Duke lexuar romanin “Njeriu me maskë”, të Agim Demirit

163
Foto ilustruese nga libri

Kisha kohë që interesohesha për romanin “Njeriu me maskë” të Agim Demirit. Autori ma bëri dhuratë. Romani është një produkt letrar shumë i bukur, me elementë të pasur gjuhësorë, shprehje figurative të larmishme dhe plot të papritura.

Romani ka në qendër të vet dy personazhe, njëri pozitiv e tjetri negativ, kurse personazhet e tjerë të përfshirë kanë rol komplementar, por që i japin mjaft larmi veprës, si Islami, Sherifi, Rexhepi, Dashja, Llani, nxënësi Dritan që ishte nga një familje e prekme, babai i tij Ramizi, kolegët në arsim e këshill si Emini, Idajeti, Jashari, Shqipja, Hamdiu, inspektor Rasimi etj. Natyrisht, unë nuk jam ekspert i fushës të bëj analizën letrare të romanit, për këtë duhet një penë e përgjegjshme nga disiplina përkatëse, por mua më tërhoqi koha e zhvillimit të ngjarjeve dhe qasjet e njerëzve ndaj detyrës dhe në raportet me njëri-tjetrin.

Ngjarjet e romanit zhvillohen në një fshat të thellë malor, në Cakul, e personazhi pozitiv është një vajzë e re, Ramie Lama, e cila caktohet përgjegjëse e shtëpisë së kulturës. Ajo përpiqet të bëjë më të mirën e saj, edhe pse në atë fshat nuk kishte fare shtëpi kulture. Por falë saj, arrihet të bëhet diçka dhe njerëzit e duan, e vlerëzojnë për vullnetin e mirë, profesionalizmin dhe të renë që ajo ofronte. Përkundër Ramies shfaqet personazhi negativ, Zenel Morava, i cili, nga një tornitor, merr ftesë të futet në parti dhe pas një periudhe stazhi emërohet sekretar në fshatin Cakul. Por si shumë funksionarë partiakë ai ua menderos arsimtarëve dhe kuadrove që ishin me punë në këtë fshat. Zeneli kishte marrë vesin e hajdutit në pronën e përbashkët, spiunonte kolektivin dhe arriti nëpërmjet ndihmës edhe të sigurimsit Rexhep, që ta fajngjisin Ramien për veprimtari armiqësore.

Romani ka ekuilibra të pazakontë në trajtesën që u bëhet personazheve dhe ngjarjeve dhe mbyllja e tij nuk është një “happy end”, pasi një gaz i degës vjen dhe merr Ramien, për të cilën ishte bërë gati dosja për veprimtarinë e saj armiqësore.

Unë në çdo rresht që lexoja, gjeja në roman “binjakun” e secilit personazh nga jeta reale e fëmijërisë tonë në sistemin e kaluar. Sekretarë që bëjnë moral për drejtësi dhe vidhnin, imoralë, thashethemxhinj, prapanikë dhe ashtu siç thoshte Ramia “gjynah që në parti të ketë injorantë”, duke nënkuptuar Zenelin, por që në dosje e shënonin “ajo ka thënë Partia përbëhet nga injorantë”.

Ndoshta sot jemi më të lirë të shprehim mendimet tona, por si duket funksionarët partiakë në Shqipëri në çdo kohë më ngjajnë me Zenelin e romanit “Njeriu me maskë”.
Kushdo që e lexon këtë roman, do të bindet se është i bazuar në ngjarje të vërteta, pavarësisht ngjyrave letrare që i ka dhënë autori.