“Gurët e Skënderbeut” dhe rrëfime si e krijoi Skënderbeu kënetën e Vajkalit

245
Fusha e Vajkalit, Bulqizë. Foto: S. Curri

Në këtë pjesë të radhës, mbi përmbajtjen e materialeve të vjetra arkivore nga ish-Instituti i Folklorit, që u referohen tregimeve dhe gojëdhënave mbi Skënderbeun dhe vendet e tij, sjellim në vëmendje rrëfenjat në lidhje me Gurët e Skënderbeut dhe krijimin e kënetës së Vajkalit në Bulqizë, por njëherësh do të përpiqemi të ndërtojmë një analizë të shkurtër në kuadër të asaj që ne e quajmë “gjeografi historike”.
Çfarë janë gurët e Skënderbeut?

Kemi të bëjmë me një toponim në luginën e Vajkalit (sektori i sipërm i luginës së Bulqizës), atje ku sot ngrihet monumenti i Skënderbeut, në anën lindore të fshatit Vajkal, vetëm 2.5 km në lindje të qytetit të Bulqizës, buzë rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi. Toponimi i referohet një grumbulli gurësh masivë magmatikë, me volum secili nga 2-3 m³ deri në 10-15 m³, kryesisht në anën e poshtme të xhadesë, por edhe në anën e sipërme. Gurët kanë qenë më të shumtë në të shkuarën, por sot janë të dëmtuar.

Kujtoj, që vendasit, jetë e mot këtij vendi i kanë thënë “Gurët e Skënderbeut”. Me aq sa di, në asnjë vend fushor në Shqipëri nuk gjen një toponim të tillë, pasi me këtë emërtim jepen toponime në kodra e male por jo në fushë, e kjo e bën atë sa interesant në aspektin studimor, aq dhe kuptimplotë në aspektin e vlerave të trashëgimisë.
Është e qartë se gurët janë të shkëputur nga shpatet e kurrizit që bie pjerrët në luginë të Vajkalit. Ky kurriz, sipas hartës italiane, ka dy kuota për tu shënuar, ajo më pranë gurëve quhet maja e Karakollit, në 1200 m, e pak më në jug maja e Rrasës, ose Rrasa e Duriçeve, në 1536 m. Ky kurriz është një damar i zgjatur drejt veriut i malit të Dhoksit (2020m).

Për rolin natyror por edhe historik të gurëve do të flasim pasi të japim disa gojëdhëna popullore të mbledhura rreth vitit 1950 në fshatrat e zonës.
1.
“Fushë-Bulqizës i kanë pas thanë Fushë e Teviollit, sot e përdorin Fushë e Tezallit. E kam ndigju nga një farë I.Koçi, i cili ka vdekë 90 vjeç, 20 vjet përpara. Ai më ka thënë se unë, kur ikëm prej serbit, ndejtëm nja dy javë në Bulqizë. Prej atij plaku e kam dëgjuar këtë fjalë.”
[Mbledhur në Zerqan, më 4 korrik 1953]
2.
“Fusha e Vajkalit ka qenë pyll, aq sa nuk punonin zogjtë në të e jo më robt; ka qenë krejt pishë. Ka pasur vetëm një ujë në mes, Uji me Shtrema (Shtrembër) i thoshin. Edhe sot me shtrema është ai ujë.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, më 1953]
3.
“Ku i thonë sot Fusha e Vajkalit, te Gurët e Skënderbeut, aty ka bërë luftë Skënderbeu. Më parë i thoshin Fusha e Teviollit. Këtë e kam ndjerë nga pleqtë e Vajkalit.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, më 8 korrik 1953]
4.
“Në Vajkal s’ka pasur katund. Kanë qenë mashnore. Kur vijnë vajkalorët në Koçaj thonë: ‘Shkojmë në katund’. Ne të Koçajve dhe të Dushajve u themi mashnorë atyre. Në Vajkal ka qenë bjeshkë, për të kullotur bagëtinë në verë. Vetëm ujë të ftohtë, pishë e bar për dele ka pasur aty. Dyqind vjet më parë në Fushë të Vajkalit ka qenë pishë, s’ka pasur ujë.”
[Mbledhur në Koçaj (Bulqizë), Dibër, më 1953]

Në foto: Përmendorja e Skënderbeut, vendosur në Fushën e Vajkalit. Burimi: Studio Karaj

5.
“Te Gurët e Skënderbeut në Bulqizë, Skënderbeu ishte rretheku (rrethuar). Që ta ndalonte ushtrinë turke, i lëshoi një mallkim atij vendi që të bënte ftohtë. Dhe, me të vërtetë, po ta kërkosh Shqipninë rreth e qark, një vend ma t’ftohtë se aty nuk ka. Ky vend bën varre për çdo vit; aty shkon e s’vjen. Kanë vdekur dy vetë prej të ftohtit, lumjanë. Për çdo vjet vdesin aty.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, 1953]
6.
“Te Gurët e Skënderbeut në Bulqizë, i kanë mërdhihë zagarët Skënderbeut dhe i kanë cofë (ngordhur) prej të ftohtit. Prandaj Skënderbeu e ka nëmur atë vend: ‘Këtu mos iu ndaftë furtuna, gazeplleku’. Edhe në verë fryn në atë vend, jo më n’dimër që të shkul.”
[Zerqan, Dibër, 1953]
7.
“Thonë se Skanderbegu ka qenë në majë të Duriçit (mali i Dhoksit) për gjueti. Kur ka ra në Fushë t’Vajkalit i kanë mërdhihë langojt. Atëherë Skënderbeu i nëmi: Fryftë e mos zëntë karar as dimër e as verë ky vend’. Edhe sot këtu fryn e bën ftohtë dimër e verë prej nëmës që i dha Skënderbeu”.
[Mbledhur në Bulqizë më 18 tetor 1950]
8.
“Kur kishte adhur Skënderbeu një herë në Bulqizë, kishte dalë me gjujt aty afër katundit. Langojt e vet që i kishin iku pëpara i gjeti duke u zënë me një kulçedër. Ngre këta gurë të mëdhenj Skënderbeu, ia fut kulçedrës dhe e lë top në vend. Gurët gjenden te Rrasa e Duriçjet dhe quhen Gurët e Skënderbeut.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, 1950]
9.
“Ushtria turke po vinte nga Dibra. Skënderbeu i priti te Fusha e Davollit në Vajkal të Bulqizës. Aty nisi të shembë shkëmbinjtë e malit e i dërmoi turqit. Shkëmbinjtë janë edhe sot në Fushë të Vajkalit, pranë mëhallës së Duriçeve. Populli u thotë Gurët e Skënderbeut.”
[Mbledhur në Vajkal më 18 tetor 1950]
10.
“Skënderbeu ka shembë ca gurë të mëdhenj, shkrepa. I shembi se luftoi me Turqinë atëherë, bëri luftë të madhe në Bulqizë. Kur ka lëshuar ata gurët e mëdhenj teposhtë, copëtoi shumë asqerë dhe Turqia u kthye prapa.”
[Mbledhur në Zerqan, Dibër, 4 korrik 1953]
11.
“Si e pa që s’e mbajti dot Turqinë, se kishte shumë ushtri me vete, Skënderbeu deshi t’i këpuste rrugën, t’ia zërë. Për këtë lëshoi gurët nga mali që t’i vriste asqerët.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, 1953]
12.
“Gurët e Skënderbeut janë afër xhades së automobilit, në mëhallën e Duriçeve. Këto i ka shembur Skënderbeu nga mali se deshi të zërë grykën e fushës së Vajkalit, e deshi ta kthejë gjol (liqen) tërë vendin e kësaj fushe. Skënderbeu tha: Do ta bëj këtë vend det.”
[Mbledhur në Vajkal (Bulqizë), Dibër, më 18 tetor 1950]
13.
“Skënderbeun e kishte qitë lufta në Lug të Dedes. Kur po shkonte andej, iu sekelldis kali edhe i huti këmba në rrasë. Sot këtij vendi i thonë gjurma e kalit të Skënderbeut.”
[Mbledhur në Vajkal (Bulqizë), Dibër, 1953]
Këto janë 13 nga afro 20-30 tregime popullore për këtë toponim, të mbledhura e pasqyruara nga Instituti i Folklorit dhe Universiteti Shtetëror i Tiranës mes viteve 1950-1967.
Me rëndësi për ne është pika 12, ku rrëfenja thotë se gurët u shembën për të zënë grykën e Vajkalit, pra të bllokohej rrjedha e zallit, në mënyrë që fusha e Vajkalit të shndërrohej në liqen, kjo do t’ua pamundësonte turqve avancimin drejt Krujës.

Ajo që dimë, është se lugina e Vajkalit ka tipare grabenore dhe për tektonikën bllokore vlen shprehja “ngritjet e mëdha shoqërohen me zhytje të mëdha”. Për historinë e krijimit të kënetës në fakt duhet të flasin gjeologët dhe shkencëtarët e tjerë (biologë, gjeomorfologë etj).

Janë depozitimet e shumta fluvioglaciare që depozitohen në atë grykë, qoftë nga prurjet e përroit të Duriçeve nga Dhoksi, e qoftë nga përroi i Llapushave e veçmas një përroske të quajtur përroi i Haspatës nga Balgjai (pranë lagjes Aliaj), që kanë sjellë formimin e konit të depozitimit në kufirin ndarës Vajkal-Dragu, pra ngritjen e territorit në atë sektor, duke u bërë kështu pengesë për rrjedhjen e zallit, e për pasojë krijimin e kënetës. Gojëdhëna thotë se ishte Skënderbeu që e nxiti këtë, duke shembur gurë të mëdhenj e duke i bërë pritë, për ta shndërruar atë vend në gjol (liqen).

Kjo po, që është vërtet interesante.

Sa për dijeni, kënetën në Vajkal e thau komunizmi, por e riktheu sërish kapitalizmi. Vështirë të gjendet në planet një objekt tjetër natyror që e ka të lidhur jetën me regjimet politike…