10 nga 100 problemet e ligjit të ndryshuar “Për zonat e mbrojtura”

153
Liqeni i Zi i Valikardhës. Foto: Sami Curri

Ndryshimi i ligjit bazë ‘Për zonat e mbrojtura’ nr.81/2017 me ligjin 21/2024 ka sjellë një reagim të madh dhe krejt të arsyeshëm të organizatave mjedisore por dhe partnerëve ndërkombëtarë (kryesisht nga BE). Ndryshimet sollën një pështjellim dhe ndryshim rrënjësor të gjithëçkaje ishte arritur vite më parë, siç ishte krijimi i Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, adminstratat rajonale dhe stafet e dedikuara për këto zona, dhe mbi të gjitha fryma e mbajtur deri sot lidhur me mbrojtjen e natyrës. Ja 10 nga 100 problemet me këtë ligj (në fakt problematika është mjaft e gjatë);

1. Ndryshon totalisht fryma e ligjit bazë 81/2017.

Teksa ligji 81/2017 bazohej mbi frymën e IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), ashtu si shumica absolute e ligjeve të ngjashme anë e mbanë botës, ndryshimet e paraqitura nëligjin 21/2024 e ç’bënë të gjithë atë frymë. Dhe më konkretisht;

a. Hiqet ‘zona buferike’ përreth monumenteve të natyrës: Tashmë nuk ka asnjë pengesë që mbi burimin e “Syrit të Kaltër” psh., mund të ndërohet një kullë a hotel. Po ashtu mund të ndërtohet edhe mbi kanion, poshtë një druri të vjetër, tek hyrja e një shpelle miliona vjeçare. Heqja e zonave buferike i vendos monumentet nën presionin njerëzor dhe rrezikon shkatërrimin e pakthyeshëm të tyre.

b. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me shtimin e aktiviteteve intensive që më parë ishin të ndaluara në zonat tona të mbrojutura (ligjërisht them), si ‘Turizmi i ekselencës’ dhe veprimtaritë ekonomike dhe turistike bashkë me infrastrukturat e tyre atje. Tashmë këto aktivitete lejohen pa asnjë lloj kufizimi.

c. Hiqen nën-zonat brenda zonave të mbrojtura. Përse ndahet në nën-zona territori i nië zone të mbrojtur?! Ndahet pasi vlerat e një zone të tillë nuk janë gjithëkund njëlloj. Brenda sajë ka fshatra, ka monumente, ka zona mjaft të rëndësishme për biodiversitetin, ka zona ku mund të zhvillohet turizmi apo të konservohen elementë të kulturës. Si e tillë, ndarja përfaqësonte një ‘kompromis’ mes objektivave të ruajtjes së natyrës dhe zhvillimit socio-ekonomik të komuniteteve. Heqja e ndarjes në nën-zona bën që psh. tek “Ishulli i Pelikanit” në Parkun Kombëtar ‘Divjakë-Karavasta’ mund të ndërtohet një resort turistik i ekselencës, ose çdo lloj veprimtarie tjetër. Ose në pyllin e Malit të Djatit që shohim ne nga Tirana, mund të ndërtohet një kompleks vilash luksoze në emër të ‘ekselencës’. Heqja e nën-zonomit ka bërë që ishulli i Pelikanit psh. të barazohet për nga rëndësia ekologjike me një serrë që përdor çdo lloj kimikati të mundshëm. Nuk ak ansjë diferencë tashmë.

d. Ligji ka dhe paradokse të tilla si psh., në një Park Kombëtar mundet të garantohet integriteti mjedisor edhe pse brenda tij mund të ndërtosh një super resort turistik me gjithë infrastrukturën shoqëruese. Si mbahet një Park Kombëtar në gjendjen e tij natyrore duke ndërtuar struktura betoni në të?! Vetëm votuesit e ligjit mundet ta dinë.

e. Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare. Me ligjin 21/2014 krijohet një tjetër administratë paralelisht me atë të Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Një trupë e tillë përveçse krijon kakofoni të panevojshme në menaxhimin e zonave tona të mbrojtura, është premisë për konflikte institucionale (shumë më shumë nga sa ka aktualisht) e po ashtu heq elementët e zonës së mbrojtur prej Parqeve tona Kombëtare, duke i kthyer ato në ndërmarrje ndërtimi. Per te njejten gje tashme kemi dy adminstrata. E pashembullt në botë kjo.

f. Ligji ka “Parimin e përshtatshmërisë”…Me këtë parim, ju vihet zjarri zonave të mbrojtura. Kjo do të thotë që nëse një invesitori strategjiko-ekselent i pëlqen një zonë e mbrojtur për të zhvilluar biznesin e tij, mjafton ti vendosë zjarrin asaj zone. Një zonë e diegur (si Pishë-Poro psh që u dogj vjet) nuk është njëlloj si ajo e padjegura. Kështu që tashmë nuk ka pengesa që kjo zonë mqs është djegur duhet ta ndryshojnë psh. nga Park Kombëtar në një zonë tjetër më pak të rëndësishme dhe ku ndërtimi lejohet. Presim pra që investitorët strategjikë të turizmit të ekselencës të shtojnë blerjet e shkrepseve gjatë verës…

2. Zhduket transparenca dhe pjesmarrja në vendimarrje

Në ligjin 21/2024 i jepen shumë kopetenca KKT, që vendos për gjithëçka. Problemi është se mbledhjet e KKT bëhen të mbyllura. Nuk ka asnjë mundësi për dëgjesa publike për vendimet që merren në mbledhjet e tij. Kështu është e pamundur për të shprehur opininone për zonat e mbrojtura pasi nuk je aty, as fizikisht as me shkrim. Gjithëçka përqendrohet në një dorë të vetme; Administrata e Parqeve Kombëtare dhe KKT. Kujt ja mban fjala bie të kundërshtojë kryeministrin nëse bëhet fjalë për ‘strategjikët e ekselencës’?!

Në këtë mënyrë pra, kryeministri bëhet de jure dhe de facto i pari dhe i fundit që vendos për zonat tona natyrore. Por nuk ka asnjë shembull të mirë në botë ku përqendrimi absolut i pushteteve të ketë sjellë ndonjë gjë të mirë, në Shqipëri jo e jo.

3. Problemi socio-ekonomik i krijuar me ligjin 21/2024

Ligji bazë 81/2017 përmes proçesit të zonimit të zonave të mbrojtura mjedisore ishte një mundësi për të ndihmuar në zhvillimin e komuniteteve. Kjo pasi ligji shprehej që veprimtaritë ekonomike tradicionale lejohen dhe mbështeten. Ligji aktual 21/2014 ju bën karshillëk tashmë komuniteteve. Nëse një investitori strategjik i pëlqen psh. një zonë çfardo në Theth a Butrint, qeveria e shpronëson atë zonë (me çmime që janë shpesh 10-20 herë nën vlerën e tregut) dhe ja jep investitorit. Investitori nuk e ka aspak të vështirë për të konkuruar pastaj bujtinat dhe familjet e zonave rurale. Përveçse ekonomik, ligji krijon premisa edhe për konflikte sociale. Askush nuk do të dojë të shpronësohet apo ti hiqet e drejta e përdorimit tradicional të një territori për të cilën ai komunitet e ka mbrojtur dhe sot është në gjendjen më të mirë natyrore nga çdo zonë tjetër.

4. Problemi ligjor i ligjit 21/2024

Konsultimi me grupet e interesit ishte nje kurth i përgaditur me kujdes nga qeveria. Të gjithë u konsultuam me një draft i cili nuk erdhi në parlament. Qeveria nxorri nga syrtati në minutën e fundit varjantin që u miratua në parlament. Kjo është një shkelje ligjore pasi Konventa e Aarhus-it është ratifikuar nga Shqipëria dhe si e tillë ka detyrimin për ta zbatuar atë.

Një tjetër problem ligjor ka të bëjë me vetë tërësineë e ndryshimeve në ligjin 21/2024. Kjo tërësi është në kundërshti të plotë me ligjin bazë 81/2017, dhe e çvesh këtë ligj nga parimet themelore të ruajtjes së natyrës.

5. Problemi me ligjet dhe konventat ndërkombëtare

Ligji 81/2017 bazohej në frymën e IUCN, dhe ishte pjesërisht i përafruar me Direktivën e Habitateve (Nr.92/43/EEC). Si vend kandidat për në BE, Shqipëria ka detyrimin për të përputhur legjislacionin e sajë me atë të BE-së. Ndryshimet në ligjin 21/2024 kanë “fshirë” edhe atë pjesë të ligjit 81/2017 që përputhej me Direktivën e habitateve. Pra ka kthyer proçesin mbrapa në kohë dhe e ka ekspozuar vendin ndaj barrierave të pakueshme ligjore të BE-së. Ruajtja e specieve dhe habitateve nuk garantohet përmes betonizimit dhe këtë s’ka person në botë që nuk e kupton, aq më pak burokratët e pakonkurueshëm të BE-së.

Ngjashëm është edhe Konventa e Bernës, në të cilën po ashtu Shqipëria ka aderuar, dhe që bën të detyrueshme zbatimin e frymës së sajë. Konventa e IUCN ku Shqipëria aderoi në Dhjetor 2023 është po ashtu një tjetër element kundërvënës i ligjit 21/2024, dhe kundërshtia e plotë me frymën e IUCN do ketë pasoja për vendin.

6. Zbatueshmeria e ligjit 21/2024

Të gjithë e dimë se problemi në Shqipëri nuk është ligji, por zbatimi itij. Kjo vlen mbi të gjitha për ligjin 21/2024. Liberalizimi i tejskajshëm në këtë ligj lidhur me ndërtimet në zonat e mbrojtura do hapë ‘kutinë e Pandorës’ për të lejuar të gjitha llojet e ‘strategjikëve’ dhe ‘ekselentëve’ të cilat do mbijnë si kërpudhat pas shiut nëpër parqet tona kombëtare. Sot që flasim, vetëm në Parkun Kombëtar ‘Alpet Shqiptare’ janë së paku 500 ndërtime pa leje, që kanë nisur si stane tradicionale por kanë përfunduar si bunkerë anti-atomikë. Kur ndërtohen kulla e kate pa leje këtu në Tiranë dhe ku funksionojnë të gjitha strukturat dhe superstrukurat e shtetit, si do zbatohet një ligj i tillë në Alpet shqiptare apo në zonat më të thella malore të vendit?! Kush e garanton këtë?! Në praktikë askush, me fjalë, ne jemi garantët e botës…

7. Një ligj që nuk ka asnjë të ngjashëm në botë.

Kujt i ngjan ligji 21/2024?!

Nuk ka asnjë shembull të derisotëm në Evropë ku të ketë një ligj të tillë. Përse fjala bie nuk u morën ekspertë të IUCN që të kishin ndihmuar për të draftuar ligjin? Përse nuk u morën si referenca ligjet e vendeve anëtare të BE-së apo dhe nga rajoni ynë?! Sepse një ligj të tillë kontrovers nuk e ka askush, madje as vendet më të prapambetura të botës. Ligji i arsimit të lartë i vitit 2007 u tha që u mor nga Kili i largët dhe u kritikua masivisht, por ama ligji 21/2024 ska asnjë të ngjashëm me të në botë.

Pak ditë më parë BE miratoi ligjin ‘Për restaurimin e natyrës’, i cili vendos piketa të qarta se në çfar rruge duhet ecur lidhur me natyrën. Dhe natyra e BE-së është shumë më e mbrojtur se jona, por gjithsesi angazhimet e komunitetit Evropian janë sërish shumë serioze. Me këtë ligj ne jemi totalisht në rrugë të kundërt. Ligji ynë 21/2024 duket se është bërë nga kompani ndërtimi dhe aspak nga specialistë të mbrojtjes së natyrës.

8. Kapitulli 27 – mjedisi

Shqipërisë i duhet të kalojë një rrugë të gjatë drejt integrimit në BE. Kapitulli 27 (Mjedisi) prej vitesh mbart një numër të madh problematikash të pazgjidhura. Tashmë, këtij kapitulli i shtohen edhe amendimet e bëra me ligjin 21/2024. Ka qenë vetë Shqipëria që ka propozuar rrjetin e sajë të zonave të mbrojtura EMERALD, rrjet i cili do quhet më vonë si ai i vendeve anëtare të BE-së – NATURA2000. Nëse nga njëra anë është vetë vendi që propozon këto zona si të mbrojtura dhe me tej po vetë ndryshon gjithëçka me to, kjo mbi të gjitha është mungesë totale serioziteti. Një trajektore e tillë kaotike nuk mund të tolerohet kurrsesi nga BE. Kapitulli 27 tashmë do bëhet një barrë edhe më e rëndë dhe pengesë akoma më e pakalueshme drejt BE-së. Ka shumë mundësi tashmë që për shkak të pasurimit të ‘ekselentëve’, vendi të mbetet peng i anëtarësimit në BE.

9. Justifikimi i ndryshimeve ligjore me preteksin e “pengimit te zhvillimit”.

Një nga arsyet që u dha për ndryshimin e ligjit ishte ajo e “pengimit” të zhvillimit. Kjo është tërësisht e pavërtetë. Ndërtimet, në çdo pjesë të territorit janë rregulluar e rregullohen me një kuadër tjetër ligjor që ka të bëjë me ndërtimet dhe zhvillimin e territorit (psh. ligji. 8402, ligji 9780, ligji.107/2014 etj.). Besoj e keni parë kryeministrin apo ministrat që rendin pas përurimit të bujtinave apo hoteleve të ndërtuara (pa u miratuar ligji 21/2024) në zonat e mbrojtura. Po ashtu, kushdo që ka qenë në parqet tona kombëtare ka parë ndërtime nga më monstruozet atje. Shumica janë ndërtuar nga e para dhe ligji bazë 81/2017 nuk e ka penguar zhvillimin e tyre. Të gjithë ato që deri më sot janë futur në burg prej hapjes së një dere a ndërrimin e një dritareje nuk kan qenë në zonat e mbrojtura, por në fshatra e qytete. Zhvillimin e atyre 500 ndërtimeve në Alpet shqiptare nuk e ka penguar aspak ligji i zonave të mbrojtura. Madje, ligji 81/2017 ka favorizuar gjithnjë ndërtimet tradicionale, si një mënyrë për të mbështetur komunitetet rurale.

Vetë kryeminitsri ka promovuar me dhjetra ndërtime të reja në zonat e mbrojtura. Madje shumica prej tyre pa asnjë lidhje me arkitekturën tradicionale, siç është edhe shembulli në foto e këtij postimi nga Vermoshi (Parku Kombëtar “Alpet shqiptare”).

Një tjetër justifikim i ndryshimit të ligjit ishte edhe “kërkesa e bashkive” sepse ato (bashkitë) po pengoheshin në zhvilimin e tyre’ prej ligjit ‘Për zonat e mbrojtura’. Dhe paradoksi qëndronte tek bashkia Cërrik e cila edhe pse nuk ka asnjë metër katror zonë të mbrojtur në territorin e sajë – ka propozuar që të ndryshohet ligji 81/2017 pasi po e pengonte edhe këtë bashki të zhvillohej. Shumica e bashkive i kanë hartuar dhe miratuar Planet e tyre vendore ku parashikohet gjithëçka në territorin e tyre, por çuditërisht u kujtuan vite më vonë se e vetmja pjesë ku pengohej zhvillimi i tyre ishin zonat e mbrojtura, a thua se në pjesën tjetër të territorit zhvilluan gjithëçka. Situata qesharake ku nuk ndodh kund tjetër.

10. Paligjshmëria e negociatave për ndërtimet në zonat e mbrojtura

Menjëherë sapo ligji 21/2024 u miratua në parlament, Kushner (dhëndërr i ish-presidentit Trump) postoi në llogarinë e tij në Instagram projektet që ai kishte bërë për Sazanin dhe Zvërnecin kohë më parë. Nga ana tjetër vetë qeveria ka pranuar se po negocionte prej kohësh për projektet e Kushnerit. Si mund të negociohet për diçka të paligjshme, pasi në kohën e negociatave, ligji nuk lejonte ndërtime të tilla në zonat tona të mbrojtura. Kjo është e paligjshme dhe e pamoralshme.

Nuk mendoj se beson njeri që ligji 21/2024 u ndryshua për të lejuar ndërtimet e bujtinave familjare, ndërrimin e çatisë apo derës së shpisë për familje që janë brenda zonave të mbrojtura. Njerzit do vazhdojnë të futen në burg për gjëra të tilla edhe në vijim, pasi siç thash më sipër janë të tjera ligje ato që rregullojnë ndërtimet në vend.