Materniteti i Matit mbetet pa mjek obstetër-gjinekolog

694
Materniteti i Spitalit Bashkiak Mat “Xhavit Mara”. Foto: Sami Curri

Materniteti i spitalit Bashkiak të Matit “Xhavit Mara” prej muajit korrik ka mbetur pa mjek obstetër-gjinekolog. Mjeku nga Kosova, Halit Karaxha që punonte pranë këtij spitali nuk ka pranuar që të vijoj punën, pas përfundimit të kontratës më Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.

Sipas Mat Televizion, shërbimi i Obstetrikë-Gjinekologji pritet që të mbulohet përkohësisht me mjek nga Spitali Rajonal Dibër. Pyetur nga Bulqizaime.al, stafi i maternitetit të spitalit të Matit “Xhavit Mara” shprehen se pacientët referohen për në Tiranë ose Lezhë për lindje ose vizita.

Qindra mjekë të përgjithshëm dhe specialist janë larguar nga Shqipëria drejt vendeve të evropës vitet e fundit, duke sjellë mungesa të theksuara në spitalet shqiptare. Në qarkun e Dibrës, problem mbetet edhe mungesa e mjekëve të familjes në shumë qendra shëndetësore.

Në maternitetin e Matit marrin shërbim banorët nga Bulqiza dhe Klosi dhe kjo është e disata herë që ndërpritet shërbimi si pasojë e mungesës së mjekëve.