Knut Flekenshtajn: Nëse vazhdoni të blini votat, atëherë mirupafshim BE

374

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn thotë se Shqipëria e kaloi testin e zgjedhjeve pavarësisht parregullsive në procesin zgjedhor. Në një intervistë ekskluzive për ABC NEWS, ai thotë se i ka bërë thirrje Komisionit Europian të hapë negociatat për antarësimin e Shqipërisë.

Pyetje: Institutionet e Bashkimit Europian kanë konsideruar zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri si një test për pjekurinë demokratike të vendit. A u kalua me sukses ky test?

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: Pavarësisht parregullsive që ka patur në proçes, të prezentuara edhe në raportin e OSBE-së, unë do thoja që në terma të përgjithshme, Shqipëria e kaloi testin e zgjedhjeve, duke qenë se proçesi ishte i qetë dhe u pranua nga të gjitha palët. Pra, testi u kalua, por ka vend për përmirësim të mëtejshëm.

Pyetje: Ju keni qenë i ashpër në dënimin e fenomenit të shitblerjes së votës gjatë zgjedhjeve lokale. A jeni i shqetësuar nga shitblerja e votës sërish shumë prezente në zgjedhjet e 25 qershorit ?

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: Unë e kam dëgjuar këtë dhe di që tashmë ka ligj më të fortë në Shqipëri që dënon shitblerjen e votës. Nuk kam prova të shitberjes së votës, por nëse ka prova për këtë, ato duhen të paraqiten para Gjykatës. Për mua shtitblerja e votës është një çështje nderi. Ata që blejnë votën dhe që e shesin atë, nuk kanë nder dhe shkatërrojnë vendin e tyre. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë mirupafshim. Kjo është një çështje e shoqërisë dhe shoqëria civile duhet veçanërisht të punojë kundra këtyre fenomeneve derisa ato të zvogëlohen dhe të dënohen nga të gjithë.

Pyetje: Tani që Brukseli konsideron se testi i zgjedhjeve u kalua, a mendoni se janë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Komisioneri Hahn është shprehur së fundmi, se përveç zgjedhjeve dhe zbatimit të ligjit të Vetting, do shihen edhe rezultatet konkrete të luftës kundër trafikut të drogës. A ndani të njëjtin mendim me të, apo për ju duhet hedhur hapi tashmë?

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: Jo, nuk jam dakort me komisionerin Hahn, se ne kemi thënë që ka dy pika që duhen plotësuar për hapjen e negociatave. Zgjedhjet dhe fillimi i zbatimit të proçesit të Vettingut. Ne duhet t’i përmbahemi kësaj dhe të hapim negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Kriteret e tjera sigurisht që duhen diskutuar, por kjo mund të bëhet gjatë negociatave. Unë i kërkoj Komisionit Europian dhe Këshillit të ministrave që të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kemi shumë për të bërë, por mendoj se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Pyetje: Ju keni bërë avokatin e hapjen së negociatave për një kohë të gjatë në interes të vendit dhe të qytetarëve. Mendoni se është e realizueshme këtë vit, apo në fillim të vitit të ardhshëm? Komisioneri Hahn bëri të kuptohet se nuk ndryshon shumë nëse është çështje muajsh.

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: Nëse komisioneri do të shihte se çfarë mendojnë qytetarët e Ballkanit për qëndrimin tonë, ai nuk do t’a thoshte këtë. Ne kemi qenë të qartë për kushtëzimin para hapjes së negociatave. Tani duhet të mbajmë fjalën e dhënë. Nuk bëhet fjalë për mbylljen e negociatave, por për hapjen e tyre. Komisioni dhe shtete anëtare duhet të tregohen të besueshme dhe të hapin negociatat tani. /ABC News.