Kuvendi miraton hartën e re territoriale me 85 vota, Klosi bashkohet me Matin

302
Kryeministri Rama gjatë votimit në Kuvendin e Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të 9 tetorit reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Projektligji i Partisë Socialiste mori 85 vota pro dhe 34 kundër, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, protestave të qytetarëve dhe qëndrimeve kundër të këshillave bashkiakë në disa prej zonave që preken nga ndryshimet.

Me miratimin e hartës së re, Bashkia Klos humbet statusin si njësi më vete e vetëqeverisjes vendore dhe bashkohet me Bashkinë Mat. Vendimi vjen pas kundërshtimit të shprehur nga qytetarët e Klosit, Këshilli Bashkiak dhe intelektualët e zonës, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e bashkisë.

Gjatë procesit të konsultimeve publike, 5,040 qytetarë të Klosit firmosën një peticion drejtuar Kuvendit, duke kundërshtuar bashkimin me Matin. Edhe Këshilli Bashkiak u pozicionua kundër projektit, ndërsa gjatë katër dëgjesave publike në Xibër, Gurrë, Suç dhe Klos, banorët ngritën shqetësime për përfaqësimin vendor, largësinë nga shërbimet dhe të ardhmen e zonës.

Megjithatë, këto kundërshtime nuk e ndalën miratimin e projektligjit në Kuvend.

Opozita kërkoi referendum, protesta u shoqërua me përplasje

Reforma u kundërshtua nga Partia Demokratike, e cila kishte propozuar një alternativë me 100 bashki. Gjatë seancës plenare, kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi që qytetarët të shpreheshin përmes një referendumi për variantin e ndarjes territoriale që duhej të miratohej.

Jashtë Kuvendit, qytetarë nga bashkitë që preken nga reforma protestuan kundër shkrirjes së njësive të tyre vendore. Protesta u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, e cila përdori spraj lotsjellës. Disa protestues patën nevojë për ndihmë mjekësore.

Kundërshtime ndaj reformës pati edhe nga këshillat bashkiakë të disa prej njësive që do të bashkohen. Në Poliçan, të 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan kundër bashkimit me Beratin, ndërsa përfaqësues vendorë kërkuan që qëndrimi i komunitetit të merrej parasysh përpara vendimit përfundimtar.

Zëra kundër edhe brenda Partisë Socialiste

Debati për reformën u shoqërua me kritika edhe nga deputetë të Partisë Socialiste, por këto qëndrime nuk u reflektuan në rezultatin përfundimtar të votimit.

Deputeti Erion Braçe, i cili kishte shprehur rezerva të forta ndaj hartës së propozuar, votoi pro projektligjit. Gjatë debatit në Kuvend, ai e cilësoi nismën si një vijëzim të hartës së re dhe jo si një reformë të mirëfilltë, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të mos jenë të qëndrueshme.

Para votimit, Braçe deklaroi për mediat se kryeministri Edi Rama i kishte paralajmëruar deputetët se votimi kundër do të sillte përjashtimin nga grupi parlamentar.

Edhe deputetja Elisa Spiropali, e cila gjatë debatit kritikoi mënyrën e drejtimit të grupit parlamentar, votoi pro reformës.

Pas miratimit, kryeministri Rama e cilësoi vendimin si një tjetër hap drejt modernizimit të vendit. Në një postim në platformën X, ai iu referua debateve të brendshme dhe kundërshtimeve, duke paralajmëruar se askush nuk duhet të bëjë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.

Nga 61 në 46 bashki

Sipas hartës së miratuar, 15 bashki humbasin statusin e tyre aktual dhe bashkohen me njësi më të mëdha fqinje:

Fushë-Arrëzi me Pukën;
Klosi me Matin;
Rrogozhina me Kavajën;
Dimali dhe Poliçani me Beratin;
Patosi me Fierin;
Divjaka me Lushnjën;
Selenica me Vlorën;
Maliqi me Korçën;
Këlcyra me Përmetin;
Memaliaj me Tepelenën;
Libohova me Gjirokastrën;
Cërriku dhe Belshi me Elbasanin;
Prrenjasi me Librazhdin.

Mazhoranca e ka argumentuar reformën me nevojën për të krijuar bashki me kapacitete më të mëdha financiare dhe administrative, me synimin për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike. Nga ana tjetër, kundërshtarët e projektit kanë paralajmëruar se bashkimi mund të dobësojë përfaqësimin e komuniteteve dhe të largojë vendimmarrjen nga qytetarët.

Me votimin e 9 tetorit, harta e re territoriale u miratua nga Kuvendi, ndërsa kërkesat e qytetarëve dhe institucioneve vendore për ruajtjen e 15 bashkive nuk arritën të ndryshonin vendimin e mazhorancës

REKLAMË