Gjyqtari i Dibrës, Edvan Veçani përballet me vetingun

267
Gjyqtari Edvan Veçani pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj/ BIRN

Gjyqtari Edvan Veçani i Gjykatës së Dibrës u përball pa telashe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore të mërkurën më 26 tetor 2022 nuk u evidentuan gjetje për të cilat t’i ishte kaluar barrë prove.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Veçani po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Edvan Veçani ka kryer stazhin profesional pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në periudhën 2011-2012 kur ka fituar titullin “Magjistrat Gjyqtar” dhe në janar të 2014 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, ku dhe e ushtron funksionin aktualisht.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për tre pasuri të pasqyruara nga Veçani në deklaratën “veting”, konkretisht për një apartament në Tiranë në përdorim, të blerë nga prindërit e tij në vitin 2013 për vlerën 145 mijë euro; për një automjet të markës BMW, blerë në 2011-ën për 5000 euro dhe një automjet të llojit Volkswagen në emër të bashkëshortes të blerë në vitin 2012 kundrejt çmimit 145 mijë lekë.

Relatori Hamitaj sqaroi se subjekti e ka deklaruar apartamentin në përdorim që prej vitit 2013, si dhe ka deklaruar një kredi në shumën 80 mijë euro që ka marrë së bashku me nënën për blerjen e kësaj pasurie. Ai ka shpjeguar se këstet e kredisë të marrë për apartamentin shlyhen nga prindërit e tij.

Nisur nga përdorimi i kësaj pasurie, Komisioni ka verifikuar mundësinë e prindërve të subjektit për blerjen e apartamentit me burime të ligjshme. Nga hetimi është konstatuar se për pagesën e këstit të parë në vlerën 65 mijë euro është disponuar nga prindërit vlera e përfituar prej shitjes në vitin 2013 të një apartamenti të mëparshëm për çmimin 8.7 milionë lekë. Ndërsa kësti i dytë është paguar me kredinë 80 mijë euro.

Gjithashtu ka rezultuar se, për sigurimin e kësaj kredie është vendosur barrë hipotekore apartamenti që është blerë në vitin 2013 dhe që përdoret prej subjektit. Hamitaj theksoi se nuk kanë rezultuar probleme lidhur me burimet e ligjshme të kësaj pasurie.

Prindërit e subjektit kanë rezultuar me burime të ligjshme edhe për blerjen në vitin 2011 të një automjeti tip BMW në pronësi të gjyqtarit Veçani për shumën totale rreth 6700 euro, ku përfshihen  edhe detyrimet doganore.

Sipas KPK, nuk janë gjetur probleme edhe për blerjen e automjetit nga bashkëshortja në vitin 2012, ku si burim janë deklaruar të ardhurat e familjes së saj të origjinës. Nga hetimi ka rezultuar se prindërit e bashkëshortes kanë pasur mundësi për t’i dhuruar asaj shumën 145 mijë lekë.

Hamitaj konstatoi se nga analiza financiare ka rezultuar se Veçani paraqitet çdo vit me balancë pozitive.

Veçani mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan gjetje domethënëse për profesionalizmin.

Hamitaj relatoi gjetjet për pesë denoncime nga publiku si dhe të një fakti të bërë publik në media. Sipas tij, Komisioni është vënë në dijeni nga mjetet e informimit publik lidhur me një shkrim të botuar në median online, në përmbajtjen e të cilit, përshkruhej se, Gjyqtari A. K., i cili po shqyrtonte një pjesë të “Dosjes 184”, kishte thënë në seancë gjyqësore se ishte përjashtuar nga çështja me vendim të zevendëskryetarit të Gjykatës së Dibrës, Edvan Veçani. Po ashtu, në artikull evidentohej se gjyqtari A.K. ishte përjashtuar me kërkesë të avokatëve, sepse kishte vendosur ndarjen e dosjes dhe gjobitjen e tyre në mungesë.

Sipas Hamitajt, nga verifikimi i dosjes dhe vendimarrjes së Veçanit për përjashtimin e kolegut të tij nga gjykimi çështjes të quajtur si “Dosja 184”, ka rezultuar që subjekti të jetë shprehur se  gjyqtari A.K. nuk ka treguar njëanshmëri në punën e tij, por meqënëse pala kërkuese ka humbur besimin, duke shfaqur dyshime mbi çështjen, ka çmuar se kërkesa për përjashtimin duhej pranuar me qëllim ruajtjen e objektivitetit.

Veçani nuk dha ndonjë shpjegim për sa u relatua në seancë. Ai falënderoi Komisionin për hetimin administrativ që e konsideroi objektiv. Por, relatori Hamitaj i kërkoi shpjegime për një prej çështjeve të denoncuara nga publiku që kishte të bënte me një lëshim urdhëri ekzekutimi.

Hamitaj sqaroi në seancë se vendimarrja e subjektit është trajtuar edhe nga emisioni “Fiks Fare”, ku prej denoncuesit është pretenduar se nga ana e gjyqtarit Veçani nuk është bërë asnjë kërkesë për të verifikuar nëse vendimi për të cilin ka lëshuar urdhërin e ekzekutimit, ka qenë ose jo i formës së prerë.

Komisioni ka administruar fashikullin e çështjes në fjalë nga ka rezultuar se gjyqtari para se të lëshonte urdhërin e  ekzekutimit, ka konstatuar se në vendimin përkatës ishte shënuar nga kancelaria se vendimi kishte marrë formë të prerë, pasi nuk ishte ushtruar ankim. Hamitaj vërejti se ky fakt është cituar dhe argumentuar edhe në vendimin e subjektit për pranimin e kërkesës për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit.

Pas nxjerrjes së këtij urdhëri nga subjekti, në vitin 2017 është ngritur një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Dibër duke kërkuar pavleshmërinë e titullit ekzekutiv të vendimit gjyqësor të subjektit. Kjo padi është pranuar duke deklaruar të pavlefshëm titullin ekzekutiv të përfituar nëpërmjet vendimarrjes së Veçanit.

Vendimi për deklarimin të pavlefshëm të titullit ekzekutiv është ankimuar në Apelin e Tiranës, por ende nuk është shqyrtuar nga kjo gjykatë.

Hamitaj vërejti gjatë relatimit se dukej e paqartë dinamika dhe procedura administrativo-ligjore mbi të cilën fillimisht është pranuar e regjistruar kërkesa për një urdhër ekzekutimi, nga Kancelaria e Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, si dhe roli verifikues e vendimarrës i subjektit.

Pasi relatori i kërkoi të jepte shpjegime, Veçani deklaroi se është bazuar në shënimet që gjendeshin në vendim. Ai tha se ishte shënuar se vendimi për të cilin është kërkuar lëshimi urdhërit të ekzekutimit ishte i formës së prerë. Në vijim, subjekti sqaroi se kërkesa ishte dorëzuar në kohën kur ai kishte filluar detyrën dhe se nuk kishte pasur ndonjë arsye që të dyshonte se nuk ishte vendim i formës së prerë.

Në përfundim gjyqtari Edvan Veçani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 28 tetor, në orën 09:30.