Sipas Eqrem Çabej, emri Xibër vjen nga deformimi ndër shekuj i fjalës bazë Syber, më vonë Çipur e në fund Xibër. Nga ana e poshtme e Luginës së Matit, zona e Xibrit nuk duket fare pasi e pengojnë malet që e rrethojnë. Ndërsa lugina e Matit e parë prej Xibrit duket mjaft qartë, duke filluar nga Martaneshi, Qafa e Buallit, Klosi me fshatrat përreth e deri në Malin e Dejës.
Dikur zona ka qenë një pllajë malore, e vendosur rreth 600 metra mbi lumin Mat dhe tarracat lumore që përbëjnë edhe bazën e poshtme të luginës në dy anët e tij. E parë nga lugina e Matit, zona ishte jo vetëm e izoluar nga malet por edhe dukshëm e vendosur lart mbi këtë luginë. Prej këtij fakti mendohet që ka marrë edhe emrin zona, pra Zona e Sipërme, Sipër – Xibër.
Zona nuk ka qenë aspak siç e shohim sot me plot përrenj dhe kaq shumë e eroduar.
Të parët tregojnë që vetëm para disa dekadash kanë gjetur cungje shekullore pishash në zonë, ndërkohë që sot nuk ka asnjë pishë natyrale aty. Me siguri ndonjë ngjarje e madhe natyrore duhet të ketë ndodhur që zona është transfomruar aq shumë. Mbase ndonjë zjarr masiv, i cili ka djegur pyjet halore aty. Pastaj ka filluar erozioni i cili ndër shekuj e ka ndryshuar shumë morfologjinë e terrenit në fshatra dhe përreth tyre. Ngjarja duhet të ketë ndodhur rreth 400 vite më parë ose dhe më shumë (hamendësim). Më pas ka filluar largimi i popullsisë (kryesisht prej fshatit Ketë). Mbiemri (Keta) është gjetur në malësitë e Tiranës, Bulqizë, Maqedoni etj. ndërsa banorët e larguar shekuj më parë nga zona gjenden deri në jugun e Italisë.
Në Ketë thuhej se gjendeshin edhe dingat e prodhimit të barutit.
E vendosur mes maleve, zona kishte vetëm dy pika kalimi nëpër të; Qafa e Murrizës (mbi tunelin që po bëhet në aksin e rrugës së Arbrit) dhe Qafa e Qerres (pak metra poshtë kalasë Ilire të Xibrit). Nga ana tjetër këto dy pika hyrje-dalje ishin pjesë e rëndësishme e aksit të rrugës së Arbrit. Siç dihet, ky aks lidhte Durrësin me Dibrën dhe më tej me Maqedoninë.
Në fshatin Xibër-Hane kemi një lagje që quhet ‘Hane’, fare afër aksit kryesor të rrugës së Arbrit, e që me siguri emrin e ka marrë prej Haneve (hoteleve të kohës) që gjendeshin aty.
Kalaja ilire e Xibrit e cila ka një sipërfaqe rreth 4 hektarë është vendosur mbi lagjen Splaj dhe fshatin Shkallë apo në majë të malit të Darsit. Nga banorët zona aty quhet ende ‘Maja e qytezës’. Kalaja duket se ishte pika kryesore e kontrollit të aksit të rrugës së Arbrit pasi gjendet vetëm pak metra larg aksit të dikurshëm të kësaj rruge. Në këtë kalà janë gjendur monedha të përdorura në shkëmbimet tregtare me Apoloninë dhe Durrësin. Objektet më të rëndësishmë në këtë kalà që janë gjetur janë; një terrakotë me figuren e Demetrës dhe një unazë me figurën e Erosit shigjetar. Kalaja e ka patur lulëzimin e sajë më të madh 2200-2400 vite më parë.
Në fshatin Shkallë gjendet “Shpella e shkruar” me piktograma, tregues i një vendbanimi rreth 6000 vjeçar (sipas prof. Muzafer Korkutit: Simbole, piktura dhe kode të veçanta të njerëzimit, të gdhendura në shkëmbinj, të zbuluara në mbarë territoret shqiptare; në Lepenicë, Reç, Xibër, Bovillë, në Tren e deri në Mal të Zi, bëjnë pjesë në rrënjët e qytetërimit. Herë të gdhendura e herë të pikturuara në gurë, ato datojnë rreth 6 mijë vjet më parë. Këto kode kanë udhëtuar në shekuj e janë bërë gjuhë e përbashkët e popujve më të vjetër të Europës e Ballkanit). Shpella ka ende të gdhendura në të simbolet pagane të adhurimit të diellit, me një rreth brenda të cilit gjendet një kryq. Kjo shpellë gjendet rreth 500 metra poshtë Kalasë Ilire të Xibrit.
Rreth 2 kilometra në vijë ajrore nga kalaja Ilire gjendet edhe kalaja e Petralbës (kalaja e Skënderbeut). Me siguri kjo kala e mëvonshme është ndërtuar atje për të qenë sa më afër aksit të devijuar të rrugës së Arbrit dhe që kontrollonte po ashtu edhe Urën e Vashës. Aksi ka devijuar vonë prej kalasë Ilire për në drejtim të Kalasë së Petralbës (ndoshta para 600-800 vitesh).
E folmja e zonës ndryshonte po ashtu (edhe sot) me pjesën tjetër të zonës së Klosit dhe Matit. Ndoshta prej izolimit të gjatë me zonat përreth, ekziston edhe sot e kësaj dite mjaft mirë e ruajtur e folmja e veçantë e zonës, veçanërisht tek të moshuarit. Edhe veshja, këngët e vallet kanë veçantitë e tyre në Xibër.
Pazarin si zonë e bënim më së shumti në Tiranë, dhe Shupenzë (Dibër), atje ku gjendej edhe ‘kali i shpirtit’ – buka d.th.m ose drithi.
Lidhur me burimet natyrore, zona ka po ashtu mjaft për të ofruar; Livadhet e Ketit me Zambakun e famshëm të poetit ku gjendet edhe një shafran endemik, Mali i Murrizes, Mali i Papatit, Llapusha, Drreja, disa burime ujore (gurra) si dhe dy kanione të mrekullueshme janë vetëm disa nga vlerat e zonës.
Para ca vitesh pata propozuar që zona të shpallej si Park natyror, i cili duhej të përfshinte gjithë këto zonat natyrore që përmenda e sigurisht brenda tyre edhe të gjitha vlerat kulturore po ashtu. Duke përfshirë edhe Gurin e Bardhë si zonë të mbrojtur (park), ndoshta do të ishte një ndër më të mirët dhe më të dëshiruarit që do të kishim në Shqipëri.
Pavarësisht se unë e them me shaka që Xibri është ‘Qendra e botës’ (siç i duket gjithkujt vendlindja e tij), ka plot gjëra që akoma nuk dihen për këtë zonë. Nuk po them që ne kemi çliruar botën apo kjo e fundit rrotullohet rreth nesh, por një zonë me kaq shumë vlera kulturore nuk ka qenë aq e humbur sa u bë shekullin e kaluar. Ne nuk fituam ndonjë luftë që të shkruanim vetë historinë tonë (siç ka thënë Napoleoni), por as të tillë nuk kemi humbur, ama beteja sigurisht që po.
Ndoshta ka ardhur koha që të zbulohen më shumë gjurmë prej harresës së kohëve…