Idrizi 7 pika për zgjidhjen e krizës politike

341

Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi ka propozuar një Pak Kombëtar me 7 pika për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Letra e Shpëtim Idrizit:

Të dashur bashkëqytetarë.

Në këtë moment të vështirë politik, duke parë që situata vazhdon të jetë në një ngërç prej më shumë se një muaji, si edhe duke parë pozicionimin e palëve larg njëri-tjetrit;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, z.Edi Rama, në pozitat e fituesit legjitim të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Parlamentit dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, si parti përbërëse e koalicionit qeveritar;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha dhe kërkesën legjitime për nevojën e garancive të jashtëzakonshme për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit;

Si Kryetar i PDIU-së dhe me përgjegjshmërinë që më buron propozoj, një Pakt Kombëtar, i cili do të përfshijë zgjidhjen e çështjeve konkrete për përparimin e vendit në integrimin Europian, realizimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e garancive për zgjedhje të lira, një draft ky rreth të cilit mund të debatojmë dhe mund ta pasurojmë bashkërisht:

1-Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

2-Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.

3-Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.

4-Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare

5-Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.

6-Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të  gjitha partitë parlamentare.

7-Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.

Për arritjen e kësaj zgjidhje do të kërkoja dhe mirëprisja bashkpunimin e përfaqësive dipolmatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së, dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Kërkoj dhe mirëpres gjithashtu mbështetjen dhe kontributin e të gjitha partive parlamentare pjesë të mazhorancës, opozitës apo edhe ato që nuk bëjnë pjesë në grupimet politike të mazhorancës dhe opozitës.