dhe vetëdijen e tij profesionale” (Citim i certifikatës së lëshuar nga prof. Zhorzh Çobrucki, Shef i Shërbimit të Diabetologjisë në këtë spital), apo, si mjeku i “integruar plotësisht në jetën e shërbimit (është fjala për Shërbimin e Kardiologjisë të Spitalit Busiko, Paris, shënimi im) të cilit i ka dhënë një ndihmë të dobishme, të përkushtuar dhe miqësore” (Citim i certifikatës së lëshuar nga prof. Agrezhe Zhan Ge, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë në këtë spital).

Vlerësimet e këtyre personaliteteve nuk ishin “fjalë të bukura”, por konkluzione të specialistëve që “fjalën e bukur” nuk kishte “burrë nëne” t’ua nxirrte nga goja pa e merituar.

Një miku im, ish-ambasador, që e ka njohur dr. Ahmetin, pasi lexoi librin “Pacienti ynë i veçantë” më tha: “Është i vërtetë në gjithë çfarë shkruan por… mund të ishte pak më modest”. “Unë nuk e kuptoj çdo të thotë modest kur je i vërtetë, – iu përgjigja, vërtetësia nuk është as modesti as mburrje”.

Dhe Ahmet Kamberi ishte dhe mbetet i vërtetë në gjithë aktivitetet e tij shkencore me një volum prej 90 artikujsh, ku vlen të përmenden teksti “Sëmundjet e Zemrës” (me bashkautor) si dhe 5 protokolle e metodika shkencore në praktikën klinike e kërkimore të Shërbimit Kardiologjik.

Ai ishte dhe mbetet i vërtetë në shërbimet klinike ndaj pacientëve (themelues i Kabinetit të Provës Ushtrimore në shërbimin e kardiologjisë dhe zbatimin e saj tek të sëmurët me infrakt miokardi të pandërlikuar në javën e tretë të sëmundjes, për të cilin një koleg francez e quajti “i çmendur”, duke përfunduar pastaj në “skuqjen dhe heshtjen e turpit”, kur mësoi se guximi i dr. Ahmetit ishte guxim shkencëtari).

Ai ishte dhe mbetet i vërtetë në dinjitetin e tij për të mos lypur kurrfarë privilegji edhe pse ishte mjeku kryesor klinik i “Pacientit të veçantë” (As edhe një foto nuk bëri me Enver Hoxhën kur, çdokush që kishte mundësinë të ishte edhe një çast pranë tij, gjëja e parë që dëshironte ishte të kishte një foto, të cilën pastaj, thjesht e “shiste” shtrenjt)

Ai ishte dhe mbetet i vërtetë në angazhimet e tij si Ministër i Shëndetësisë, Kryetar i Komisionit Shtetëror për Mbrojtjen e Mjedisit, zëvendëskryetar i Komitetit të 39 të OBSH për rajonin e Europës në Paris, riaktivizues i Kryqit të Kuq Shqiptar, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Etnike, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, themelues i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë dhe President i saj, themelues i Revistës Shqiptare të Kardiologjisë dhe Kryeredaktor i saj, anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologjisë dhe koordinator i saj për Shqipërinë etj.

I vërtetë, i vëmendshëm dhe skrupuloz ka qenë doktor Ahmeti edhe në diagnozimin dhe mjekimin e mijëra e mijëra pacientëve që i drejtoheshin klinikës së tij gjatë kohës që shërbeu në shërbimin privat. I asistuar prej bashkëshortes, ai i vizitonte pacientët jo thjesht duke përdorur stetoskopin apo pajisjet e tjera, por edhe duke i pyetur hollësisht për historinë e sëmundjes. Si mjek i gjithëformuar (patolog, kardiolog e diabetolog) ai arrinte t’ua nxirrte “me grep” pacientëve gjithë “hallet”, për t’i kuruar pastaj deri në harrimin e sëmundjes. Në kompjuterin e tij të punës me siguri janë mijëra emra me shënime të detajuara për ankesat, diagnozat e përcaktuara, ilaçet e marra dhe efektin e tyre.

Natyrisht nuk është e mundur ta paraqesësh gjithë kontributin e mjekut të shquar prof. dr. Ahmet Kamberit në një kushtesë, sido që të jetë ajo. Kontributi i tij është ngjizur në kohë me gjithë relievin e përpjekjeve dhe arritjeve, është bërë pjesë e kujtesës së pacientëve të tij me respektin e mirënjohjen për të, është bërë libër i hapur për të gjithë kolegët dhe studentët e mjekësisë, është bërë e do të jetë një referencë e pashmangshme në zhvillimet e shkencës mjekësore jo vetëm shqiptare.

Nderimi për figurën dhe personalitetin e tij nuk është detyrë, ai është më shumë se kaq.