Interes i lartë për dhurimin e gjakut në Dibër

458
Foto ilustruese

Pavarësisht emigrimit të vazhdueshëm të popullsisë, tradita e dhurimit vullnetar të gjakut në qytetin e Dibrës në Maqedoninë e Veriut vazhdon. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë tre muajve të fundit janë grumbulluar afro 150 njësi gjaku, duke e renditur Dibrën ndër komunat me numrin më të lartë të dhuruesve në raport me popullsinë në Maqedoninë e Veriut, që sipas regjistrimit të fundit arrin në rreth 15 mijë banorë.

Sipas Isni Telqiu, sekretar i organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, vetëm në aksionin e fundit të zhvilluar janë mbledhur mbi 35 njësi gjaku. Ai thekson se, megjithëse shumë dhurues janë larguar jashtë vendit, trashëgimia e dhurimit të gjakut mbetet e fortë në Dibër.
“Jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen, sidomos nga të rinjtë. Kjo tregon se ndërgjegjësimi dhe ndjeshmëria për të ndihmuar jetën e tjetrit po përcillet edhe te brezat e rinj”, u shpreh Telqiu.

Gjakun e dhuruar e kanë nevojë pacientët që kanë pësuar aksidente, ata që operohen, gratë gjatë lindjes, si dhe njerëzit me sëmundje të rënda si anemia apo kanceri. Gjaku përdoret edhe në transplantet e organeve.

Pas tragjedisë në Koçan në Maqedoninë e Veriut, në të gjithë vendin është vërejtur një rritje e mobilizimit për dhurim gjaku. Edhe në Dibër, në periudhën janar-maj janë organizuar tre aksione, ndërsa deri në fund të vitit pritet të realizohen gjashtë të rregullta dhe disa shtesa gjatë muajve të verës, kur në qytet kthehen shumë mërgimtarë.

Në ambientet e Kryqit të Kuq, takuam gjashtë të rinj që për herë të parë vendosën të dhurojnë gjak. Me buzëqeshje dhe entuziazëm, ata treguan se dëshira e tyre është ta bëjnë këtë veprim një zakon të përhershëm, duke shpresuar se do të frymëzojnë edhe të tjerët të ndihmojnë në mënyrë të njëjtë.

Telqiu thekson se bashkëpunimi me bizneset, shoqatat qytetare dhe institucionet lokale e qendrore është kyç për arritjet e deritanishme, pasi ndihma e tyre ndikon drejtpërdrejt në realizimin e aksioneve humanitare.

“Përmes ligjëratave dhe punëtorive vetëdijësuese, punojmë vazhdimisht për të rritur ndërgjegjësimin sidomos tek të rinjtë, sepse çdo njësi gjaku mund të shpëtojë jetë,” përfundon Telqiu.

Mërgimtarët që kthehen për pushime në Dibër dhe në komunën rurale Qendër Zhupë tregojnë një angazhim të veçantë duke dhuruar gjak gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje. Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, është rritur edhe numri i dhurimeve të bëra pas këshillave të mjekëve, ku qytetarët përgjigjen me gatishmëri dhe dëshirë për të dhuruar gjak.