Qeveria miraton marrëveshjen për pikat e përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut, hapet rruga për “One Stop Shop” edhe në Bllatë

194
Prej disa javësh kanë nisur edhe punimet tek Pika e Kalimit Kufitar Bllatë, në kuadër të investimit për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës doganore. Aktualisht po realizohen shtresat asfaltike, ndërsa ndërhyrja synon të rrisë kapacitetet operacionale, sigurinë dhe efikasitetin në përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve.

Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe zbatimin e kontrolleve të përbashkëta, një vendim që pritet të hapë rrugën për funksionimin e sistemit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Bllatës.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Qeverisë, ku ai njoftoi se marrëveshja është një nga dy vendimet e rëndësishme të miratuara me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Sipas Lamallarit, marrëveshja synon të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen ndërkufitare të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve.

“Kjo marrëveshje do të sjellë kalime më të shpejta në kufi, do të mbështesë turizmin dhe do të lehtësojë qarkullimin e mallrave mes dy vendeve. Ndërkohë që pritet ratifikimi në parlamentet respektive, do të përdorim periudhën e testimit për të zbatuar në praktikë procedurat e reja të lehtësuara,” deklaroi ministri.

Marrëveshja ishte nënshkruar në muajin qershor 2026 në Peshkopi nga përfaqësuesit e ministrive të Brendshme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dokumenti parashikon vendosjen graduale të kontrolleve të përbashkëta në pikat kufitare përmes protokolleve të veçanta, pasi të plotësohen kushtet ligjore dhe operative për secilën pikë kalimi.

Në praktikë, sistemi “One Stop Shop” do të eliminojë kontrollet e dyfishta, duke bërë që qytetarët dhe automjetet të ndalojnë vetëm një herë për procedurat kufitare, çka pritet të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave.

Marrëveshja përfshin gjithashtu mekanizma për bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kufitare të dy vendeve, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar dhe formave të tjera të paligjshmërisë.

Një nga pikat që pritet të përfitojë më shumë nga zbatimi i këtij sistemi është Bllata, porta kryesore lidhëse mes Dibrës shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. Për banorët e zonës dhe bizneset që operojnë në të dy anët e kufirit, vendosja e kontrollit të përbashkët konsiderohet prej vitesh një domosdoshmëri për të shmangur vonesat dhe procedurat e zgjatura.

Rëndësia e kësaj pike kufitare pasqyrohet edhe në fluksin e lartë të lëvizjeve. Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të autoriteteve maqedonase, në Bllatë janë regjistruar 1.426.336 kalime, me 732.259 hyrje dhe 694.107 dalje. Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 834.355 kalime, numri i udhëtarëve është rritur ndjeshëm.

Ndërkohë, pika kufitare Xhepisht–Trebisht, e cila shërben kryesisht për banorët e njësisë administrative Trebisht në Bashkinë Bulqizë, është përdorur nga 47.023 udhëtarë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rënie të fluksit krahasuar me një vit më parë.

Kërkesa për vendosjen e sistemit “One Stop Shop” në Bllatë është artikuluar prej vitesh nga përfaqësues të pushtetit vendor, bizneset dhe aktorët ekonomikë të rajonit, të cilët kanë argumentuar se procedurat e dyfishta kufitare pengojnë zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe turizmin ndërkufitar.

Një model i ngjashëm funksionon që prej korrikut 2023 në pikën kufitare të Qafë-Thanës, ku qytetarët dhe automjetet kalojnë përmes një procedure të vetme kontrolli. Me miratimin e marrëveshjes nga Qeveria shqiptare dhe pas ratifikimit në parlamentet e të dy vendeve, autoritetet synojnë të nisin periudhën e testimit për të vënë në zbatim të njëjtin model edhe në pikat e tjera kufitare, përfshirë Bllatën.

REKLAMË