Prej vitesh mungonte vëmendja e institucioneve përgjegjëse, ndërsa persona të papërgjegjshëm e kishin dëmtuar “Urën e Halilajve”, duke rrezikuar një vepër me rëndësi të madhe historike e kulturore të zonës së Klosit, i cili po degradohej dita ditës si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes. Por tanimë kjo urë është restauruar duke i shtuar vitet e jetëgjatësisë. Ura në fjalë mbart një histori 300-vjeçare dhe është e rrallë për stilin e saj arkitekturor.
Rrezikun që i kanosej kësaj vepre, Porta Vendore e trajtoi me 14 Tetor të vitit të kaluar. Banorë të zonës e historianë ngritën shqetësimin për rrezikun që i kanosej kësaj vepre. Ndërkohë në përgjigjet zyrtare për informacion, Bashkia Klos dhe Ministria e Kulturës, pranuan dëmtimin e kësaj ure, ndërsa premtuan ndërhyrje. Ministria e Kulturës u angazhua që nëpërmjet Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë, e cila ka nën varësi edhe objektet e trashëgimisë kulturore në Qarkun Dibër, të bëjë restaurimin e objektit, duke ndaluar kështu edhe degradimin e mëtejshëm të tij.
Specialistët e kësaj drejtorie, në bashkëpunim edhe me specialistët pranë Zyrës së Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë Klos kanë bërë të mundur ditët e fundit që të riparohen të gjitha pjesët e dëmtuara të urës, duke përdorur material prej guri me të cilin edhe është e ndërtuar ura. Po ashtu është bërë pastrimi i të gjithë bimësisë e cila e kishte pushtuar urën dhe e bënte të “padukshme” për kalimtarët apo vizitorët.
Përgjegjësi i Zyrës së Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë Klos, Ramazan Mjeshtri tha se investimi është kryer pas ngritjes së problemit në Ministrinë e Kulturës.
“Ne kishim kërkuar prej muajsh që të bëhej ndërhyrja. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë ndërhynë duke vendosur shtresën e dëmtuar. Po ashtu është bërë edhe pastrimi nga bimësia e cila bllokonte pamjen e urës për vizitorët. Hapat e tjerë në vijim do të jenë kthimi i këtyre resurseve historike në shërbim të turizmit. Ne kemi një plan për t’i vendosur këto objekte në guidën turistike që po krijohet për Bashkinë e Klosit. E rëndësishme është se kësaj vepre 300 vjeçare iu zgjat jetëgjatësia me këtë restaurim” , tha Mjeshtri për Portën Vendore.
Por megjithëse është bërë ndërhyrja restauruese, ende për këtë urë nuk ka një tabelë informacioni mbi historinë e saj për të gjithë turistët që mund ta vizitojnë.
Ferit Halili, banor i fshatit Dars thotë për Portën Vendore se meremetimi i bërë në këtë urë e ka shpëtuar atë nga rrënimi që po i kanosej çdo ditë e më shumë.
“Të vinte keq teksa e shihje urën të degradohej duke ju hequr shtresa e kalldrëmit çdo ditë. Atë e kishin mbuluar pemët e vetëm ne që jemi banorë e kalojmë këtu e dinim se ekziston. Një urë 300 vjeçare të lihej në atë gjendje, është gjë shumë e keqe. Shyqyr që më në fund u kujtuan se e kanë edhe këtë objekt që duhet mirëmbajtur. Është vlerë e madhe e zonës, pasi ka një histori të gjatë mbi supe. Kjo ka nevojë edhe për një rrethim apo një tabelë që edhe të rinjtë e zonës apo të huajt që vijnë nga vende të tjera të informohen mbi historinë e saj”, tha Halili.
Për historianin Sefer Duka, me këtë ndërhyrje historia e kësaj ure do të vazhdojë edhe fizikisht.
“Mendoj që ky riparim që i është bërë urës i ka shtuar asaj jetën fizike e cila do të shoqërohet në vijimësi edhe me historinë 3 shekullore që mbart. Më vjen mirë që ka patur një reagim pozitiv për këtë vepër e cila është e rrallë në stilin e saj. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë kjo urë ka veçori nga urat e tjera si nga harku i përthyer në mes, ashtu dhe me përputhjen e qemerëve njëri mbi tjetrin. Është më e vjetra nga urat e tjera në Mat dhe mendohet se i përket fund shekullit XVII-të ose fillimit të shekullit të XVIII-të. Një vëmendje e tillë duhet në vijimësi për këto vepra. Institucionet përgjegjëse siç janë Ministria e Kulturës dhe Bashkitë, duhet t’i mbajnë në vëzhgim të vazhdueshëm për të mos i lënë të degradohen në atë mënyrë e jo më të rrezikojnë asgjësimin total si vepra fizike. Historia duhet të jetojë bashkë më objektin fizik, pasi kjo është e mundur dhe nuk ka ndonjë kosto shumë të madhe” , tha mes të tjerash për Portën Vendore historian Sefer Duka.
Në zonën e Klosit janë disa ura të një modeli të tillë siç është Ura e Vashës, Ura e Skurës, Ura e Pazarit dhe ajo e Shëneprenes në Gurrë. Për të gjitha këto ura po punohet që të kenë tabela informuese që do t’i shërbejnë turizmit, për të gjithë ata vizitorë që do të shkojnë për t’i parë nga afër.