Centralizohen shërbimet e gjendjes civile në Qarkun Dibër, mbyllen zyrat në njësitë administrative

1405
Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos humbasin zyrat në njësitë administrative, shërbimi përqendrohet në bashki

Shërbimi i gjendjes civile në Qarkun Dibër do të funksionojë me strukturë të re nga data 30 mars 2026, pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për riorganizimin e këtij shërbimi në të gjithë vendin. Vendimi parashikon mbylljen e zyrave të gjendjes civile në njësitë administrative dhe përqendrimin e tyre vetëm në nivel bashkie, duke reduktuar numrin e pikave të shërbimit dhe duke centralizuar administrimin.

Sipas dokumentit zyrtar, ndryshimet prekin drejtpërdrejt katër bashkitë e Qarkut Dibër: Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos.

Në bashkinë Dibër, shërbimi i gjendjes civile që deri më tani kryhej në disa njësi administrative si Peshkopia, Arrasi, Fushë-Çidhna, Muhurri, Kala e Dodës, Kastrioti, Lura, Luznia, Tomini, Zall-Dardha, Zall-Reçi, Maqellara, Melani, Selishta dhe Sllova, do të përqendrohet në vetëm dy zyra: një në nivel bashkie dhe një që do të mbulojë të gjitha njësitë administrative. Kjo do të thotë se zyrat ekzistuese në njësitë administrative mbyllen dhe qytetarët do të duhet t’i drejtohen zyrave të centralizuara.

Në bashkinë Bulqizë, shërbimi për njësitë Bulqizë, Gjoricë, Martanesh, Ostren, Shupenzë, Zerqan dhe Fushë-Bulqizë do të kryhet nga një zyrë e vetme e gjendjes civile në nivel bashkie. Edhe këtu, zyrat në njësitë administrative nuk do të funksionojnë më si pika të veçanta shërbimi.

E njëjta skemë do të zbatohet në bashkinë Mat, ku për njësitë Burrel, Derjan, Macukull, Baz, Komsi, Lis, Rukaj dhe Ulëz, shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet vetëm nga një zyrë e centralizuar në bashki. Ndërkohë, në bashkinë Klos, njësitë Klos, Gurrë, Suç dhe Xibër do të mbulohen nga një zyrë e vetme e gjendjes civile.

Sipas pasqyrës shoqëruese të vendimit, për Qarkun Dibër parashikohen gjithsej 8 zyra të shërbimit të gjendjes civile dhe 16 punonjës, ku përfshihen edhe zyrat e arkivit pranë prefekturës. Vendimi përcakton gjithashtu se aktet dhe dokumentet e zyrave që mbyllen do të transferohen dhe do të ruhen sipas legjislacionit për arkivat, ndërsa marrëdhëniet e punës për punonjësit që preken nga ristrukturimi do të trajtohen në përputhje me Kodin e Punës.

Riorganizimi synon uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës së shërbimit, por në praktikë ai pritet të ndikojë te qytetarët e zonave të largëta, të cilët tashmë do të duhet të udhëtojnë drejt qendrave të bashkive për të marrë shërbime si regjistrimi i lindjeve, martesave, vdekjeve apo pajisja me certifikata.