FOTO-VIDEO/ Vrasja mafioze e ish-drejtuesit të policisë, ndjekje si nëpër filma me breshëri kallashi

442

Prej janarit të vitit 2016 Ervin Dalipaj, ish-shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, ishte shpallur ne kërkim si i përfshirë në rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e një prej personave më të njohur për policinë, sa i përket precedentëve penalë, Gazmend Çollakut.

I përjashtuar në vitin 2013 nga Policia me firmë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, këtë të martë, rreth orës 14:00, Dalipaj gjeti vdekjen pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, rreth 20 plumba, teksa udhëtonte në një makinë tip Audi A8 ngjyrë gri me targë AA 111 OI.

Bashkë me të, në automjet oshte edhe miku i tij Juxhin Dauti, 27 vjeç, i akuzuar për vrasjen e ish-kampionit të bilardos, Fatjon Bani në qytetin e Vlorës, në vitin 2012. Megjithatë ndaj tij, ishte në fuqi një vendim pafajësie nga Gjykata e Apelit, që rrëzoi dënimin e Shkallës së Parë me 23 vite burg. Policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për atentatin mafioz.

Ajo se çfarë ndodhi këtë të martë pranë mbikalimit të Sukthit në Durrës, i ngjan një skene filmi.

Ervin Dalipaj, 39 vjeç lëvizte me një makinë “Audi A8”, së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në momentin që një makinë e zezë i është vënë nga pas. Në momentin që makinat janë afruar me njëra-tjetrën, nga automjeti i autorëve është lëshuar një breshëri kallashnikovi. Por plumbat e parë nuk kanë kapur Ervin Dalipajn, i cili ka shtuar shpejtësinë e makinës duke tentuar t’i largohet atentatorëve. Të dyja makinat kanë ecur gjatë me shpejtësi marramendësve në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, ndërsa autorët vazhdimisht tentonin të qëllonin në shenjë. Plumbat vdekjeprurës janë shënuar në momenton që makinat janë hasur paralel me njëra-tjetrën.

Pas përplasjeve me bordurat anësorë, makina është ndalur…Dy miqtë humbën jetën.

http://www.dailymotion.com/video/x5jn17i_vritet-dautaj_news

Autorët, sipas dëshmitarëve, kanë vijuar rrugën me shpejtësi të lartë në drejtim të Shijakut dhe deri më tani nuk ka të dhënë për identitetin e tyre. E vetmja gjë që dihet është se ata udhëtonin me një makinë të zezë, dhe dyshohet të kenë qenë dy persona.

Paraprakisht për eliminimin e Dalipajt policia dyshon se kemi te bëjmë me hakmarrje mes grupeve rivale.

Përfshirja në vrasjen e Collakut dhe largimi nga puna

Ervin Dalipaj akuzohej se në bashkëpunim me Deniz Shtrazën, ky i fundit i arrestuar, ndihmuar dhe dy persona të tjerë, kanë rrëmbyer Gazmend Çollakun, e kanë lidhur në këmbë dhe duar me fasheta të zeza, e kanë transportuar si fillim me një mjet tip “Audi”, për në fshatin Murqin të Krujës dhe e kanë vrarë me armë zjarri.

Ervin Dalipaj ka qenë shef i sektorit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Tiranës, deri në tetor të vitit 2013, kur u shkarkua nga kjo detyrë me akuzën “Shpërdorim Detyre” dhe “Rrjedhje Informacioni”, gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” që kishte për qëllim mbylljen e lojërave të paligjshme të fatit.

Ishte vetë Ministri i Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri i cili urdhëroi pezullimin nga detyra të dy shefave të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë dhe në Korçë. Ministri e dha urdhrin pasi sipas policisë, rezultoi se në aksionin për bllokimin e lojërave të fatit të dy shefat nuk kryen detyrën e tyre dhe dyshohet gjithashtu se bashkëpunuan me pronarët, për t’i fshehur policisë makineritë e lojërave të fatit.

Dalipaj ka qenë personi që drejtonte hetimet ndaj Bashkim Tahirit, babait të ish-ministrit Saimir Tahiri në vitin 2013, nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve, që çoi më tej në arrestimin e tij. Megjithatë, disa javë më vonë, babai i Tahirit u lirua nga të gjitha akuzat. /Gazeta Express/