Jep dorëheqjen kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim

367

Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

Ish-ministri i Drejtësisë, Vasili, gjatë një konference për mediat në selinë e LSI-së është shprehur se jep dorëheqjen për arsye të riorganizimit të kësaj partie.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit Partia Lëvizja Socialiste për Integrim siguroi 225.678 vota ose 14,28 për qind, duke siguruar 19 mandate në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë.

LSI që nga themelimi i saj në vitin 2004 dhe deri në fillim të majit të këtij viti është drejtuar nga kreu aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ndërsa ky i fundit dha dorëheqje nga drejtimi i saj pasi u zgjodh në postin e presidentit të Shqipërisë.

Kujtojmë se edhe lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, pas humbjes në zgjedhje bëri të ditur dy ditë më parë se ka marrë vendimin për të ngrirë të gjitha funksionet e tij organizative si kryetar i PD-së. Më 22 korrik të këtij viti do të organizohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.