28% e rrjedhës natyrore të lumenjve të Shqipërisë u zhduk brenda 13 vitesh

397
Lumi Drin i Zi. Foto: A. Ashiku

Një studim i fundit mbi lumenjtë e Ballkanit ka treguar se Shqipëria po përjeton një tkurrje alarmante të lumenjve të saj natyrorë. Raporti “Statusi Hidromorfologjik i Lumenjve të Ballkanit 2025”, i përgatitur nga Dr. Ulrich Schëarz dhe mbështetur nga organizatat EuroNatur dhe Riverwatch, analizon mbi 83,800 kilometra lumenj në 11 shtete dhe evidenton një trend shqetësues: lumenjtë e egër dhe pothuajse të pacenuar po humbasin me ritme të shpejta.

Sipas studimit, përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë në Shqipëri ka rënë nga 68% në vitin 2012 në vetëm 40% në vitin 2025. Kjo si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve, ndërhyrjeve në shtretërit e lumenjve dhe nxjerrjes së pakontrolluar të zhavorrit.

Një vëmendje e veçantë u kushtohet lumit Drin, i renditur si lumë i madh në raport dhe një nga segmentet më të modifikuara të Shqipërisë. Rrjedha veriore e Drinit, që kalon edhe në Dibër, është pjesërisht e bllokuar nga kaskadat e hidrocentraleve dhe shfaqet në hartat e raportit me status “i modifikuar rëndë”. Ndërtimi i liqeneve artificiale ka ndërprerë rrjedhën natyrore dhe ka ndryshuar habitatet e bimësisë dhe faunës lumore.

Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti i nxjerrjes së zhavorrit, sidomos në Drinin e Bardhë, dhe ndotja e ujit kërcënojnë cilësinë e rrjedhës dhe rrisin pasigurinë për banorët dhe komunitetet bujqësore në Dibër. Pellgu i Drinit është regjistruar si një nga zonat më të goditura nga degradimi hidromorfologjik në të gjithë Ballkanin.

Megjithatë, Shqipëria ka edhe sukseset e veta. Shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa dhe mbrojtja e disa degëve të tij kanë ruajtur rreth 900 kilometra lumenj pothuajse natyrorë, duke treguar se ruajtja e lumenjve të egër është e mundur me masa konkrete dhe vendosmëri politike.

Ulrich Eichelmann, CEO i Riverëatch, thekson: “Këto të dhëna duhet të jenë një alarm për qeverinë shqiptare. Mbrojtja e lumenjve nuk është opsionale; është jetike për ekosistemet dhe komunitetet që varen nga uji i tyre.”

Raporti paralajmëron se nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve të reja, lumenjtë e Shqipërisë, mund të humbasin pjesën më të madhe të karakterit të tyre të virgjër brenda një dekade.