Këshilli Bashkiak i Bulqizës jep afro 80 hektarë tokë në Gjoricë dhe Shupenzë për ndërtimin e dy parqeve solare

505
Mbledhja e Këshillit Bashkiak në datë 29 shkurt 2024. Foto: Bulqizaime.al

Me fuqinë e kartonit, anëtarët e Partisë Socialiste dhe disa partive të vogla në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, vendosën që të miratojnë dhënien e afro 40 hektarëve tokë të fondit pyjor – kullosor në fshatin Okshatinë të njësisë administrative Shupenzë, tek kompania “Dani Energy 2023”.

Referuar projekt-vendimit dhe akteve të vendosura në faqen e bashkisë, toka synohet të përdoret për ndërtimin e një parku fotovoltaik me fuqi prej 40 MW. Anëtarët e opozitës, e kundërshtuan këtë kërkesë, justifikuar me faktin se konsultimi publik është mbajtur jashtë orarit të planifikuar dhe pa njoftuar grupet e interesit, si dhe akuzave për falsifikim të firmave të banorëve.

Njësia administrative Shupenzë, fshati Okshatinë. Foto: Bulqizaime.al

Konsultimi publik për projektin më të madh në fushën energjisë elektrike fotovoltaike në zonën e Bulqizës, me vendndodhje në fshatin Okshatinë të njësisë administrative Shupenzë ishte mbajtur jashtë orarit të planifikuar. Referuar të dhënave të bëra publike në faqen zyrtare të Bashkisë Bulqizë, dëgjesa publike duhej të zhvillohej në datë 19 shkurt në orën 16:00, por pa njoftuar banorët, mediat dhe palët e tjera të interesuara, dëgjesa ishte zhvilluar me “urgjencë” në orën 11:00 paradite.

Anëtarët e Partisë Socialiste e justifikuan këtë ndryshim, si shkak i një fatkeqësie.

Po në këtë mbledhje, Këshilli Bashkiak i Bulqizës, vendosi që të miratojë dhënien e afro 42 hektarëve tokë të fondit pyjor – kullosor në fshatin Gjoricë e poshtme të njësisë administrative Gjoricë, tek kompania “Gjorica Solar Park”. Edhe ky park pritet që të ketë një fuqi të instaluar prej afro 40 MW. Në dëgjesën publike të mbajtur në datë 20 shkurt të këtij viti, nuk pati kundërshtim nga banorët e zonës.