Fshatit Madhesh në njësinë administrative të Ulzës, në Bashkinë e Matit, ka gjithçka që natyra mund të falë. Kurorë pyjesh të gjelbëruara edhe në mesin e vjeshtës së artë, ajrin e pastër, e lumin me ujin e kulluar që reflekton ngjyrën jeshile të kodrave përreth. Një vend perfekt për t’u shkëputur nga zhurma mbytëse e qytetit, ku mund të përqafosh natyrën, të mbushësh mushkëritë me aromën e pishave e të dëgjosh cicërimat e zogjve e tringëllimat e bagëtisë, njëlloj si një copëz jete e shkëputur ndoshta shekuj më parë. Por jo gjithçka është kaq e paqtë. Në këtë fshat është ndërtuar me dokumente të dyshimta një HEC, dhe po tentohet të ndërtohet një tjetër, ndërkohë që banorët janë kundër, duke argumentuar se atyre nuk u është marrë asnjë mendim dhe është falsifikuar dokumentacioni.
Fshati Madhesh, i cili është rreth një km larg HEC-it të Shkopetit mund të ishte në fakt perfekt nëse shteti ndër vite do t’i kishte kthyer ndonjëherë sytë aty. Por siç thonë banorët, ku tashmë kanë mbetur rreth 20 familje, ndonëse dikur numëroheshin mbi 180 banorë, në 30 vite e gjithë zona është lënë në harresë çka ka sjellë shpopullim. Megjithatë, askush nuk i ka shitur pronat, por herë pas here vijnë dhe kujdesen për to. Mungon rruga, shkolla, e qendra shëndetësore, tre elementë kyçë për zhvillimin e jetës, ndërsa dikur Madheshi kishte dhe teleferik, i ndërtuar rreth 4 km i gjatë në vitin 1952, kur u ndërtua HEC-i i Shkopetit.
Mark Gjini, prej 80 vitesh, jeton në fshatin Madhesh dhe thotë se njeh si pëllëmbën e dorës çdo copëz të kësaj zone. Ai na tregon se prej 30 vitesh në këtë fshat mungojnë investimet.
“Unë jetoj prej 80 vitesh në këtë zonë. E kam shtëpinë matanë. Kjo është një zonë turistike. Këtu s’ka një investim. S’ka rrugë. Është 500 metra rrugë dhe asnjë s’ka vënë dorë që ta rregullojë. Kemi kërkuar disa herë po askush nuk kujtohet. Vetëm për interesat e veta vijnë”, tregon Gjini për Portën Vendore. Ai thotë se për shkak të mungesës së investimeve shumica e banorëve janë larguar nga fshati, duke shkuar në qytet për hir të fëmijëve që duhen shkolluar, pasi shkolla e vjetër e fshatit është kthyer në gërmadhë. Në fshat kanë mbetur vetëm pleqtë që kujdesen për blegtorinë e merren me bujqësi.
“E njoh çdo pëllëmbë të kësaj zone, por duke e lënë në harresë zonën vendi boshatiset. Kanë mbetur vetëm pleqtë që kujdesen për bagëtitë. Shkolla ku unë kam mësuar dikur kur isha fëmijë është kthyer në gërmadhë. Ndërsa të rinjtë ikën, në qytet”, tregon banori i trishtuar. Ai thotë se gjatë verës zona vizitohet nga turistë të huaj të cilët bëjnë shëtitje me varka në lumin e Matit.
“Gjatë verës fshati mbushet plot. Ka varka gjatë verës. Turistë të huaj vijnë sa të duash. Vijnë me varka nga Shkopeti, bëjnë shëtitje, dalin foto te pasarelat (ura me dërrasa e vetmja rrugë që lidh fshatin me rrugën e makinave). Kam bërë edhe unë foto me turistë të huaj. Nëse do investohej kjo zonë do të ishte një xhevahir për turizmin”, thotë Marku me shumë sinqeritet teksa keqardhja i lexohet në sy.

Të njëjtën gjë na e pohon edhe Edi Miza, edhe ky i lindur në fshatin Madhesh po më pas është shpërngulur në qytet për një jetë më të mirë.
“Nga ‘90 e mbrapa ky fshat nuk ka pasur asnjë ndihmë nga shteti. As shkollë, as ambulancë. Me raste vinte ndonjë infermiere. Pra asnjë lloj interesi. Çdo gjë është bërë me mundin e banorëve këtu. Jetojmë me bujqësi me blegtori. Detyrimisht në një kohë që s’ka shkollë, të gjithë janë detyruar të largohen edhe t’i çojnë fëmijët në qytet. Por bujqësinë e mbajnë dhe blegtorinë i mbajnë. Vijnë interesohen me sa munden edhe për pleqtë. Se pleqtë në fshat jetojnë”, thotë Edi.
Suada e Arnisa, dy nxënëse të shkollës 9-vjeçare na tregojnë se mungesa e shkollës ka qenë arsyeja se pse familjet e tyre u shpërngulën nga fshati Madhesh për në Ulëz ose Burrel. “Prindërit tanë kanë jetuar në fshat. Ne jo. Vijmë gjatë pushimeve të verës se tani kemi shkollë. Po ikën ata se s’ka shkollë fshati. S’ka as rrugë, as furgon me çfarë do lëviznim ne”, tregon Suada.
Mimoza është rreth 60-ve, në njërën dorë mban një qeskë me ushqime ndërsa në tjetrën bukën. Po kthehet nga qyteti dhe i duhet të ecë në këmbë deri në fshat. “S’ka rrugë tjetër. Vetëm në këmbë mund të ecësh. Makina s’kalon dot këtu, rruga gjithë gropa. Kanë ikur të gjithë, ç’të bëjnë. S’ka këtu asgjë, as shkollë, as doktor. Unë rri se kujdesëm për pleqtë. Kemi bagëti, lopë, kush t’i shikojë. Po fëmijët i kam në qytet”, tregon Mimoza.
Ndërkohë Bashkia e Matit thotë se në fshatin Madhesh kanë mbetur vetëm 5 familje, ndërsa fëmijët mësojnë në shkollën 9-vjeçare të Ulzës që është 4.4 km larg fshatit, ndërsa edhe qendra shëndetësore ndodhet pikërisht në Ulëz. “Bashkia Mat në lidhje me ankesën për infrastrukturën ju informojmë se ne këtë fshat ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme në infrastrukturë. Në këtë fshat janë rreth 5 familje që jetojnë gjatë gjithë vitit dhe duke qenë se numri i familje ka rënë vit pas viti, edhe shkolla në këtë fshat ka vite që nuk ka pasur fëmijë. Këto fëmijë janë shkolluar në shkollën 9-vjeçare Ulëz. Në lidhje me shërbimin shëndetësor ky shërbim mbulohet nga qendra shëndetësore Ulëz, ku sipas strukturës ka të përcaktuar një infermiere për çdo fshat”, bën të ditur Bashkia Mat pas kërkesës për informacion nga Porta Vendore.
Ndër investimet kryesore bashkia citon ndërtimin e ujësjellësit dhe rehabilitimin e dy urave pasarelë, njëra prej të cilave ka përfunduar vetëm 1 muaj më parë. Ndërkohë, Bashkia premton se shumë shpejt do të rehabilitojë edhe rrugën prej 500 metrash, e cila lidh fshatin me rrugën nacionale të Burrelit.
“Bashkia Mat dhe institucionet qendrore kanë investuar në këtë fshat si në ujësjellës dhe rehabilitimin e 2 urave pasarelë. Ku vetëm rreth para 1 muaj Bashkia Mat ka bërë rehabilitimin total të njërës urë me gjatësi rreth 60 metra lineare, dhe riparimin e urës tjetër me gjatësi rreth 120 metra linear. Po ashtu në një kohë shumë të shkurtër Bashkia Mat do të bëj të mundur dhe ndërhyrje në rehabilitimin e rrugës me gjatësi rreth 500 ml e cila ka nevojë për ndërhyrje me mjete të rënda”, bën të ditur bashkia.
Duke marrë shkas nga fakti se fshati Madhesh është pjesë e njësisë administrative të Ulzës, e cila është shpallur Park Natyror Rajonal dhe është pjesë e zonës së mbrojtur, Porta Vendore e pyeti Bashkinë e Matit për investime në projekte për zhvillimin e turizmin në këtë zone piktoreske.
“Ka pasur promovime të vazhdueshme, ku më 25 prill 2018 u promovua “Ulza Eco Park” në Njësinë Administrative Ulëz ku u bë promovimi i vlerave natyrore nëpërmjet menaxhimit dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe përfshirjes së komunitetit. Si destinacioni më i ri Kombëtar i Turizmit në Shqipëri “Ulza Eco Park” do të jetë një destinacion atraktiv, ky ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë material shpirtërore duke krijuar kushtet e nevojshme për zhvillimin e eko-turizmit, turizmit rural, eksplorues, e atij gjithëvjetor”, njofton bashkia në përgjigje të kërkesës për informacion.
Ndërsa gjatë periudhës së pandemisë, ndihma që bashkia u ka ofruar banorëve është hedhja e një sasie të madhe rasati në lum për t’i ardhur në ndihmë shoqatës së peshkatarëve.
Ndërtimi i HEC-ve dhe rezistenca e banorëve
Ndërkohë, përveç mungesës së investimeve, fshati rrezikon tani zhdukjen totale për shkak të ndërtimit të dy HEC-eve mbi lumin Mat. Bëhet fjalë për HEC-in e Gurrës që është ndërtuar dhe në muajin maj ka nisur funksionimin. Përveç këtij Shoqëria ARM SHPK kërkon të ndërtojë një tjetër HEC, që sipas banorëve do të ezauronte të gjithë burimet ujore të zonës dhe do ta thante komplet lumin duke sjellë katastrofë natyrore, jo vetëm në dëm të familjeve të këtij fshati, por edhe të mjedisit e faunës në tërësi.
80-vjeçari Mark Gjini thotë se nëse kësaj zone i merr ujin, ajo vdes. “Nëse i pret ujin kësaj zone ajo vdes. Thahet vendi, fauna. Është gjithë ajo kafshë e egër që pi ujin gjatë verës. Janë bagëtitë që janë 150 krerë që përdoren. Uji s’duhet të futet në tubacione. Ndërtimi i TEC-it i hyn në hak të gjithë zonës. Jo vetëm fshatit Madhesh, por prek fshatin Stopan e Lundre”, tregon zoti Gjini.
Ndërsa Edi Miza, me profesion ndërtues akuzon fort dhe me emra të përveçëm. Ai thotë se edhe HEC-i i Gurrës është ndërtuar duke falsifikuar firmat e banorëve.
“HEC-i i Gurrës u ndërtua me falsifikime. Atje ka filluar punë HEC-i, na ka mbetur vetëm ky krah këtej i lumit për të vaditur fshatin dhe për të pasur një atraksion turistik. Kemi reaguar por siç ndodh rëndom në vendin tonë askush nuk dëgjon. HEC-i i parë është bërë funksional në maj, pra ai i Gurrës. E ka bërë firma ‘Ulza Ndërtim’, duke shkelur gjithçka. Me firma të falsifikuara”, thotë ai, duke shtuar se dëgjesa publike për ndërtimin e HEC-it të dytë ka qenë në datë 10 prill, teksa gjendeshim në karantinë. “Kam qenë duke ardhur në shtëpi dhe gjej 10-12 vetë këtu në rrugë. Ishin 10 punëtorë të bashkisë dhe 2-3 fshatarë që i kishin marrë me mënyra të ndryshme. Erdhi dhe kryeplaku i fshatit, të cilin nuk e ka caktuar fshati, por Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj. Ishte dhe administratori i Ulzës dhe po bënin dëgjesën publike, maksimumi 5 banorë ishin nga 3 fshatra. Dhe ata firmosën. Unë u përplasa me ta sepse i thashë që nuk keni të drejtë të firmosni ne emër të fshatit. Nuk e di si u joshën, por si përherë. Do ju japim dritë elektrike falas, do ju fusim në punë. Kështu gjërash. Kryetari i bashkisë do ta bëjë HEC-in. Jam shumë i zhgënjyer prej tij. Merret vetëm për interesat e veta. S’ka asnjë investim, vetëm presion. Shkolla është gërmadhë”, rrëfen Edi Miza.
Ai thotë se përmes ndërtimit të HEC do përfitojnë 2 veta, ndërsa nëse investohet dhe promovohet turizmi me bujtina dhe me agro-turizëm përfitimi do të jetë i të gjithës zonës dhe i banorëve.
“Unë kam përshtypjen që kjo është bërë e qëllimshme, për ta lënë fshatin pas dore. Uji është pasuria e vetme dhe me atë ujë ne kemi pas zhvilluar blegtori dhe bujqësinë. Në lum rritet trofta, rritet nila, krapi, sardelja, gjuhëza, hedhin vezën në atë lum. Nëse atyre i marrin ujin, kthehet gjithçka në skëterrë”, shprehet Edi.
Por banorët e fshatit Madhesh kanë organizuar protesta për të rritur ndërgjegjësimin e institucioneve publike kundër ndërtimit të HEC-it dhe madje janë të vendosur që çështjen ta çojnë në gjykatë.
Hysen Dulli, ekspert mjedisi në Mat sqaron për Portën Vendore të mirat dhe të këqijat e ndërtimit të këtij HEC-i për zonën e Madheshit në njësinë administrative Ulëz të Bashkisë Mat. “Banorët mund të punësohen nga ndërtimi i këtij HEC-i, ndërsa zona mund të zhvillohej nga pikëpamja infrastrukturore dhe e investimeve që vetë kompania do të bëjë në këtë zonë. Qeveria shqiptare e mbështet energjinë e gjelbër dhe të rinovueshme. Ky investim mund të ndikonte tek shërbimet që deri më tani banorët nuk i marrin, si rikonstruksion rruge, qendre shëndetësore ose të infrastrukturës shkollore. Por duke qenë që këtu është një zonë e mbrojtur natyrore dhe me mundësi turistike, ky HEC do të ndikonte negativisht. Nuk është menduar se si do të vaditen tokat e banorëve, pas ndërtimit të këtij HEC-i në fakt. Këtu zhvillohet një peshk i rrallë me emrin Nila, që ky HEC mund të rrezikonte seriozisht mbijetesën e tij. Por ama nga ana tjetër në Mat ka shumë HEC-e dhe kjo do të kushtëzonte jetën e të gjithë komunitetit. Ndërhyrjet në terren, prerja e bimëve, etj do t’i numëroja tek pasojat negative. Zona e Zall Gjocaj dhe e Madheshit mbeten më problematikë sa i përket HEC-eve, megjithëse në këtë zonë ka edhe shumë të tjerë të vegjël”, përfundon ai.
Përsa i përket dëgjesa me publikun ose konsultimit me komunitetin, eksperti i mjedisit Dulli tha se është ndër përparësitë e komunitetit dhe bashkisë, pasi në këtë situatë të tanishme, shumica janë kundra, ndërsa pakica mund të ketë qenë pro.
Kurse, Dorina Ndreka eksperte ligjore pranë Klinikës së Ligjit Durrës, thotë se nga një vlerësim paraprak i dokumentacionit për ndërtimin e HEC janë bërë të paktën dy shkelje ligjore. E para konsulta mes bashkisë dhe qytetarëve është realizuar më 10 prill në një kohë kur vendi ishte në karantinë dhe ndaloheshin grumbullimet dhe daljet pa orar, dhe së dyti nuk është bërë një analizë e thelluar e ndikimit të këtij HEC-i në mjedis.
“Vlerësimi paraprak ligjor është shumë i përciptë se ende nuk e kemi dokumentacionin e plotë ligjor. Na ka ndodhur ajo që ndodh zakonisht që institucionet publike rezistojnë në dhënien e dokumentacionit. Nga ato i dokumente që ne kemi dy janë shkeljet e bëra dhe mendojmë se edhe ato janë të mjaftueshme për ta kundërshtuar në gjykatë, por gjithsesi po presim. Së pari konsultimi me publikun është bërë në kohën kur ishim në karantinë dhe kur me Akt normativ ndaloheshin grumbullimet dhe daljet në orar pa orar. Së dyti, megjithëse institucionet publike, drejtoritë e Ministrisë së Mjedisit, kanë rekomanduar VNM (Vlerësim i Ndikimit në Mjedis) të thelluar, në këtë rast është ecur me VNM paraprake, pasi është në një zonë periferike, të një zone të mbrojtur të kategorisë 4, siç është Parku Natyror Rajonal i Lurës. Pra është këshilluar që të bëhet një analizë e detajuar dhe e thelluar për ndikimin që do të kishte ky HEC në biodiversitet dhe në mjedis. Kjo nuk ka ndodhur dhe agjencia kombëtare e mjedisit e ka miratuar me raport paraprak mjedisor që është shumë i përcipte dhe evaziv që është për raste të tjera jo për tani. Pra këto janë dy shkeljet që ne kemi evidentuar deri tani. Shpresojmë që Këshilli Kombëtar i Territorit të mos e miratojë lejen e ndërtimit duke na dhënë edhe kohë. Sepse nëse miratohet leje, situata bëhet më e vështirë sepse firma bëhet edhe më agresive në fillimin e punimeve, pasi lejet janë me afat. Kështu që ne shpresojmë që KKT (Këshilli Kombëtar i Territorit) të reagojë duke parë që ka një ndërgjegjësim publik shumë të madh dhe banorët e zonës kanë firmosur peticionin. Ne do të mbledhim dokumente dhe do i drejtohemi gjykatës administrative”, shprehet Dorina për Portën Vendore. Ky peticion mësohet se është firmosur nga të gjitha familjet e fshatit Madhesh dhe i është drejtuar Bashkisë së Matit, por dhe Këshillit Kombëtar të Territorit.
Ajo thotë se Bashkia e Matit në këtë rast do të ishte mirë që t’u dilte në krah banorëve të zonës dhe ta mbështesë çështjen e tyre në gjykatë.
“Ka një problem me bashkinë sepse në këto projekte, bashkitë nuk kanë vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Në disa prej tyre ato kanë mundësi të ndikojnë. Dhe disa bashki kanë reaguar duke refuzuar nëpërmjet kontratave të qirasë apo nëpërmjet vendimeve në këshill bashkiak në dhënien e fondin pyjor. Por në këtë rast kjo nuk ka ndodhur pasi fondi pyjor është në varësi të ministrisë së turizmit. Pra praktikisht bashkia nuk ka firmosur asnjë dokument. Megjithatë nëse bashkia do jetë në krahun e qytetarëve normalisht që rezistenca do ishte më e fuqishme. Nëse do të bënte atë që bëri Bashkia Tepelenë për shembull që të bashkohej dhe ta çonte çështjen në gjykatë vetë ajo, edhe nga pikëpamja ligjore situata merr një dimension tjetër”, shpjegon Dorina.
E pyetur se HEC-et janë kthyer në problem shqetësues në Shqipëri dhe si e sheh ajo përballjen në gjykatë, Dorina shprehet se ndonëse gjykata pranon shkeljet, sërish gjen argumente dhe hapësira ligjore për të mos e rrëzuar çështjen.
“Në fakt përgjithësisht reagimet nga ana e gjykatës nuk na bëjnë shumë optimistë, sepse gjithmonë gjendet artifica ligjore përtej shkeljeve. Pra edhe kur na i pranojnë shkeljet gjenden argumente të tjera për të mos i rrëzuar. Por ndërkohë institucionet publike shpeshherë detyrohen t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre. Pra reflektojnë. Për shembull nëse do të ishim para dy vitesh ky projekt nuk do të ishte me dy AKM. Sepse është miratuar e para, ka mbaruar afati është nxjerrë e dyta. Praktika e para dy viteve ka qenë se AKM vazhdonte edhe pas 3-4 vitesh me të njëjtën vlerësim ndikimi në mjedis. Tani besoj duke lënë mënjanë modestinë, se kemi pasur një ndikim shumë të madh në këtë gjë sepse kemi rrëzuar disa HEC në bazë të përfundimin të afatit. Pra ka më shumë respektim të ligjit sepse edhe detyrimi i subjekteve që të rifuten në procedurën e miratimin të VNM do të thotë që ata të përgatisin sërish dokumentacion të kërkojnë miratimin e publikut. Por gjithsesi ka një qasje që këto HEC të kalojnë”, tregon Dorina.
Por çfarë thotë Bashkia Mat? Porta Vendore e pyeti bashkinë në lidhje me ndërtimin e HEC-eve në Mat dhe përgjigja që morëm është se këtë bashki nuk ka ardhur asnjë ankesë banorësh kundër ndërtimit të HEC-it.
“Ne lidhje me HEC-in që ka marrë lejen mjedisore për t’u ndërtuar në këtë zonë dhe në dosjen e dorëzuar në Bashkinë Mat i ka dokumentet sipas legjislacionit dhe nuk ka një ankesë nga banorët për kundërshtimin e këtij HEC-i. Duhet theksuar se nga ana e Bashkisë Mat akoma nuk ka një leje infrastrukturore për fillimin e punimeve për ndërtimin e këtij HEC-i”, bën të ditur bashkia e cila njofton se janë kryer konsultime me banorët e zonës.
“Konsultimet me banorët për ndërtimin e këtij HEC-i janë kryer dhe janë të pasqyruara dhe në dosjen e aplikimit për marrjen e lejes mjedisore, ku banorët e fshati Madhesh kanë firmosur që janë konsultuar me përfaqësues të firmës që kërkon të ndërtojë HEC-in”, përfundon Bashkia Mat.
Por Gjovalin Gjergji, banor i këtij fshati tregon një version tjetër të historisë, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i bashkisë. Ai rrëfen për Portën Vendore se nuk ka ardhur t’i pyesë asnjë njeri mbi HEC-in që është në proces ndërtimi.
“S’na kanë marrë mendim. Absolutisht jo. S’na ka pyetur njeri. Ata kanë falsifikuar gjithçka. Këtu është zonë e mbrojtur, me vendim të këshillit të ministrave që në 2013. Ndaj i bëj thirrje instancave përkatëse që të respektojnë rregullat, se dhe ne jemi të vendosur t’i respektojmë. Të gjithë banorët bashkë siç jemi nuk do të lejojmë ndërtimin e këtij HEC-i”, thotë Gjovalini i vendosur. Ai ka investuar në këtë fshat si shumë të tjerë në fakt, në sektorin e blegtorisë, ndërsa gjithashtu në fshat ka investime në frutikulturë , por janë hapur edhe bujtinat e para për të mirëpritur turistë.
“Kjo është zonë shumë e bukur për turizëm. Nuk duhet bërë kjo lloj masakre. Këto rrugë janë bërë me forcat tona. Vetëm për zgjedhje vijnë të na vizitojnë, s’kujtohet njeri për ne. Ne trajtohemi si dorë e dytë. Nëse mua nuk më zë gjumi për ato 120 lopë që kam nën administrim, shtetin nuk është se nuk e zë gjumi për ne. Ne jemi vrarë me njëri-tjetrin për një pikë ujë, ndërsa këto duan ta marrin të gjithin. Këtu jetojmë me krahët tona, përveç ndonjë familjeje që përfiton nga partitë ndonjë 5 kg miell, ose ndonjë 35 mijë lekësh ndihmë ekonomike”, vijon Gjovalini për Portën Vendore.
Madheshi ngrihet hijerëndë, megjithëse sfidat e së ardhmes që i pret këta banorë janë të shumta. Beteja për ujin do të vijojë të jetë një shqetësim prezent dhe ata shprehen të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e një tjetër HEC-i në këtë zonë.