Afro 1.2 milionë euro për unazën e Burrelit, por rruga nuk reziston as disa muaj pas përfundimit të punimeve

331
Pamjet nga terreni tregojnë çarje në asfalt dhe shembje të pjesshme të karrexhatës në unazën e Burrelit.

Situata në unazën e qytetit të Burrelit paraqitet problematike, pasi në disa segmente të këtij aksi rrugor janë shfaqur çarje të asfaltit dhe shembje e shtresës rrugore. Pamjet nga terreni tregojnë se një pjesë e karrexhatës është çarë në mes, ndërsa është bllokuar qarkullimi i automjeteve.

Unaza e Burrelit u ndërtua gjatë vitit 2025 dhe u përurua si një investim i rëndësishëm për lehtësimin e trafikut urban. Sipas dokumenteve zyrtare, projekti ka kushtuar rreth 106.9 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 1.2 milionë euro, dhe është realizuar nga kompania “Ulza” sh.p.k., me mbikëqyrje të punimeve nga shoqëria “Leni-Ing” sh.p.k., ndërsa financimi është bërë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në lidhje me situatën e krijuar ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Denisa Vata, e cila ka publikuar pamje nga terreni dhe ka ngritur akuza për përgjegjësi institucionale dhe dështim të zinxhirit të kontrollit. Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se unaza është ndërtuar në vitin 2025, është mbyllur “brenda afatit” dhe është paguar me fonde publike, por në vitin 2026 rezulton e shembur në disa segmente. Sipas saj, askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për këtë situatë.

Në të majtë, shkresa zyrtare e Autoritetit Rrugor Shqiptar drejtuar deputetes Denisa Vata; në të djathtë, shkresa e Bashkisë Mat lidhur me projektin e unazës së Burrelit.

Vata bën publike edhe korrespondencat zyrtare mes Bashkisë Mat dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që nga viti 2020, ku Bashkia i ka kërkuar ARRSH-së financimin e projektit dhe ka deklaruar se kishte hartuar projektin e plotë dhe e kishte depozituar pranë institucionit qendror. Ndërkohë, në një shkresë zyrtare, ARRSH sqaron se projekti i paraqitur nga Bashkia Mat nuk kishte parashikuar rrëshqitje dhe për pasojë nuk janë marrë masa inxhinierike për trajtimin e tyre. Në të njëjtën shkresë thuhet se kontrata për “Sistemim asfaltim rrugët e Rajonit Verior Shkodër (Unaza Burrel)” ka përfunduar brenda afateve kontraktuale dhe se institucioni po kryen një ekspertizë të thelluar për situatën e krijuar, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje tekniko-ekonomike.

Sipas Vates, nëse projekti ka qenë i gabuar, lind pyetja pse është miratuar dhe financuar, ndërsa nëse studimi ka qenë i mangët, përgjegjësia duhet të jetë e ndarë mes Bashkisë Mat, studios së projektimit, firmës zbatuese, mbikëqyrësit dhe ARRSH-së si autoritet kontraktor. Ajo thekson se ARRSH nuk është vetëm noter, por ka detyrim ligjor të verifikojë dhe miratojë projektin përpara se të hapë tenderin dhe të paguajë fondet. Deputetja kujton gjithashtu se zona ka pasur precedentë rrëshqitjeje të dokumentuar me vendime dëmshpërblimi ndër vite nga Këshilli Bashkiak për banorët e kësaj zone, çka sipas saj nuk është reflektuar në projekt.

Në përfundim të reagimit të saj, Vata e cilëson situatën si një “dështim zinxhiror të sistemit të kontrollit publik”, duke shtuar se rruga është shembur vetëm një muaj pas përfundimit dhe se kostoja reale po bie mbi qytetarët. Sipas saj, dokumentet, korrespondencat dhe firmat ekzistojnë dhe tashmë duhet të ekzistojë edhe përgjegjësia institucionale për këtë investim të dështuar.